Ende pa u ulun në karrigen e kryeministrit duket se Albin Kurti po krijon një tension të ri me Beogradin. Qëndrimet e liderit të Venvendosjes për të mos e shpallur si prioritet dialogun me Serbinë dhe për të vënë korniza të reja për zhvillimin e tij me sa duket nuk janë pritur mirë nga pala tjetër.

Gjatë një bisede me mediat ku kishte dalë për të pritur 150 mijë vaksina Astra Zeneca, Aleksandar Vuçiç, ka ironizuar duke thënë se lideri i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, po kërkon ti zgjidhë Serbisë edhe zhvillimet e saj të brendshme duke përcaktuar se kush duhet të jetë në krye të saj.

“Unë e shoh që Albin Kurti po tenton të zgjidhë zhvillimet tona të brendshme, duke folur se si duhet të duket Serbia dhe kush duhet të jetë në pushtet. Ndaloni, heshtni, lërini ata, ata të gjithë janë të fortë dhe të zgjuar. Ne do t’i lëmë ata që të bëjnë punën e tyre, ne do të bëjmë punën tonë. Ne e dimë se cili është interesi ynë nacional dhe do të vazhdojmë të luftojmë për popullin tonë dhe të drejtat e tyre, pavarësisht nga fakti se situata është thuajse e pashpresë”, ka thënë Vuçiç sipas Tanjug.

Ju pëlqen!

Pas fitores së madhe në zgjedhjet parlamentare të 14 shkurtit në Kosovë, kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, i tha agjencisë së lajmeve AFP se ai dëshiron t’iu japë formë të re bisedimeve me Serbinë, për t’i vendosur të dyja palët në pozita të barabarta. Kurti tha se bisedimet nuk duhet të përqendrohen rreth mënyrës se si “të kompensohet” Serbia për humbjen e Kosovës.

“Dialogu midis Serbisë dhe Kosovës duhet t’i ndryshojë vendet tona për te mirë. Dialogu mes Kosovës dhe Serbisë, nuk duhet të zhvillohet thjeshtë për të shpëtuar imazhin e këtij apo atij politikani. Politikanët janë thuajse asgjë, ata janë përfaqësues të diçkaje tjetër, jo të vetvetes, por të popullit. Populli duhet të jetë përfituesi dhe unë kam frikë se Beogradi e ka vendosur Kosovën përballë shumë kërkesave, nga të cilat njerëzit e Kosovës, përfshirë serbët, nuk përfitonin asgjë. Por përfitonte Serbia si një shtet që do të kompensohet për humbjet e shkaktuara nga regjimi i Milloshevicit, tha Kurti për AFP-në.

Por Vuçiçi ka një vështrim tjetër nga ai i Kurtit për dialogun dhe sidomos nga Qasaj e vetëvendosjes për të dialoguar fillimisht me serbët e Kosovës e pastaj me Beogradin. “ Nuk janë përfaqësues të serbëve të Kosovës ata që fitojnë 0.62 për qind apo 2-3 për qind, por ata që fitojnë 95 për qind. Kanë provuar në çdo mënyrë të instalonin serbët me të cilët duan të bisedojnë, nga Nenad Rashiqi e te Rada Trajkoviqi, por nuk u eci për dore. Mund të blini dikë, por nuk mund të blini 95 për qind të njerëzve. Mendojmë se dialogu është i rëndësishëm, mendojmë se bisedimet janë shumë të rëndësishme. Ata që mendojnë se bisedimet nuk janë të nevojshme e do të zgjidhin problemet e tyre në atë mënyrë, nuk kam asnjë problem me këtë. Të zgjidhin ata punët e tyre e ne do të zgjidhim punët tona”, ka thënë Vuçiq, ndërsa ka shtuar se për Serbinë situata është jashtëzakonisht e vështirë dhe thuajse e pashpresë.

Por ndryshe nga kjo largësi pesimiste, emisari i BE’së për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak ka thënë për European Western Balkans se pret që dialogu të rifillojë sapo të formohet Qeveria e Kosovës. “Duhet të ketë një vullnet nga të dy palët për të arritur atë marrëveshje. Nëse nuk ka vullnet, atëherë nuk ka marrëveshje. Por nëse nuk ka marrëveshje, atëherë nuk ka të ardhme evropiane”, është shprehur ai, duke shtuar se minimumi që Brukseli pret nga të dy palët është që ata të mos importojnë çështje të hapura në familjen Evropiane. “Kjo do të thotë që ju duhet të zgjidhni çështjet tuaja dypalëshe ose çështjet tuaja rajonale para se të bëheni anëtare. Kjo është arsyeja pse ne po flasim për normalizimin e marrëdhënieve”, ka thënë i dërguari Special i BE për dialogun Kosovë-Serbi.

©MekuliPress/ Ndaje artikullin me familjen dhe miqtë tuaj. MekuliPress mbetet e pandikuar nga partitë politike. FOTO: No copyright infringement is intended.