Vit pas viti Vuçiqi shtyn përpara kërkesat e veta, duke derdhur lot e duke u paraqitur si racional, por që s’ka çka u bën strukturave ilegale serbe në Kosovë, apo ushtarëve të vet që duan të shkojnë të luftojnë në Kosovë, apo medias dhe mafias serbe që kontrollohet nga Moska dhe kërcënon çdo relaksim me Kosovën, apo popullit të vet që del të protestojë kundër Kosovës, e kështu me radhë.
Kjo qasje nuk është e re, atë e kanë përdorur edhe më parë shumë sundimtarë serbë, edhe Millosheviqi. Ata paraqiten në tryezën ndërkombëtare si drejtues “të arsyeshëm” që duan paqe, por nuk i lë populli, ushtria, mafia, media, biznesi, Moska. Kështu që ndaj tyre duhen bërë lëshime, ata duhen kuptuar, se e kanë punën më pisk se drejtuesit e vendeve të tjera.
Kjo strategji nuk është e panjohur për studiuesit e teorisë. Ndër të parët që e kanë nxjerrë në letër, ka qenë profesori i strategjisë, amerikani Thomas C. Schelling, në vitet ‘60, kur rreziku i luftës nukleare transformoi “artin e luftës”. Në librin e tij “Strategjia e konfliktit”, Schellingu përpunoi një teori të kundërt me atë klasiken e Von Clausewitzit.
Von Clausewitzi thoshte te “Mbi luftën” se strategjia ushtarake dëmtohej nga “fërkimet”, dmth. nga moszbatimi i urdhrave ashtu siç duhet përgjatë zinxhirit komandues (Napoleoni, sipas Von Clausewitzit nuk mori rezultatin e dëshiruar në betejën e Borodinos jo pse gaboi me strategji, por sepse komandat e tij nuk u përcollën e zbatuan si duhet). Edhe strategët më të mirë i rrëzonte “fërkimi”, sipas Von Clausewitzit.
Ndërsa Schellingu e ktheu përmbys teorinë dhe shkroi se paqartësitë dhe befasitë e krijuara nga “fërkimi” dhe moszbatimi i komandave mund të përdoret me kreativitet, si armë e llojit të vet. Paqartësitë rriten kur kriza rrezikon të shndërrohet në konflikt të kufizuar, apo kur konflikti i kufizuar rrezikon të shndërrohet në luftë. Situata del nga kontrolli jo menjëherë, por shkallë-shkallë. Takticieni i mirë sipas Schellingut është ai që i shfrytëzon këto raste, jo ai që druhet prej tyre. Sipas Schellingut, lënia e daljes së situatës jashtë kontrollit është me leverdi, sepse pala kundërshtare mund të ketë frikë prej daljes jashtë kontrollit.
Në situata të atilla mund të ndodhin gjëra të tmerrshme – dhe kjo është e besueshme për shkak të irracionalitetit të njerëzve atje poshtë në terren. Ky lloj i kërcënimit, sipas Schellingut, çon peshë më shumë se sa kërcënimi luftarak që vjen prej udhëheqësit atje lart, i cili është i pabesueshëm për shkak të racionalitetit që pritet të dëshmojnë udhëheqësit (të cilët nëse nuk tregohen racionalë rrëzohen, ndërsa populli poshtë nuk rrëzohet dot).
Ky është avantazhi strategjik i Serbisë, ku gjerësisht shoqëria, partitë, etj. paraqiten më të padëgjueshme, më radikale se sa lideri, apo lideri më i arsyeshëm e më i butë se shoqëria. Ndërsa te ne është e kundërta. Prandaj diplomatët na thonë se, po s’e bëri Albini asociacionin, ka plot parti të tjera, biznese e shoqëri civile që e bëjnë atë…/Arbër Zaimi/
MekuliPress është në prag të mbylljes. MBËSHTETE SOT GAZETARINË E PAVARUR DHE ORIGJINALITETIN E MEKULIPRESS. Kemi shumë nevojë për mbështetjen tënde, i dashur lexues. NA NDIHMO sot, të paktën edhe me 1 Euro!