Presidenti i Serbisë, Aleksander Vuçiç, pas një takimi me këshilltarin e Departamentit Amerikan të Shtetit, Derek Chollet në Beograd, tha se pret që SHBA-ja të inkurajojë Kosovën që “të përmbushë obligimet e saj në përputhje me marrëveshjet e nënshkruara”.

“Shpreha pritjen që SHBA-ja të njohë përpjekjet e vendit tonë në ruajtjen e paqes dhe stabilitetit në rajon, si dhe të përdorë ndikimin e saj të padyshimtë dhe të inkurajojë Prishtinën që të përmbushë obligimet e saj në përputhje me marrëveshjet e nënshkruara, por edhe të vazhdojë dialog në frymën e shkëmbimit të sinqertë dhe të hapur të propozimeve për zgjidhjen e sfidave specifike”, shkroi Vuçiç në Instagram më 12 janar pasi postoi një fotografi të përbashkët me Cholletin.

Ai shtoi se ka pasur një “bisedë përmbajtësore dhe të hapur” me këshilltarin e Departamentit Amerikan të Shtetit.

Derek Chollet mbërriti në Beograd nga Prishtina më 12 janar.

Pas një drekë pune me presidentin e Serbisë, ai do të bisedojë ndaras me kryeministren, Ana Brnabiq dhe ministrin e Jashtëm, Ivica Daçiç.

Një nga temat e diskutimit është vazhdimi i dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, duke përfshirë edhe planin evropian për Kosovën.

Ai plan iu dorëzua autoriteteve në Prishtinë dhe Beograd në fund të verës dhe mbështetet nga Franca, Gjermania dhe SHBA-ja.

Në tekstin e planit, në të cilin Radio Evropa e Lirë kishte qasje, thuhet se palët janë të vetëdijshme se pacenueshmëria e kufijve dhe integritetit territorial dhe sovranitetit dhe mbrojtja e pakicave kombëtare janë kushtet themelore për paqen.

Ai gjithashtu parasheh njohjen e simboleve shtetërore dhe një marrëveshje të veçantë për komunitetin serb në Kosovë.

Siç është bërë e ditur, Chollet me zyrtarët në Beograd do të diskutojë sigurinë energjetike, integrimin ekonomik rajonal, përparimin e Serbisë në rrugën evropiane dhe rolin e saj në forcimin e paqes dhe sigurisë rajonale.

Derek Chollet gjatë një bisede që bëri me gazetarët në Prishtinë më 11 dhjetor tha se “Kosova duhet të përmbushë të gjitha zotimet në kuadër të dialogut, përfshirë edhe formimin e Asociacionin e komunave me shumicë serbe” dhe se presin nga “Qeveria e Kosovës të vendosë disa propozime në tryezë”.

Ndërsa më 12 janar, Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, tha se çështja e themelimit të Asociacionit të komunave me shumicë serbe mund të adresohet brenda një marrëveshjeje eventuale për normalizimin e plotë të raporteve midis Kosovës dhe Serbisë.