Gëzim Mekuli
Ekstaza e gëzimit kolektiv

Pas humbjes së përfaqësueses së Kosovës nga Anglia, doli në sipërfaqe diktatura e mediave të pushtetit. Pamë se si institucione të organizuara të pushtetit, dhe gjithë mjetet e tyre të informimit, u vunë në shërbim të një qëllimi të vetëm e të paparë deri më sot: Organizimin e “gëzimit kolektiv.”

Ajo se çfarë pamë, ajo se çfarë lexuam e çfarë po përjetojmë, nuk është as më shumë e as më pak veçse një cirk i një diktature në veprim. Pamë se si më shumë u gëzuan shqiptarët për humbjen, se anglezët për fitoren.

Si spjegohet kjo?
Festimi i komanduar mediatik, domosdoshmërisht na çon tek gazetaria e diktaturës. “Festimi kolekiv” i humbjes së përfaqësueses së Kosovës nga Anglia na përkujton diktaurën mediatike serbe, kur ajo përmes ndihmës gazetareske “festonte” humbjet politike e ushtarake serbe të fundshekullit XV në Fushë Kosovë.

Edhe atëherë qëllimi mediatik i pushtetit nuk ishte nderimi, e as respektimi, i heronjëve serbë; ishte qëllimi për të frymëzuar nacionalizmin serb, që më vonë do ta përdorte për ta ndërsyer kundër “të tjerëve.”

Lartësimi i konformizmit në sistem është i papranueshëm dhe se “Festimi i organizuar kolektiv” i humbjeve është treguesi se shoqëria dhe pushteti ka luajtur mendsh. Shqiptarët e Kosovës që mbrëmë u bindën se si media e pushtetit po u detyron një “festim kolektiv” për humbjen, e një “gëzim kolektiv” për disfatën”. E paparë! E padëgjuar në Europën e shekullit XXI.

Natyrisht, secili nga ne ka të drejtë të gëzohet apo edhe të hidhërohet, të kërcejë përpjetë e teposhtë, të qeshë e të qajë, por “festimi dhe gëzimi i organizuar” është propagandë, është i rremë dhe i ftohët. Gjithsesi kjo është edhe një gënjeshtër kolektive! Pra, edhe “humbja” mund të përdoret nga diktatura si reklamë e si propagandë, si lajm i madh, madje edhe si narkotikë në shërbim të “kënaqësisë së popullit”.

Përse u paraqit humbja e përfaqësueses së Kosovës nga Anglia si “sukses”, si “gëzim”, ” festë” e si “fitore” e madhe?

Në njërën anë Kosova është në ditët më të zeza të saja; Vjedhje industriale, korrupsioni shtetëror, gjykatës të blerë e të stërshitur, papunësi, pasiguri publike e private. Në anën tjetër Kosova po përjeton edhe diçka tjetër; Vetëdijësim! Shohim një disponim “tjetër” qytetar, ka gadishmëri për t’i kthyer shpinën pushtetarëve të pasluftës që e mbytën, që në fillesë, demokracinë dhe shtetin e mirëqenjes në Kosovë. E kjo kthesë e vonshme, por gjithsesi përparimtare e shqiptarëve të Kosovës, po pritet me ankth, me hidhërim e me frikë nga “ata”. Andaj klasa politike në Prishtinë (si dhe ajo në Tiranë, padyshim) ka nevojë (urgjente) për sajimin e “lajmit të bujshëm për festime e për gëzime kolektive”.

Pushtetit i vyen, shpejtë e shpejtë, fotografia e bukur për Kosovën. S’është me rëndësi rezultati, s’është me rëndësi përmbajtja e as cilësia, pushteti ka nevojë për formën, për dukjen, për shkëlqimin. Dhe kjo për konsum të brendshëm.

Pushteti ka nevojë për “gëzime publike”, për “festime publike”, “për darsma, për syneti e për konagjeqe publike” ; Duhet zhvendosur vëmendshmërinë e qytetarëve nga pakënqësia kolektive në “festime e në gëzime kolektive”. Duhet larguar syri i shqiptarëve të Kosovës nga ngjyrat kuq e zi…

Përmes diktaturës së mediave hidhërimin duhet shndëruar në “Gëzim”, humbjen duhet paraqitur si “Fitore”…. Bëhuni të sinqertë, a nuk të kujton ky marifet “kosovar” sistemet diktatoriale?

Shkurt e shqip: marrja pjesë e shtetit për të festuar humbjet dhe dështimet të rikujton aparatin propagandistik të nazistëve të udhëhequr nga Josef Göbels, duke mos harruar pa përmendur këtu edhe aparatin propagandstik të Milosheviqit e sot të Vuçicit. /MekuliPress/ /MekuliPress/ – Shpërndaje dhe Pëlqeje gazetën e pavarur “MekuliPress”

Ndoshta ju pëlqen!/MekuliPress/ Nëse keni shijuar këtë artikull, ndajeni atë me familjen dhe miqtë tuaj! MekuliPress mbetet e pandikuar nga partitë politike. Na ndihmoni!
Loading...