Video/ Momentet e dhunimit të ish-këshilltarit të Presidentit shqiptar, Petraq Milo në kufi me Malin e Zi

 

Filmimet nuk lënë asnjë dyshim. Ndaj pedagogut Petraq Milo u ushtrua dhunë shtazore nga policia malazeze.

Ju pëlqen!

Në video ai duket që shmang provokimet ndaj policisë, madje ngre duart lart duke u shfaqur krejtësisht i dorëzuar. Sërish vazhdon të dhunohet nga policët, që e godasin në fytyrë dhe tentojnë ta nxjerrin zvarrë nga mjeti.

Reagimi i shtetit malazez qe i vonuar. Ka kaluar një muaj nga ngjarja. Vetëm pas pamjeve shqetësuese në mediat malazeze, prokuroria e Ulqinit urdhëroi arrestimin e policëve Nikolla Boljeviç dhe Dragan Shqekiç.

Tirana zyrtare nuk pati asnjë reagim, as në datën 15 Janar kur ndodhi ngjarja dhe as tani që dolën videot e reja të dhunës.

Madje në 27 Shkurt, qeveria shqiptare dhe ajo malazeze do ulen bashkë në një mbledhje spektakli rutinë, për të folur për marrëveshje dhe bashkëpunim.

Në këtë situatë, irritimin e shton një reagim i kryeministrit të Malit të Zi, Dritan Abazoviç që për çudi i ka dalë në mbrojtje dy policëve.

Lexo po ashtu:  Raca shqiptare më e bukura në botë

Kështu, në vend se ta dënojë rrahjen e qytetarit shqiptar, kreu i qeverisë malazeze justifikon policët kur thotë “Nuk është se dikush e ka vënë në shënjestër dikë dhe e ka nxjerrë thjesht nga makina. Dikush duhet të ketë bërë shkelje. Nuk janë respektuar rregullat e komunikacionit dhe radhët” ka thënë ai.

Pra, arsyetimi i Abazoviçit është se policët duhet ta kenë pasur një shkak për rrahjen që i bënë shtetasit shqiptar, pra se rrahja nuk erdhi nga hiçi. Në fakt, ky shkak ishte një sinjal që policët malazezë i bënë Petraq Milos për të hapur krahun sepse do të kalonte një delegacion, por ai nuk e kishte kuptuar.

Abazoviçi shkon më tej dhe e relativizon skandalin duke thënë se shpërndarja e videove në këtë kohë lidhet me zgjedhjet presidenciale në Mal të Zi, që pritet të mbahen muajin e ardhshëm.
Një reagim i tillë për rrahjen e një qytetari shqiptar, vjen nga një kryeministër që kur u zgjodh në detyrë mori urimet nga Shqipëria si kryeministri i tretë shqiptar në Ballkan.

Lexo po ashtu:  Ish-ministri i Jashtëm rus: Ja tre gabimet e Putinit

Në fakt, Abazoviç ka shfaqur një fytyrë krejt ndryshe.

Ai do të mbahet mend si kryeministri që ktheu pozitat e kishës serbe në Malin e Zi, përmes një vendimi të kundërshtuar fort nga malazezët. Abazoviç është po ashtu në anën e serbëve për Ballkanin e Hapur, një ide që kundërshtari i tij Gjukanoviç e ka quajtur të rrezikshme për Malin e Zi.

Ndërsa sot (22 Shkurt) me mbrojtjen që i ka bërë huliganëve të veshur me uniforma policie, Abazoviç i ka qëndruar besnik një profili politik që më shumë se Dritanit, i shkon për shtat një Dragani, emri i policit të arrestuar në Malin e Zi.

MekuliPress është në prag të mbylljes. Kemi shumë nevojë për mbështetjen tënde, i dashur lexues. NDIHMO sot median e pavarur dhe origjinalitetin e MekuliPress. Dhuro SOT, të paktën, edhe 1 Euro! Faleminderit!