Gëzim Mekuli

Gjashtë organizata profesionale në SHBA (ndër të tjera edhe shoqata e mjekëve të fëmijëve, shoqata e mjekëve të përgjithshëm, shoqata e psikologëve dhe ajo e psikiatrisë) hartuan një deklaratë të përbashkët, ku thuhej se ndikimi i dhunës televizive tek të rinjtë është shumë i madh.

Kjo deklaratë po kundërshtohet nga industria televizive dhe ajo e filmit, të cilat pohojnë se efekti i ndikimit negativ tek fëmijët është “shumë më i vogël”. Por, me ndihmën e metodave të reja statistikore, të ashtuquajtura studime metaanalitike, është e mundshme që të vërtetohet lidhja “dhunë në TV dhe dhunë në shoqëri”.

Ç’thonë faktet?

Duke krahasuar lidhshmëritë mes dhunës në TV dhe agresivitetit që ajo ngulitë në sjelljet e fëmijëve, del në pah se:

1. Lidhshmëria mes agresivitetit dhe dhunës në film është po aq e lartë, sikurse lidhshmëria mes pirjes së duhanit dhe kancerit të mushkërive.

2. Është më e lartë se sa mungesa e përdorimit të kondomit në bartjen e HIV-it.

3. Është më e lartë se lidhshmëria që ekziston mes pirjes pasive të duhanit në punë dhe kancerit në mushkëri. Shumica e njerëzve nuk dyshojnë më për lidhjen e drejtpërdrejtë mes duhanit dhe kancerit. Përderisa dhunës së filmit dhe TV-së nuk i kushtohet vëmendja e duhur. Ka të ngjarë, siç shkruajnë edhe hartuesit e raportit, që njerëzit nuk i kuptojnë aq lehtë proceset psikologjike sa i kuptojnë ato fiziologjike.

Në fillim të viteve ‘50 industrialistët e pasur të duhanit mohonin gjithnjë (dhe përkrahnin hulumtuesit që ishin kundër kësaj teze) se është e vërtetuar shkencërisht se duhani shkakton kancerin. Kështu ndodh edhe sot me industrinë argëtuese mediale.

Bushmani dhe Andersoni argumentojnë se një për qind e shikuesve bëhen më agresivë pasi që kanë parë një program televiziv me përmbajtje dhune. Kjo do të thotë se po që se 10 milionë qytetarë në SHBA ndjekin një program televiziv me dhunë, 100000 persona bëhen më agresivë.
Po qe se një film me përmbajtje dhune shfaqet në televizion dhe ndiqet prej 400000 shikuesve, atëherë, sipas këtij hulumtimi, 4000 shikues bëhen më agresivë në jetën e tyre të përditshme.

Interesa të mëdha ekonomike ekzistojnë në skenën e mediave, por redaktorët dhe gazetarët do të duhej të riktheheshin në idealin dhe etikën e gazetarisë dhe të thonë dhe të mbrojnë të vërtetën shkencore mbi dhunën në media dhe ndikimin e saj në opinion, veçanërisht tek fëmijët.

Fëmijët dhe lajmet televizive

Si e konstruktojnë fëmijët shprehjen solidaritet? Në ç’mënyrë e identifikojnë ata veten e tyre me situatën e viktimës? Kur fillojnë fëmijët të kuptojnë se një fotografi është “realitet” e tjetra “fantazi”?

Te ne njohuritë pedagogjike për lajmin në TV janë relativisht të varfra. Në anën tjetër, ne shohim se si lajmet “e këqija” dhe ”të forta” po marrin kreun e vendit në media. Lufta mbi terrorin, vjedhjet e armatosura, katastrofat e natyrës, vrasjet për motive të dobëta etj. janë ndodhi me të cilat fëmijët dhe të rinjtë po përballen çdo ditë. Transmetuesit e lajmit shqiptar emetojnë fotografi të tmerrshme dhe rrëqethëse (fëmijë palestinezë që vriten në krah të prindërve, fotografi të njerëzve që në panik lëshohen nga katet e larta të ndërtesave drejt vdekjes, fëmijë me sy të përlotur e barkshterur).

Po, fotografia e lajmit televiziv është ”e fortë”.

Në këtë luftë komerciale për të përfituar gjithnjë e më shumë shikues për shkak të shitjeve të reklamave, televizioni parapëlqen elemente të shpejta apo efekte të fuqishme dhe ndikuese. Kjo bën që fotografia e lajmit televiziv të jetë e karakterizuar nga dhuna, nga shpejtësia, nga emocionet dhe nga sensacioni. Jo rrallë, fëmija përdoret si rekuizitë e lajmit. Pamje të fëmijëve të uritur, e duke qarë, përdoren si ilustrim për shqetësimin, vuajtjen dhe tragjedinë e një shoqërie. Fëmijët e varfër, e të sëmurë, po përdoren edhe nga partitë politike para fushatave, gjatë fushatave e pas fushatave.
Për lajmin televiziv fëmijët konsiderohen si viktimat më të çmuara për të zgjuar emocion e patos te shikuesi.
Shtrohet pyetja: Si e përjetojnë fëmijët dhunën autentike përmes lajmit televiziv? Çfarë fotografie ndërtojnë fëmijët dhe nxënësit për botën nga lajmi televiziv?

Disa rezultate të hulumtimeve mbi dhunën televizive dhe fëmijët:

• Fëmijët nuk kanë mundësi të përdallojnë kufirin mes fantazisë dhe realitetit.
• Fëmijët (mes moshës 9 dhe 13 vjeç), në një shkallë të madhe, mund të përdallojnë dhunën e vërtetë nga ajo fiktive.
• Fëmijët që kuptojnë se dhuna nuk është reale, ajo ka ndikim të vogël, ndërsa tek fëmijët në perspektivë të gjatë, lajmet e forta e me dhunë të vërtetë kanë ndikim shumë të madh dhe janë të rrezikshme për shëndetin psiqik të fëmiut.
• Dhuna “e butë” në filmat vizatimorë nuk ka ndikim të madh, sepse fëmijët kuptojnë se dhuna nuk është e vërtetë.

Shumë hulumtues të mediave paralajmërojnë se do këtë pasoja negative për fëmijët në qoftë se as qerdhja, as shkolla e as prindërit nuk kanë njohuri e aftësi të mjaftueshme për t’ua sqaruar fëmijëve fenomenin “lajm” dhe ndërtimin e tij. Frika, injorimi, mërzia dhe depresioni janë përgjigje e zakonshme të fëmjëve ndaj lajmit me fotografi ”të forta”.

Shumë hulumtues këshillojnë gjithashtu se fotografitë “e forta”, të paraqitura në lajmet televizive, mund të reflektojnë tek të rinjtë një bindje të pashpresë e të mbrapshtë të botës dhe të shoqërisë ku ata jetojnë. Po ashtu, afërsia gjeografike e dhunës ka një reagim e ndikim mjaft negativ tek fëmijët. Këta e ndiejnë veten të pasigurt, sepse dhuna përjetohet si diçka që ndodh në afërsi të tyre dhe se herën tjetër kjo e keqe mund të përsëritet edhe ndaj tyre. Sipas hulumtuesit norvegjez Raundalen, shumë të rinjë, në këtë mënyrë, e përjetojnë ardhmëninë si kërcënuese dhe problematike. Dhe kjo panikë sociale vie edhe në saje të lajmit që transmetohet nga TV-ja.

Shtrohet pyetja se sa janë të mbrojtur fëmijët shqiptarë nga lajmi i fortë televiziv?
Trajtesë e botuar në vitin 2001 – /www.mekuliPress.com/ Shpërndaje dhe Pëlqeje MekuliPress

VINI RE! Gazetaria jonë mbetet e pandikuar nga politikanët e nga milionerët. Këta nuk e kontrollojnë e as nuk e financojnë gazetarinë tonë kritike. Ndihmoje sot MekuliPress - Mbështete median e pavarur