Kryeminstri Kurti:

“Qëllimi ynë ishte që propozimi franko-gjerman për normalizim, përmes një marrëveshje ligjërisht të obligueshme ndërkombëtare të bëhet çështja e bisedimeve në Bruksel drejt arritjes së një dakordimi i cili shtetit tonë, që është normal e demokratik, ja bashkëngjit një raport normal e evropian me Serbinë, me fqinjin tonë verior. Një gjë e tillë nuk ishte e përfshirë në diskutimet e ditës së hënë, tash ajo figuron saktësisht dhe me një status të qartë në paragrafin e parë.

Të hënën në mbrëmje është ofruar një dokument si dakordim i përbashkët i cili i ka pasur 95 fjalë dhe fjalët Francë-Gjermani nuk kanë qenë askund, dhe nuk i referohen propozimit franko-gjerman pos çështja e targave. Ndërkaq kjo që është dakorduar mbrëmë i ka 194 fjalë, është më shumë se dyfishi i tekstit. Janë krejtësisht të ndryshme.
Ata që thonë që ajo nuk është pranuar të hënën, është pranuar të mërkurën nuk e dinë për çfarë po flasin. Është dyfish tekst më i madh ky i mbrëmshmi, dhe nuk është marrëveshje, është dakordim. Është deklaratë e Borrellit. Ajo çfarë është bërë mbrëmë është ndryshuar deklarata e Borrellit, ne nuk kemi ndryshuar qëndrim, Borrelli ka ndryshuar deklaratë dhe kjo është shumë mirë.

Ne dëshirojmë që të krijojmë një masë elementare mirëbesimi për t’i dhënë shansë dialogut me shpejtësi dhe ai duhet të fillojë brenda disa ditëve ashtu thuhet në paragrafin e parafundit, dhe është shumë mirë që është përshpejtuar gjithçka. Ka pasur kërkesa nga Lajçaku që të shtyhet për 12 muaj e nga Escobari për 10 muaj, por unë besoj se kjo mund të bëhet dhe do të bëhet shumë më shpejt dhe qëndrimi ynë doli i drejtë.

Kur unë kam qenë gjatë bisedimeve të hënën, insistimi më i madh ka qenë që në dakordimin që bëhet deklaratë e Borrelit të jetë asociacioni i komunave me shumicë serbe. Ata e shohin asociacionin si thelb të normalizimit, ne e shohim njohjen reciproke si thelb të normalizimit. Dhe është dallim i madh në mes të hënës dhe të mërkurës.

Ne nuk pajtohemi me të kaluarën por trashëgimia e qeverive të kaluara është shndërruar në pozicion zyrtarë të vetë Bashkimit Evropian. Pra, trashëgimia e marrëveshjeve është pozicion i BE-së. Prandaj edhe në deklaratën e Borrelit i keni ato.

Serbia e ka pranuar për herë të parë që emërtimet e qyteteve të Kosovës janë pjesë e jurisdiksionit territorial të Republikës tonë. Një hap i tillë është fundamental në drejtim të strukturave ilegale e paralele, dhe përfundimit të financimit të tyre në të ardhmen e afërt.”
MekuliPress është në prag të mbylljes. MBËSHTETE SOT GAZETARINË E PAVARUR DHE ORIGJINALITETIN E MEKULIPRESS. Kemi shumë nevojë për mbështetjen tënde, i dashur lexues. NA NDIHMO sot të paktën me 1 Euro!