Marrëveshjet e arritura nga dialogu me Serbinë, janë të pamundura të rishikohen, por dialogu sipas zëvendëskryeministrit Haki Abazi duhet të vazhdojë me serbët që jetojnë në Kosovë.

Abazi ka thënë se serbët e Kosovës nuk duhet të lihen jashtë proceseve, ngase për të flasin institucionet.

“Nuk ka rishikim të marrëveshjeve, ne jemi të determinuar që të ndërtohet kohezioni social me të gjithë pjesëtarët e komuniteteve në Kosovë, nuk bënë përjashtim edhe çështja e bashkëbisedimeve dhe dialogut me grupin e minoritetit serb. Ata janë qytetarë të Kosovës dhe në asnjë forme nuk duhet të lihen jashtë proceseve, për ata flasin institucionet e Kosovës, sepse janë votues të Kosovës”.

“Kemi një proces i cili ka zgjatur dhe është stërzgjatur që dikush tjetër ka folur në emër të minoriteti serb. Ata sigurisht që kanë përfaqësues të tyre në Parlament, por kjo nuk do të thotë se nuk kanë organizime të tjera në kuptimin e shoqërisë civile dhe ky dialog duhet të vazhdojë edhe për të ardhmen”, ka thënë ai.

Kthim te rezoluta e 7 dhjetorit të vitit 2011, e paralajmëruar nga kryeministri Albin Kurti, për ta aplikuar reciprocitetin politik, ekonomik dhe tregtar me Serbinë, sipas Abazit është mëse e nevojshme pas heqjes së taksës.

“Ne duhet të respektojmë rezolutën e vitit 2011, reciprociteti është masë ose një sërë masash që përdoren në marrëdhëniet ndërkombëtare ndërmjet shteteve dhe ne duhet të veprojmë si shtet përbrenda raporteve që janë të definuar në marrëdhënie ndërkombëtare dhe do të përdorim të gjitha instrumentet që janë të pranuara në raportet ndërmjet shteteve të barabarta”.

“Reciprociteti e kthen raportin e Kosovës me Serbinë por edhe nëse do të jetë e nevojshme në të ardhmen me vendet e tjera përbrenda parametrave të njohura ndërkombëtarisht”, ka thënë ai.

Abazi është i bindur se kryeministri Kurti do të marrë vendime që e ruajnë sovranitetin dhe integritetin territorial të vendit.

“Përcaktimi për raportin me Serbinë janë përbrenda strategjisë gjithëpërfshirëse të dialogut e cila përfshinë masat e reciprocitetit, tani jemi duke folur për një proces i cili ka një të kaluar nga qeveritë e së kaluarës, poashtu ka edhe një nismë të re, në themelimin e institucioneve të reja të Bashkimit Evropian që kanë dalë nga zgjedhjet e fundit dhe në sigurisht që do të bashkëveprojmë në interes të Kosovës, në interes të kushtetutshmërisë, integritetit territorial sepse ne jemi të thirrur si institucione që të ruajmë sovranitetin dhe integritetin territorial të Kosovës”.

“Qeveria e Kosovës e udhëhequr nga kryeministri Kurti do të bëjë pikërisht ato që ne kemi si obligim kushtetues në gjithë Kosovën”, ka thënë Abazi.