Kushtuar 2000 dëshmorëve të atdheut të rënë në Tarabosh, Shkodër e rrethinat e saj si dhe veçanërisht të rënëve të Gramshit Isa Hymet Bici, Jashar Vrekë Bici, Laze Mehmet Xhangoli nga Shënepremte/Lenie dhe Cane Dylber Përfundi nga Grabova e Poshtme, të cilët kanë rënë në mbrojtje të trojeve shqiptare në malin e Taraboshit në Shkodër në nëntor-dhjetor 1912 vetëm disa ditë pas shpalljes së pavarësisë shqiptare; si dhe dëshmorëve Tele Selim Bujku, Arif Sali Toska, Zyber Mehmet Rabo, Pasho Laze Braho, Hasan Dule Avdiu, Nexhip Rexhep Salla, Ibrahim Rushit Dollani, Sulejman Sadush Shaipi, Sulejman Çela, Bilal Bajrami dhe Seran Murati që kanë rënë në shkurt marsin e vitit 1913 në luftimet e zhvilluara në zonën e Malësisë së Madhe dhe të evidentuar nga Kryesia e Organizatës së dëshmorëve të Gramshit…

Prof. Asoc. Dr. Zaho Golemi

Ju pëlqen!

Lufta për mbrojtjen e Shkodrës është zhvilluar nga 19 tetor 1912 deri më 22 prill 1913, në një nga trevat ku përballja luftarake ka qenë e gjatë e përgjakshme, heroike dhe që në fakt u mbyll pa lavdi por me tradhëti nga Brenda. Lufta e shkodrës ka qenë luftë madhore e shqiptarëve vullnetarë, që për kohën quheshin “vetëdashës” duke përfshirë edhe një divizion të trupave osmane që kryesohej nga Hasan Riza Pasha kundër shovinistëve malazezë që donin të aneksonin Shqipërinë Veriore. Trupat malazeze ishin pjesë e një mbretërie të vogël por me mbështetje të madhe sllave. Ato kishin një epërsi të madhe në njerëz, armatim e municione, topa të kalibrit të rëndë si dhe materiale të tjera mbështetëse ushtarake. Luftimet më të rëndësishme u zhvilluan në malin e Taraboshit, në kodrat e Beltojës, Bërdicës, e Bardhonjorëve. Në këto luftime ushtritë malazeze lanë rreth tetëmbëdhjetëmijë të vrarë, ndërsa forcat mbrojtëse patën rreth dymijë të vrarë dhe rreth dymijëepesëqind të plagosur. Megjithatë, për shkak të qëndrimit tradhtar të komandantit të forcave shqiptare Esat Toptani, forcat armike hynë në qytet dhe e pushtuan Shkodrën më 22.4.1913. Ka qenë një dorëzim i çelësave të qytetit të Shkodrës në mënyrë të pabesë si dhe një tradhëti e hapur e gjakut të derdhur të dëshmorëve. I vetmi “përfitim” i shqiptarëve ishte që të dilnin nga Shkodra me armatimin e tyre personal të pangacmuar nga ushtarët malazezë. Edhe pas pushtimit të përkohshëm, vazhdoi qëndresa kundër pushtuesve që ishte një konflikt i përgjakshëm për jetë a vdekje. Historiografia shqiptare me të drejtë e ka cilësuar luftën për mbrojtjen e Shkodrës, 1912-1913, si “një ndër luftrat më të gjata, më të përgjakshme e më të vështira të popullit shqiptar për sigurinë e tërësisë tokësore. Lufta e Shkodrës ka qenë tërësisht një luftë moderne dhe e mirorganizuar, një luftë në rrethim gjashtëmujor serbo-malazez, që përbën rastin më unikal të qëndresës heroike të shqiptarëve në Luftën e Parë Ballkanike e më gjerë”. Erdhi viti 1914 dhe Shqipëria u bë shesh lufte. 250 mijë ushtarë shkelën tokën arbërore nga 8 ushtri italiane, greke, serbe, malazeze, bullgare, franceze, austro-hungareze. Gjaku i djemve shqiptarë që luftuan në Shkodër shkoi kot. Por edhe tipet e shteteve që erdhën dhe ikën nuk u kujtuan ose “harruan” burrërinë shqiptare që kacafitej me çdo pushtues në veri dhe në jug, në lindje dhe në perëndim për të mbrojtur truallin që të parët jua kishin lënë si trashëgimi dhe si amanet të brezave. Vetëm Gramshi dhe rrithinat e fshatrave përreth luftuan trimërisht duke lënë pesëmbëdhjetë të vrarë në front dhe rreth njëzetë të plagosur.

Zëri kushtrim i të parëve edhe në Gramsh si në të gjithë Shqipërinë

Gramshi dhe fshatrat e saj nuk i harroi kurrë bijtë e vet që gjakun e derdhën betejave të historisë shqiptare. Bijtë që rrëmbyen armët për ta pritur hasmin me pushkë ishin të shumtë. Ata u përbashkuan me çetën e Elbasanit dhe së bashku luftuan në frontin ku ishte zëri i Atdheut. Me sy e veshë nga zhvillimet në Shkodër ishin të gjithë qeveria e përkohshme e Vlorës e sapokrijuar e drejtuar nga plaku i bardhë i flamurit Ismail Qemal Bej Vlora; me sy e veshë nga Shkodra ishte Labëria, Çamëria, Skrapari e Korça, Luma dhe Mirdita, Malësitë e Tiranës, Berati e Gjirokastra, Elbasani e Gramshi, e gjithë Shqipëria. Përgatitjet e ethshme për luftë të ushtrisë së Mbretërisë së Malit të Zi, u ndihmuan edhe nga trupat aleate serbe, që rrethuan Shkodrën. Kishte ardhur një moment dhe rast i volitshëm por shqiptarët nuk ditën ta shfrytëzonin atë. Liga Ballkanike, e përbërë nga Serbia, Mali i Zi, Greqia e Bullgaria i kishin shpallur luftë Perandorisë Osmane. Në emër të luftës kundër osmanëve, Mbreti i Malit të Zi, Krajl Nikolla, mund të bënte realitet një ëndërr të vjetër, të zgjeronte territoret e mbretërisë duke pushtuar qytetin e Shkodrës bashkë me rrethinat. Por Osmanët të mbështetur nga vullnetarët shqiptarë nuk donin ta lëshonin qendrën historike të vilajetit shqiptar. Për këtë grumbullojnë forca të shumta, logjistikë e rezerva për rezistencë luftarake të gjatë. Edhe djemtë e Gramshit erdhën vullnetarë në Shkodër. Predhat e topave malazezë ranë mbi Shkodër, rrethinat e saj dhe mbi luftëtarët mbrojtës. Përleshjet midis malazezëve e serbëve, nga njëra anë, dhe mbrojtësve turq e shqiptarë, nga ana tjetër, do të vazhdonin për më shumë se pesë muaj. Luftimet në terren janë të njohura, që janë të dokumentuara edhe nga konsujt e huaj që ishin të atashuar në Shkodër dhe që kanë mbajtur ditar për tmerret e kësaj lufte të pabarabartë. Të mbijetuarit përveç luftës duronin edhe betejën e përditshme për t’u siguruar një kore buke apo një grusht miell fëmijëve, që nisën të vdisnin nga uria. Një kalvar i tmerrshëm dhe ekstrem plot vuajtje e banorëve myslimanë e të krishterë të Shkodrës. Por nga ana tjetër luftëtarët shqiptarë e osmanë bashkë në një xhephane lufte përballonin luftën, urinë, të ftohtin si dhe shokët e rënë dhe të varrosur direkt në llogore, sikurse janë mbuluar me dheun e lehtë të tokës mëmë edhe pesëmbëdhjetë bij të Gramshit dhe fshatrave përreth.

Të rënët për atdhe – përjetësisht në kujtesë të kombit

Janë lumenj gjaku, janë sakrifica të panumërta, janë jetë të humbura, janë dhimbje e lot nënash shamizeza, që nuk rreshti loti në faqe, sikurse loti në trupin e drobitur të hallemadhes shqipëri nuk rreshti. Toka në Tarabosh, në Malësi të Madhe e kudo në Shkodër u mbrujt me gjak dëshmori, me gjakun e atyre që ende nuk kanë gjetur qetësi dhe nuk kanë marrë vlerën që ju takon minimalja e minimaleve vlerësimin me titullin e lartë të dëshmorit. Nderimi me titullin “dëshmor”, në radhë të parë është nderim për historinë e shtetit dhe të institucioneve të tij, që me aq mund e sakrifica u ngritën më 1912-ën, që fuqitë e madha aprovuan kufijtë e sotëm shqiptar në korrik të vitit 1913 në Konferencën e Ambasadorëve në Londër, dhe sërish në Londër dy vjet më vonë përsëri miratuan një traktat të fshehtë për coptimin e Shqipërisë dhe shqiptarëve. Por gjaku nuk mund të bëhet ujë. Prandaj bazuar në dokumentacionin e shumtë të zonës së Gramshit dhe jo vetëm që është mjaft i e vërtetues, por mbështetur juridikisht në Ligjin e ri nr. 109/2018, datë 20.12.2018, “Për statusin e Dëshmorit të Atdheut”, nenin 5 “Kriteret për shpalljen ose njohjen e statusit “Dëshmor i Atdheut” pika “b)” shtetasit shqiptarë e të huaj, të cilët kanë rënë në luftë për mbrojtjen e integritetit territorial, të lirisë e pavarësisë së Shqipërisë, si dhe për arsye të kundërshtimit të pushtimit të trojeve shqiptare nga ushtritë e huaja dhe të qëllimeve shoviniste të tyre, nga data 28 nëntor 1912 deri më 7 prill 1939; si dhe pika “c)” “shtetasit shqiptarë, të cilët kanë humbur jetën në mbrojtje të vlerave kombëtare epatriotike të kombit shqiptar para datës 7 prill 1939”, gjykojmë që pesëmbëdhjetë të rënët e Gramshit dhe zonave përreth të mundësohet shpallja e tyre “Dëshmor i Atdheut” dhe më konkretisht: Isa Hymet Bici i lindur më 1885 në Shënepremte/Lenie dhe rënë më 30.11.1912 në Tarabosh të Shkodrës, në moshën 27 vjeçare; Jashar Zerkë Bici, i lindur më 1884 në Shënepremte/Lenie dhe rënë më 30.11.1912 Tarabosh, në moshën 28 vjeçare; Laze Mehmet Xhangoli i lindur më 1885 në Shënepremte/Lenie dhe rënë më 1.12.1912 në Tarabosh, në moshën 27 vjeçare; Cane Dylber Përfundi i lindur më 1882 nga Grabova e Poshtme dhe rënë më 3.12.1912 në Tarabosh të Shkodrës, në moshën 30 vjeçare, që të katërt i përkasin të rënëve të vitit të pavarësisë të 1912-ës. Në luftimet e ashpra për Shkodrën dhe trevat e saj përreth luftuan dhe ranë për atdhe edhe djem të tjerë të Gramshit dhe rrethinave të saj sikurse janë: Tele Selim Bujku i lindur më 1884 në Bulçari të Gramshitë dhe që ra mars 1913 në moshën 29 vjeçare; Arif Sali Toska i lindur më 1887 në Zamsh dhe rënë në mars 1913 në moshën 26 vjeçare; Sulejman Çela i lindur më 1885 në Gramsh fshat dhe që ka rënë mars 1913 në moshën 28 vjeçare; Zyber Mehmet Rabo i lindur më 1885 në fshatin Drizë dhe rënë për atdhe në mars 1913, në moshën 28 vjeçare; Pasho Laze Braho i lindur më 1889 në fshatin Tunjë dhe që ka rënë në mars 1913 në moshën 24 vjeçare; Hasan Dule Avdiu i lindur më 1889 në Lubinjë dhe që ka rënë mars 1913 në moshën 24 vjeçare; Nexhip Rexhep Salla i lindur më 1889 në Lubinjë dhe që ka rënë në mars 1913 në moshën 24 vjeçare; Bilal Bajrami i lindur më 1886 në fshatin Sult dhe që ka rënë në mars 1913 në moshën 27 vjeçare; Seran Murati i lindur më 1888 në fshatin Sult dhe që ka rënë në mars 1913 në moshën 25 vjeçare; Ibrahim Rushit Dollani i lindur më 1883 në Jançë dhe ka rënë mars 1913 në moshën 30 vjeçare; Sulejman Sadush Shaipi i lindur më 1887 në fshatin Dufshan dhe ka rënë në mars 1913 në moshën 26 vjeçare. Thënia proverbial, por profetike shkodrane se kush ka ra për Atdhe nuk ka vdekun por ka le” është materializuar në një ndër luftrat më vitale dhe më të gjata të shqiptarëve sikurse ka qenë mbrojtja e Shkodrës në një ndër momentet me decisive kur në Londër diskutohej që të vendosej fati i kufijvë administrativë shtetërorë shqiptarë, që shumica e “miqve”, që në fakt ishin armiq të shqiptarëve e donin Shkodrën jashtë Shqipërisë, të papërfshirë në ndarjen administrative të 29 korrikut 1913. Por fitoi variant austro-hungarez dhe Shkodra ngeli shqiptare dhe Gjakova jashtë trojeve shqiptare por mbrekullisht shpëtoi nga UÇK-ja dhe ndërhyrja e NATO-s më 1999. Kjo ishte rruga që shtruan me gjak dëshmorët e të gjitha kohrave, ku mosha mesatare e dëshmorëve ishte rreth 26 vjeç. Kjo ishte rruga e bindjes përmes gjakut për lirinë edhe për Fuqitë e Mëdha të kombeve, që ora e interest ka prevaluar mbi të drejtën e kombeve të vegjël.

Djemtë e Gramshit, pjesë e ndërgjegjes kombëtare të shqiptarëve

Gramshi dhe djemtë e saj provuan edhe një herë menjëherë pas shpalljes së pavarësisë se janë pjesë thelbësore e ndërgjegjes kombëtare të shqiptarëve me mençurinë dhe trimërinë e treguar në mbrojtjen e çdo pëllembe tokë të trashëgimisë së të parëve. Edhe djemtë e tjerë luftëtarë të kësaj treve u përbashkuan me idealin e luftëtarëve për mbrojtjen e tokës arbërore në kufijtë e saj të Shkodrës që për Fuqitë e Mëdha ishin kufijtë shqiptarë e ndërkohë që vetë luftëtarët në front e dinin mirë se kufijtë shqiptarë të 1912-tës ishin kujfijtë e katër vilajeteve shqiptare që ishin shkëputur tashmë nga Perandoria Osmane që po shkërmoqej gjithënjë e më shumë dhe nuk po mundej të mbante nderin e saj gjashtëqindvjeçar si sullltanat dhe jo më të ishte e zonja që të mbronte tokat e shqiptarëve që me luftrat ballkanike kishin dalë në “ankand”. Vetë shqiptarët po luftonin trimërisht në të gjitha frontet në veri dhe në jug të shqipërisë për të mos lejuar që trungu mëmë të sakatohej nga Fuqitë e Mëdha por edhe nga mbretëritë ballkanike të Greqisë, Malit të Zi, Serbisë dhe Bullgarisë që kishin drejtuar tehun e veprimeve për të përfituar nga largimi dhe disfatat e njëpasnjëshme të osmanëve në hapësirat shqiptare ku ishin shtrirë dhe “kishin shirë” për një kohë të gjatë. Po sjellim një fakt se ku e ka burimin e hapur lakmia malazeze: Në vitin 1905 Kraj Nikolla i Malit të Zi takon Sulltan Hamitin dhe ai i kërkoi Sulltanit që t’i lëshojë pak vend në Tarabosh sa një lëkurë bualli”. Sulltani e priti kërkesën me mospërfillje se “nuk do t’i jepte ndonjë gjë të madhe, vec një copëz shkëmb e gur taraboshi”. Në takim ishte edhe Ramazan Bega nga Oblika e Anës së Malit, i cili ndërhyn dhe i thotë: “Naltmadhëni njikëtu xen vend”. Sulltani në të tijën: “Një copë shkëmb po i jap”. Shqiptari i thotë: “Asht celës për Shkodrën, shuhet emni dhe s’ka më kala”. Jo më kot kërkonte që më 1905 Krajli i Malazezëve “nji copë shkëmb”, se prej andej niste sulmi përmbi Shkodër, sepse ushtarakisht dhe strategjikisht kush zotëronte Taraboshin zotëronte Shkodrën. Shkodra do të mbrohej nga dy vija mbrojtëse kryesorja ishin shpatet e malit të Taraboshit Kodrat e Bërdicës, Vukatanë si dhe vija e dytë Kodrat e Tepesë, Bardhaj, bregu i lumit të Kirit, Golem Dobrac etj. Betimi i luftëtarëve në Shkodër sikurse edhe luftëtarëve të Gramshit ishte domethënës: “Shja do të hysh në Shkodër kur këmbët tuaja të shkelin mbi shpinat tona”. Nga të dhënat e degës së dëshmnorëve të Gramshit evidentojmë se: “Djemtë e çetës së Elbasanit dhe Gramshit ishin të përbashkuar në luftimet për Shkodrën nën komandën e rreshterit Mehmet Hasan Hasa. Nga Shënepremtja ishin 13 luftëtarë ndërsa nga Grabova ishin 6 luftëtarë, ku ngelën përjetësisht në memorie të kombit katër dëshmorë dhe që të gjithë i përkasin të dy fshatrave ose sikurse thirrej fshati i madh i bashkuar i Shënepremtes.

Gjaku që u derdh në themele të lirisë në Shkodër

Shumë djem të Gramshit u aktivizuan me çetën e kapedan Mahmut Xhelili dhe në fakt kanë shkruar faqe heroizmi dhe kanë treguar atdhetari të lartë. Këta luftëtarë dhe të tjerë pas tyre katuan “brumin” atdhetar të vazhdimësisë. Prandaj të sprovuar në beteja gramshiotët e treguan veten edhe në Shkodër, në Tarabosh dhe në Malsinë e madhe që me vitalitetin dhe energjinë e shqiptarit të vendosur i thanë “ndal!” dhe “jo” pushtimit, deri sa Shkodra ra vetëm me tradhëti se nuk kishte asnjë lloj mënyre tjetër të mundshme të rënies. Luftëtarë redifë gramshiotë, që luftuan trimërisht në Shkodër ishin të shumtë si: Isa Hymet Bici, Jashar Vrekë Bici, Laze Mehmet Xhangoli, Cane Dylber Përfundi, Çerçiz Ajazi, Mustë Çekrezi, Sheme Çekrezi, Kame Çekrezi, Bido Çekrezi, Dape Çekrezi, Sulejman Çela, Mahmut Çela, Baze Çela, Mustafa Blogu, Musa Xhaferi, Musa Liçi, Bajram Liçi, Halim Liçi, Dalip Liçi, Xhemal Liçi, Cane Sejdini, Ramo Hida, Jaçe Brahimi, File Dervishi, Shahin Mema, Mete Mema, Mustë Llapushi, Hiqmet Llapushi, Xhelal Koçi, Arif Sali Toska, Pasho Laze Braho, Myslim Koçi, Selman Koçi, Mustafa Plaku, Qamil Elezi, Zyber Mehmet Rabo, Hasan Dule Avdiu, Nexhip Rexhep Salla, Ibrahim Rushit Dollani, Sulejman Sadush Shaipi, Kame Kotorri, Nebi Kotorri, Tele Selim Bujku, Dape Hazisi, Çaush Daja, Bilal Bajrami, Seran Murati, Pelivan Daja…etj. Por gramshiotët që u sosën të gjallë pas lufte sollën me vete tmerret e luftës dhe historinë se si i varrosën shokët e rënë dëshmorë për Shkodrën atje “ku i zuri balta”, një zakon i trashëguar për luftëtarët që vriteshin në të gjitha anët e katër vilajeteve shqiptare në pamundësi të transportimit të trupave të tyre. Të gjallët gramshiotë sollën njëherazi edhe një këngë që vërtetonte tradhëtinë e Esat Toptanit: “…Karadaku brigje-brigje,/digje Esat Pasha digje,/ Nuk e djeg se është i vogël,/do ta lë sa të vijë në Shkodër…”. Ismail Qemali e quajti këtë tradhëti: “atentat kundër shqiptarëve dhe pavarësisë së tyre”! Për trimat gramshiotë për dëshmorët e saj kënga nuk u shua kurrë. Kështu teksti i Abedin Bicit edhe sot dhe përgjithmonë vijon të jetë aktual për të rënët në Shkodër për Shqipërinë: “…Këmbdojmë për Lazen, Jasharin, Canen e Isanë,/Që jetën për mbrojtjen e Shkodrës e dhanë,/lule more djem që ratë për Atdhe…”.

Të vërtetat e luftës/rrethimit të Shkodrës

Dëshmorët e Gramshit dhe gjithë Shqipërisë janë krenari e gjithë kombit shqiptar!

Djemtë luftëtarë të Gramshit dhe Elbasanit nuk dinin shumë gjera që lidheshin me luftën e vecanërisht me prapavijat e saj diplomatike e konjuturat e kohës. Por një gjë e dinin mirë: Të mbronin tokën e vet të shenjtë. Në pranverë të 1912-ës, u arrit marrëveshja serbo-bullgare, në të cilën hynë në aleancë dhe Mbretëria malezaze dhe Greke në një aleancë “antiosmane”. Për Shqipërinë dhe shqiptarët marrëveshja ishte një plan i ri pushtimi e copëtimi. Këta “aleatë” nuk vinin si çlirimtarë, por si pushtues. Serbët pushtuan Vardarin, Sanxhakun, Novi-Pazarin, Rrafshin e Dukagjinit dhe iu drejtuan Adriatikut. Grekët pushtuan Himarën dhe arritën në Qafë të Llogorasë. Malazesët sulmuan dhe rrethuan Shkodrën. Të njejtën synim kishin Rusia, Austria, Italia, dhe sllavët e jugut, që donin pushtetin e tyre deri në Adriatik. Krajl Nikolla e kushtëzonte ekzistencën e Malit të Zi me Shkodrën, që e “ëndërronte” si kryeqytetin e Malit të Zi. Malazezët sulmuan ushtrinë osmane para se të reagonin Fuqitë e Mëdha, e në radhë të parë Austro-Hungaria. Mali i Zi, pa ndonjë traditë luftarake, u fut në lutim drejt Shkodrës me 30 mijë trupa, më 8 tetor 1912. Lufta filloi e shoqëruar me një të shtënë me top në drejtim të Shkodrës, nga princi Mirko. “Kjo e shtënë sinjalizoi fillimin e luftës së Malit të Zi kundër Turqisë, por edhe atë të Luftës së Parë Ballkanike”. Brenda javës, armatat e ushtrisë serbe dhe të Malit të Zi, në “sinkron” të plotë, filluan të pushtojnë tokat e Shqipërisë së veriut, drejt Shkodrës. Situataën e rëndonin edhe disa malësorë të gënjyer e të paguar. Fakt është se në mbrojtjen e Shkodrës, kanë marrë pjesë 24 mijë forca të osmane, nën komandën e Hasan Riza Pashës të dislokuara në 5 rajone: Rajoni Shtoj, Bardhaj, Berdicë, Tarabosh, Tepe (që në turqisht do të thotë “kodër”. Në ndihmë të tij, nën drejtimin e Esat Pashës, rreth qytetit ishin vendosur më shumë se 15 mijë mbrojtës rezervistë (redifë) shqiptarë, të ardhur nga rrethet Lezhë, Dibër, Mirditë, Krujë, Tiranë, Shijak, Durrës, Kavajë, Elbasan, Gramsh, Peqin, Pukë dhe Shkodër rreth 5 mijë luftëtarë. Shtabnikët osmanë me Hasan Riza Pashën kishin parashikuar çdo gjë që duhej për mbrojtjen e Shkodrës, ku mbi të cilën u derdhën mijëra predha e tonelata me hekur e zjarr. Në dhjetor 1912 dhe janar 1913, mali i Taraboshit, kodrat e Beltojës, Berdicës dhe Bardhajve u bënë arenë luftimesh shumë të përgjakshme. Malin e Zi, mbështetej fort nga Serbia, që më 10.11.1912 kaloi në ofensivë dy divizione: “Shumadija” me 6500 trupa e “Drina 2” me 9219 trupa, të niseshin njëri nga Prizreni për në Durrës dhe tjetri nga Gjakova për në Shëngjin, për të pushtuar Shqipërinë. Këto njësi serbe ndeshën në qëndresën e shqiptarëve. Malazezët e Nikollës kishin shpallur se: “do të luftonin deri në fishekun e fundit për të marrë Shkodrën”, por që dështuan në të gjitha rastet që e provuan, përballë trupave osmane e shqiptare të përgatitura në fushën ushtarake, të armatimit e fortifikimit, duke treguar veprime energjike qëndrese të vendosura. Qindra shkodranë, burra dhe gra, punonin për prapavijën, në hapjen e llogoreve, vendosjen e telave me gjemba, mbledhjen e rezervave ushqimore dhe lëndëve djegëse, transportin e materialeve luftarake, hapjen e rrugëve të reja, transportin dhe mjekimin e të plagosurve, qepjen e veshjeve për luftëtarët e lirisë etj. Komanda osmane shqiptare kishte vendosur raporte të mira me parinë e qytetit dhe Shkodra u mbrojt në dy vija mbrojtëse: nga shpatet e Taraboshit, kodrat në Berdicë dhe Vukatanë, kurse e dyta nga kodrat e Tepesë, Bardhajt, bregu i Kirit, Golem, Dobraç etj. Artileria ishte vendosur në Tarabosh, Berdicë, Tepe, Bardhaj e Shtoj. Fortesa nr.1 e mbrojtjes së Shkodrës është mali i Taraboshit, kush mbronte Taraboshin, kishte në dorë Shkodrën dhe pikërisht në këtë kala të pakapërcyeshme ngelën përjetësisht atje katër dëshmorë të Gramshit. Luftimet për mbrojtjen ishin të lidhura me fortifikime të tipit fushor me vija e hendeklidhje, çka i dha siguri qëndresës së qytetit. Zonat më të sigurta ishin: Shtoji, Bardhaj, Taraboshi, Tepja, Berdica etj. Brenda garnizoni i Shkodrës ishte i mirëorganizuar me ndërlidhje, që nga centrali kryesor në kala, deri tek ato të rajoneve të mbrojtjes. Fillimisht në luftime nuk mungonin armatimi, ushqimet. Ndërkohë që më datën 3 dhjetor 1912 vendoset armëpushimi i parë, ku Nikolla urdhëroi ndërprerjen e luftimeve, por Hasan Riza Pasha u përgjigj se: “Tashmë Shkodra është një qytet shqiptar që nuk mund të marrë urdhra nga një komandë osmane dhe se qyteti dëshiron të mbrojë pavarësinë e vet, kundër malazezëve”. Shkodra mbrohej nën flamurin e saj shqiptar. Pashai osman deklaronte: “Shkodra mund të rezistojë edhe për gjashtë muaj të tjerë”. Pas dy ditës më 5.12.1912, malazezët ndërmorën sulmin masiv nga Bardhaj deri në breg të liqenit të Shkodrës, sulm që përfundoi në përleshje trup më trup, me thika, bajoneta, ndërkohë që xhephane e Shkodrësu bë tym e flakë nga zbrazja e pushkëve, mitralozave dhe topave. Kur zbardhi dita, në fushën e betejës kishin mbetur qindra malazezë të vrarë dhe të varur në tela, llogore dhe transhe. Fatin e luftimeve e vendosi artileria osmane, e cila sulmoi fuqishëm në të gjitha pozicionet. Shkodra qëndroi heroikisht në një rrethim më se të plotë; ndërkohë që betejat vijuan gjatë. Kronikanët shkruanin: “Qyteti i Shkodrës u mbrojt kryesisht nga shqiptarët…”, nga forca e moralit dhe gjaku i derdhur. Sipas Hasan Riza Pashës Shkodra për Turqinë ishte e humbur, deklaroi se krahas flamurit turk, duhej ngritur edhe flamuri shqiptar në kala, për të lidhur Shkodrën me qeverinë e Vlorës të Ismail Qemalit, duke i vënë serbo-malazezët para një fakti të kryer. Valiu dhe komandanti i trupave osmane mori mbështetjen e malësorëve shqiptarë, që e njihnin mirë “lojën” e Malit të Zi. Mbi këto luftime u njoftua edhe Vjena për planin e tij. Vrasja me tradhëti e Hasan Riza Pashës ishte vepër shqiptare në bashkëpunim me të huajt. Ai u vra në derën e shtëpisë së tij, sepse ishte oficeri më i kompletuar dhe më inteligjent, si dhe një komandant i madh i shtabit osman, që e deshi Shqipërinë dhe flamurin e saj. Para se të ndërronte jetë, u tha oficerëve pranë tij: “Betohuni se do ta ruani Shkodrën deri në vdekje”. Ministri i Luftës, Mehmet Dërralla për vrasjen e Hasan Riza Pashës tha: “…na e vranë në të pabesë një hero të madh”, një njeri akademik që luftoi për shqiptarët në momentet më kritike. Më 2 shkurt 1913, Krajl Nikolla, kërkoi armëpushim, edhe pse lufta e Malit të Zi dhe Serbisë mbi Berdicë dhe Bardhaj, përfundoi në një kasaphanë të vërtetë, pasi ata u goditën rëndë duke lënë në fushën e betejës mbi 2500 ushtarë. Më 10 prill 1913, kryeministri serb Pashiç urdhëroi forcat serbe të linin rrethimin e Shkodrës. Pas 6 muajsh të një mbrojtjeje heroike të Shkodrës, u tha se “mbaruan ushqimet!” për forcat osmane dhe popullsinë civile, Esat Pasha i kërkoi komandës malazeze për të vendosur kushtet e dorëzimit të kalasë. Më 23 prill 1913, ai nënshkroi marrëveshjen e dorëzimit të Shkodrës. Shkodra u tradhtua pa marrë parasysh faktorin ushtarak të qëndresës, sepse Mali i Zi e kishte të pamundur pushtimin me armë të Shkodrës përballë shqiptarëve dhe osmanëve superiorë në qëndresën historike, që i mundën armiqtë e tyre, duke lënë mijëra të vrarë në fushëbetejë, një fakt i pranuar dhe nga serbo-malazezët, Shkodranët nuk pranuan që të dorëzohej qyteti i tyre. U harrua amaneti i fundit të Hasan Riza Pashës, i këtij dëshmori dhe heroi të qëndresës, që ishte po aq dëshmor dhe hero se dhe cdo shqiptar që gjakun e derdhën për tokën shqiptare, sikurse ishin edhe 15 dëshmorët e Gramshit. Dorëzimi i pabesë i Shkodrës ishte “…atentat kundër pavarësisë së Shqipërisë”. Ndërsa Medi Frashëri do shprehej: “Esati është maçoku i zi i Shqipërisë”, çka dënonte ashpër aktin e tradhëtisë. Megjithëse faktori ndërkombëtar, e veçanërisht Austro-Hungaria, e kishin dhënë verdiktin e vet, që Shkodra t’i mbetej shtetit shqiptar, kishin dërguar edhe Flotën e tyre Luftarake në brigjet e Adriatikut. Më 4 maj 1913, Nikolla deklaroi: “Duhet të tërhiqemi”, e më 9 maj 1913, ai nënshkroi marrëveshjen e ridorëzimit të Shkodrës, sepse administrimi i qytetit i kaloi Komisionit Ushtarak Ndërkombëtar të Kontrollit (KNK-së). Më 14 maj 1913 me largimin e trupave malazeze nga rrethimi i Shkodrës në ikje dogjën dhe plaçkitën gjysmën e pazarit të Shkodrës, morën arkivat e qytetit dhe grabitën koleksionin e armëve në kala. Pas një viti administrim ndërkombëtar, qyteti verior u bashkua me Shqipërinë e pavarur. Gjergj Fishta duke folur për mbrojtësin e Shkodrës ka thënë: “Hasan Riza Pasha do të kujtohet si atdhetari më i mirë për shpëtimin tonë nga kthetrat e malazezëve… Ai meriton të kujtohet baras me heronjtë e kombit shqiptar”. Por heronj dhe dëshmorë të kombit shqiptar janë edhe Isa Bici, Jashar Bici, Laze Xhangoli, Cane Përfundi dhe qindra të tjerë të rënë në fushën e nderit dhe për nderin e Shqipërisë.

Lufta e bashkimit vëllazëror të shqiptarëve

Sipari i Luftrave nuk u mbyll për shqiptarët as me Shkodrën dhe luftimet për mbajtjen e mbrojtjen të paktën të “Shqipërisë londineze”, sepse orekset pushtuese do të shtoheshin me taktatin e fshehtë të Londrës dhe pushtuesit Italian oreksin e kishin të tillë që Adriatikun ta shndronin në një “kanal” dhe të zgjinin ëndërrat romake. Por syri i shqiptarit në jug e veri rrinte zgjuar, sikurse ishte vigjilent deri në Luftën e Vlorës ku u bë rikonfirmimi i pavarsisë shqiptare, aq sa dëshmori i gjuhës, shkollës dhe shqiptarizmës At Shtjefën Gjeçovi do të shprehej: “Filluan luftën të pështetun në shpresë të ndihmës së Perëndisë e të bashkimit vëllazëror, e pa të sosë a me mbetë të gjithë në lam të luftës ose me shpërthe dyert e hekurta e ledhet e çelikta të armiqëve”. Ka kaluar 108 vite nga ngjarjet e fillimit të luftrave ballkanike dhe është koha për një zgjim dhe kujtesë për ata djem e burra që u përballën si trima në roje të kufijve dhe të shtetit shqiptar. Është koha për të kujtuar e nderuar në vendin e nderit që u takon për aktin e madh që kanë bërë ndaj kombit djalëria shqiptare dhe djalëria gramshiote. Edhe nëse sistemet komplekse të së kaluarës në Shqipëri nuk mundën apo nuk deshën që të kujtoheshin për këta luftëtarë, historiografia shqiptare ka detyrime kombëtare, për identifikimin një për një të të gjithë luftëtarëve dhe sidomos të rënëve në fushëbetejat e historisë. Pse jo kapacitetet intelektuale aktuale e mundësojnë që të studiohen jo vetëm gojëdhënat, historikët e librat lokalë e kombëtare por të kalohet edhe në studimet e mirëfillta dokumentare jashtë hapësirës shqiptare si një arkivat shqiptare, por edhe në arkivat e Turqisë, Malit të Zi, Serbisë, Greqisë, Austrisë si dhe në përfaqësitë që kishin konsuj në Shkodër në këtë periudhë, por edhe në dokumentacionin që lidhet me KNK-në, që erdhi dhe u shtrua “këmbëkryq” në Shkodrën e pragit të Luftës së Parë Botërore. Të tillë ishin shqiptarët dhe të tillë mbetën, duke derdhur gjak në çdo periudhë të historisë, gjak të kulluar atdhetar në rrënjët e shtetit shqiptar, sikurse ishte gjaku që derdhën në Tarabosh djemtë e Shenepremtes/Lenies, Grabovës së madhe e fshatrave të tjerë përreth Gramshit atdhetar.

Burimet e studimit: Të dhëna për komandantin e çetës (Mehmet Hasan Hasa) së Elbasanit dhe Gramshit si kaza e Elbasanit; Të dhëna nga Abedin Bici, Baftjar Bici, Kapllan Xhangoli, Arif Përfundi, Zamira Xhelili/Bezati, nga të dhënat e mësueses Nasibi Xhangoli, nga artikulli i Ruzhdi Poda në artikullin e revistës “Pavdekësia” “Flamuri ynë ka edhe gjak dëshmorësh nga Ana e Malit” nr. 114 dhjetor 2017, nga Idriz Dyrmishi marrë të dhëna nga “Në gjurmët e fisit Dyrmishi”, prapë Atdheu s’ka qetësi, nga të dhënat e Yzeir Bakut libri i Kadri Musait, “Gramshi në shekuj për liri”,në vitin 2000; Xhelal Boci, “Kontributi i patriotëve të Gramshit në Luftën e Shkodrës”, të publikuar në gazetën “Shpresa”, shtator/2018; Hysen Tabaku, “Njerëz që nuk harrohen”, Histori e zonës; Abedin Bici “Ndihmesa e njësisë Shënepremte (Lenie)para dhe gjatë epopesë së lavdishme të LANÇ-it”; Artikull në gazetën “Shpresa”, 2018, që flet për Luftëtarët që luftuan dhe ranë në Shkodër; Shaqir Vukaj Luftimet në Shkodër; Historia e Shqipërisë në të gjitha publikimet e saj që nga vitet ’60-të; të dhëna të ndryshme nga Muzeu i Gramshit, të Bashkisë së Gramshit; shkrime të tjera nga portalet Balkanweb, Albspirit: Zaho Golemi, Gjaku që u derdh në themele të lirisë në Shkodër; shkrim në “Ushtria”: “Pse duhet të shpallen dëshmorë mbrojtësit e Shkodrës të 1912-1913-tës; shkrim të profesor Bernard Zotaj: tek “Politologjia”, të Dr. Mareglen Kasmi, të dhëna nga historikët të Shënepremtes dhe të Grabovës të vitit 1987, si dhe burime studimi nga literatura e Akademisë së Forcave të Armatosura për “Historinë Ushtarake” dhe të artit ushtarak shqiptar në shekuj, etj.

©MekuliPress/ Ndaje artikullin me familjen dhe miqtë tuaj. MekuliPress mbetet e pandikuar nga partitë politike. FOTO: No copyright infringement is intended.