Drejtori i Zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Marko Gjuriç, tha se në takimin e së enjtes në Bruksel me palën e Kosovës do të bisedohet për Asociacionin e komunave me shumicë serbe në Kosovë.

“Tema e parë në rendin e ditës nesër do të jetë Asociacioni i komunave me shumicë serbe. Së paku, për palën serbe”, shkroi Gjuriç në Twitter, duke iu përgjigjur një postimi të të dërguarit të posaçëm të BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak, i cili tha se të enjten do të bisedohet për pretendimet e ndërsjella financiare midis dy vendeve.

“Çështjet e pronës mund të jenë në rend dite po ashtu nesër. Kemi shumë për të thënë në lidhje me këto çështje (prona private, kishtare dhe shtetërore)”, shtoi Gjuriç, i cili udhëheq delegacionin e Serbisë në bisedimet me Kosovën në nivel ekspertësh.

Ju pëlqen!

Dy delegacionet e ekspertëve do të takohen të enjten në Bruksel për një rreth të ri bisedimesh.

Të mërkurën, kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti, tha se nesër nuk do të disktohet për Asociaionin e komunave me shumicë serbe.

Hoti dhe presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç, janë takuar më 7 shtator në Bruksel, ku është hapur edhe tema e asociacionit në fjalë.

Krijimi i këtij asociacioni është paraparë me Marrëveshjen e Brukselit të vitit 2013, të arritur në dialogun Kosovë-Serbi, por Gjykata Kushtetuese e Kosovës ka konstatuar se parimet për të nuk janë në përputhje me Kushtetutën e Kosovës, edhe pse ka thënë se ato mund të harmonizohen me një akt ligjor të Qeverisë së Kosovës.

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, paralajmëroi të mërkurën se “hapja e temave për të drejtat e komuniteteve dhe për Asociacionin e komunave serbe në dialogun e Brukselit është gabim i madh dhe shumë i rrezikshëm i Qeverisë së Kosovës”

Ndoshta ju pëlqen!/MekuliPress/ Ndaje artikullin me familjen dhe miqtë tuaj. MekuliPress mbetet e pandikuar nga partitë politike! FOTO: No copyright infringement is intended.