Pjesa e tretë

Land af Albania ! Let me bend mine eyes

On thee, thou rugged nurse of savage men.

Ju pëlqen!

Lord Byron.

Në librin “Orienti i Evropës”, autori i veprës asht suedezi Sven Aurén. Janë përshtypje udhëtimi nga Shqipëria nga mezi i viteve ‘30. Përjetimet e tije direkte pa asnjë retushim.

Me një fjalë përkthimi i librit ka për të sjellë tek lexuesi shqiptar, vlera origjinale njohje të asaj historie që ne nuk e kemi njohur dhe jo pak vazhdojmë, ta njohim dhe tani të deformuar nga interesa të momentit.

Tani pak për atë që ju adreson këta rreshta: Quhem Adil Biçaku. Kam punuar dhe jetoj mbi 50 vjet në Suedi, pa e shkëputur për asnjë moment, mendimin dhe ndjenjën nga Shqipëria jonë.

Tani jam në pension dhe jetoj me gruan dhe fëmijët, këtu në Stokholm. Duke qenë një kohë e gjatë, nga evolucioni i gjuhës shqipe, që natyrshëm, ka ndodhur gjatë këtyre dhjetëvjeçarëve, jam i vetëdijshëm për vështirësitë, jo të vogla me të cilat do të ndeshem, për t’i dhënë lexuesit shqiptar, përjetimet e origjinalit.

Prandaj do t`ju isha shumë mirënjohës, nëse së bashku do të gjenim një mënyrë praktike bashkëpunimi, për ta përkthyer këtë libër me vlera të shumëanshme.

Moralisht do të ndihesha shumë i lehtësuar, duke shlyer një pjesë të borxhit, që kemi të gjithë ne shqiptaret, karshi Shqipërisë sonë, veçanërisht në këto kohë që vazhdojnë të jenë kaq të trazuara.

Me shumë respect

Adil Biçaku

Vijon nga numri i kaluar

Skënderbeu duhet shtyp, vendos Këshilli i Lartë i Sulltanit dhe Vezirët vrasin mendjen, se si të planifikojnë më së miri operacionin luftarak shqiptarë, që të japi efektin e duhur. Ushtarët e Profetit kanë pushtuar shtete dhe mund princa, të kalibri krejt tjetër se sa këtë kryetar të pabesë malesh. Është çështje prestigji për udhëheqjen ushtarake, që të munden me hedh para këmbëve të Sulltanit, atë helmetën qesharake të cjapit dhe t’i raportojnë rënien e Krujës.

Njëra pas tjetrës marshonin ushtritë turke në rrugët e vështira mbi malet e Shqipërisë dhe rrethonin trevat rreth Krujës, që mbrohej nga forca të vogla. Por terreni është i egër dhe i tmerrshëm dhe shqiptarët njihnin çdo majë mali, çdo kalim, çdo grykë, tepër mbi trima dhe luftëtarë të zot. Vazhdon pareshtur të ripërsëritet po e njëjta histori e zymtë: humbje të mëdha dhe tërheqje të lemerishme, nën luftërat të vazhdueshme guerile. Turqit numëronin dhjetëra mijëra të vrarë, pas çdo beteje të madhe. Ata bëjnë përpjekje të mëdha dhe armatosin një ushtri prej 100.000 vetash, një ushtri e tmerrshme, sipas situatës së kohës. Me 20.000 shqiptarë dhe 4.000 trupa ndihme malazeze, Skënderbeu i shkaktoi humbje të hatashme asaj ushtrisë së tmerrshme dhe e detyroi të kthehet prapë sërish.

Në këtë mënyrë vazhdojnë luftërat, deri kur luftëtari i madh vdes më 1468-ën. Edhe dhjetë vjet të tjera qëndroi Kruja, por kur ushtria e Sulltanit, që e kish rrethuar shkoi deri në 300.000 veta, nuk mundi me rezistua më. Fortesa e fundit e Shqipërisë bie dhe gjithë vendi, bëhet krejt turk. Djali i Skënderbeut me gjithë familje, emigrojnë në Itali.

Është kollaj të fantazosh se si do të zhvillohej politika e superfuqisë turke, nëse Skënderbeu nuk do ta ndalonte gjatë 25 vjetëve, nëse që në operacionin e parë ndëshkimorë, do ta kishte arrit të shtyp mbrojtësin gjigant të Krujës. Nuk duhet me e ekzagjeruar domethënien e heroit shqiptarë, por është e sigurt, që kontributi i Skënderbeut, pati një ndikim historik botëror dhe ky heroizëm përrallor, ndaloi inovacionin muhamedan dhe i dha botës kristiane, mundësi që t’i thirrin mendjes për bashkim. Ka historian, që pohojnë se në se Skënderbeu nuk do ta kishte penguar atë ëndrrën e madhështisë turke, do të ishte bërë realitet, në një shkallë më të madhe se sa u bë.

Sidoqoftë ai ka hyrë në histori, si më madhështori dhe figura më e fortë luftarake e mesjetës. Ai është i vetmi udhëheqësi i popullit në Shqipëri dhe princi tragjikomik, av Wied, që tërhoqën vëmendjen e Evropës në atë mënyrë, që përbën edhe politikën e madhe. Një nga portretet e Albrecht Dyrers, thuhet se paraqet heroin popullor shqiptarë. Sipas koleksioneve të këngëve popullore dhe legjendave të shkrimtarit të rilindjes, Barleti, ai ka hyr në literaturën dhe midis tjerash edhe ka inspirua Lonfellovin, për poemën entuziaste. Letërsia e re shqiptare, është marrë dhe merret me Skënderbeun në përmasa të mëdha.

Pra, që shkrimtarët e rinj shqiptarë, përshkruajnë fatin e jetës mahnitëse të Skënderbeut, është e kuptueshme dhe e natyrshme. Skënderbeu, është heroi i popullit Shqiptar. Mundet edhe kombi i porsalindur, të ketë një simbol bashkimi më madhështorë, se ky luftëtarë, që ndezi dashurinë për liri në zemrën e shqiptarëve dhe e ndezi në atë mënyrë, që një superfuqi botërore të detyrohet të përkulet dhe të ndalë, për ndryshe, gjithë marshimet ngadhënjyese? Kujtimi për Skënderbeun është një ushqim moral, për kombin e rizgjuar.

Kaska me kokën e cjapit, është kujtimi i figurës së jashtme. Me ndjenjën e respektit të madh të traditës së shenjt, është vendos helmeta si simbol i shtetit monarkist. Do të ishte shumë thjeshtë që ky shtet, i cili para shtatë vjetësh, papritmas gjeti veten në Monarki, të kishte vendos një kurorë, mbi shqiponjën dykrenore, në siglën e shtetit të tij. Mbreti Zog ka zgjedhur helmetën e Skënderbeut, në vend të kurorës mbretërore. Kjo ka domethënie të madhe, në lidhje me aftësitë dhe strukturën shpirtërore të tij.

Kjo është në fakt një ironi e fatit, që helmeta origjinale, që vazhdon të ekzistojë, nuk është në pronësi shqiptare. Ajo ndodhet e ekspozuar, në një muzeum në Vjenë dhe është pasuri shtetërore austriake. Shqiptarët janë kënaqur me një kopje. Republika austriake, nuk e ka konsideruar se ka ndonjë arsye me i’a kthye përkrenaren Shqipërisë, kjo helmetë që për austriakët është një kuriozitet, por për shqiptarët, simboli i kuptimit të kombit dhe kurora mbretërore e Zogut I-rë.

Ata katërqind vjetët, që pasuan, janë katërqind vjet, të zymta nën sundimin turk, me stagnacion kulturor, kryengritje pa rezultat, vobekësi pa kufi, këto si karakteristika kryesore. Shqipëria qe një pronë shumë e vlefshme, për sulltanët. Kjo përdorej si objekt taksash edhe pse shumat, që mblidhnin guvernatorët e korruptuar dhe derdheshin në kasën e shtetit, përbënin vetëm pakicën nga pagesat e vërteta. Vendi i ofroi mundësi të mëdha, përsa i përket rekrutimit në ushtritë e mëdha turke. Ato kishin në radhët e tyre burra, që u bënë jashtëzakonisht të dobishëm, për sulltanët.

Jo më pak se 25 vezirë të mëdhenj, ka marrë Turqia nga malet shqiptare, inteligjenta, burra guximtar, nganjëherë aq guximtarë, që i “zhduknin” në një ose tjetër mënyrë. Shkrimtari austriak Roda-Roda, në librat e tij të mençura, bën një vërejtje të vogël, që është ca zbavitëse. Gjatë kohës së Turqisë, Shqipëria nuk kishte nevojë për varrezë, shkruan ai. Populli i thjeshtë, vdiq në kasaphane në toka të huaja dhe vezirët e mëdhenj, morën urdhër të japin dorëheqje ose i hodhën në Bosfor.

Ky Roda-Roda i nderuar, sigurisht e ekzagjeron, por ka mjaft të vërteta në fjalët e tij. Gjatë afërsisht gjysmë mijëvjeçari detyrohet populli shqiptarë, me vu në dispozicion të Turqisë jetë dhe fuqi punëtore. Si shpërblim nuk morën asgjë. As rrugë, as shkolla, as literaturë, asgjë që mund t’i ndihmonte, me mbajt deri diku, hapa të njëjta me shtetet e tjera evropiane.

Sundimi katër-qindvjeçar turk, ishte i qëllimshëm dhe i tipit negativ. Porta e Lartë e kuptoi më shumë se mire, se çfarë rreziqesh një zhvillim shpirtëror dhe materialo-kulturor, të pa evitueshëm do të sillte dhe si konsekuencë të këtij qëndrimi, politika turke në Shqipëri mori një karakter shtypës dhe prapambetës. Shkollat ndalohen. Libra dhe gazeta ndalohen. Po, bile kundërshtuan edhe krijimin e një gjuhe të shkruar shqipe. Rrugët do të kishin mund, të lehtësonin një kontakt të rrezikshëm me perëndimin, kështu që rrugët u lan të rrënohen.

Që ta mbajnë vendin, ende të nështruar, sunduesit turq e kuptuan dhe nxitën heterogjenitetin e politikës së brendshme. Me anë të ryshfeteve, premtimeve dhe kërcënimeve, agjentët turq mundoheshin të futnin në luftë, me njëri tjetrin prijësit e rëndësishëm të malësive, në vend që të luftonin Turqinë. Sa më shumë shtohej përçarja, aq më shumë gëzoheshin zotërinjtë e Portës Lartë. Shqipëria qe një ikonë e vlefshme, vetëm të trajtohej në mënyrë të drejtë. Nuk është kjo një rastësi e cila duket si një ide, që ai, që shpalli vendimin e rrëzimit të Abdyl Hamidit, qe pikërisht një shqiptar. Vetëm një nga komplotistët guxoi të marrë atë misionin e papëlqyeshëm: Esat Pash Toptani, një nga figurat më interesante dhe më i paskrupullt në historinë shqiptare.

Esati, mori audiencë tek Sulltani i tmerruar dhe gjysmë i marrë dhe paraqiti misionin e tij, krejtësisht i ndërgjegjshëm, që veç një shenjë e vogël prej sundimtarit të rrëzuar, do t´a kishte shtrirë në dysheme të shpuar nga plumba. Nuk ka asnjë komb shqiptarë tha Bismarku në konferencën e Berlinit më 1878. Abdyl Hamidi e dinte që Bismarku e kishte gabim. Ai përdori kujdesi të madhe dhe shuma të pabesueshme për ta mbajtur Shqipërinë, në shah dhe megjithatë qe një shqiptar, që i komunikoi atij definitivisht rrëzimin.

Nuk mungonin lëvizje për liri gjatë kësaj kohe, por për arsyet e lartpërmendura, nuk kishin perspektiva suksesi. Turqia qe e pasur dhe Shqipëria e vobektë. Nuk munguan edhe figura të tjera, që dolën mbi mesatarët dhe që emrat e tyre, kanë hyr në histori. Ali Pash Tepelena, arriti të fitojë pavarësi, në një pjesë të vogël në Shqipërinë jugore dhe përfitoi një reputacion internacional, diçka si midis të tjerash, paraqitet nga ky kontekst, se Napoloni, korrespondoi me te për sa i përket disa përforcime trupash.

Por ai u vra dhe me të u shua shpresa, për përhapje më të madhe të pavarësisë. Rreth fillimit të viteve 1900, dukej sikur po ndriçonte. Ai burri i sëmurë i Bosforit, gjendet në shtrat të vdekjes dhe fuqitë e mëdha evropiane i nuhasin kufomën. Shqipëria qe nga tradicioni i vjetër një vend, që mund ta trajtoje si të duash. Pas luftës së 1878-ës, Fuqitë e Mëdha i falën një copë të vendit, Malit të Zi, Serbisë dhe Greqisë, që rezultoi në kryengritje të përgjakshme, në territoret e dhëna.

Italia fërkonte duart nga ngazëllimi. Italia është një specialiste e vjetër, për të peshkuar në ujëra të turbullta dhe përgatitet të avancojë, me një propozim për një mandat italian mbi Shqipërinë, analogjik me atë që Austria ushtron mbi Bosnjën. Sa më shumë rrëmujë në Shqipëri, më shumë arsye, për një pranim zyrtarë të “eksperiment civilizacioni” italian. Por Italia nuk është aspak e vetme, që aspiron për influencë shqiptare. Blloku sllav, ushtron presion. Shkolla serbe hapen në tokë shqiptare dhe agjentë serb, mbjellin përçarje dhe mosbesim. Rusia paguan. Grekët përdorin metodë tjetër. Kisha grek-ortodokse i shërben interesave imperialiste.

Libra greke dhe mësues grek, vërshojnë në pjesën jugore të vendit, popat predikojnë superioritetin e Kishës së tyre dhe mallkimin e myslimanizmit. Nga të gjitha anët, vërshojnë shkelës të rinj mbi vendin. Në qoshkun Jildiz në Kostandinopel, qëndron Abdyl Hamidi, i tmerruar dhe i xhindosur, i vetëdijshëm për rreziqet që kërcënojnë, një pjesë të rëndësishme të vendit të tij, por i braktisur dhe mbushur me informacione të gabuara. Zoti i dy kontinenteve dhe dy oqeaneve, parandjenë që së shpejti do zgjedh një titull më modest.

Ndërsa fuqitë e mëdha dhe shtetet e vogla, në grupime dhe aleanca të ndryshme, përfitojnë nga gjendja e dobët turke, përpiqet edhe populli shqiptarë, të përfitojë nga situata. Formojnë klube të fshehta, nxjerrin fshehtas gazeta dhe libra. Ideja e bashkimit kombëtar, ndizet përsëri. Themelohet “Bashkimi për mbrojtjen e të drejtave të kombit shqiptarë” dhe i bashkohen shumë anëtarë. Këngë për Skënderbeun, këndohen nga Shkodra në Janinë.

Pastaj fillon Lufta Ballkanike më 1912 dhe pengoi për një kohë të shkurtër, këtë valë vërshuese të pasionit për liri. Më vonë ngjau 28 Nandori, po atë vit dhe me të për herë të parë shpallja e pavarësisë së Shqipërisë. Nën udhëheqjen e Ismail Bej Qemalit, u mblodhën në Vlorë tetëdhjetë e tre përfaqësues, të popullit të Shqipërisë dhe në gjithë botën, shpallet lajmi sensacional që Shqipëria, është bë komb i lirë dhe i pavarur.

Për herë të parë në histori.

***

Por çfarë do të thotë në realitet tani, që një grumbull nacionalistësh shqiptarë, të kënaqur më shpalljen e lirisë dhe pavarësisë “komb shqiptar”? Gjashtë fuqitë e mëdha, që u mblodhën në Londër dhe u morën me çështjen e ndarjes së pjesëve evropiane të Turqisë së shpartalluar, nuk patën shumë interes për ngjarjet në Vlorë. Qeveria e parë e pastër shqiptare, në historinë botërore, më kot përpiqej që t’i dëgjohej zëri.

Situacioni i saj, qe jashtëzakonisht delikat. Jashtë portave të Vlorës, qëndronte ushtria greke dhe pak më tutje, ajo turke. Në veri të Shqipërisë, prisnin serbët rastin e volitshëm të depërtojnë për në jugë. Në det grekët mbanin një bllokadë të rreptë. Qe vetëm më një përpjekje të jashtëzakonshme, që Ismail Qemali me dy ministra të tij, mundi të kalonte në Itali dhe që prej andej me vazhdu për Paris e Londër, për të fol për çështjen e shtetit të porsa themeluar.

Rreth tavolinës së gjelbër të konferencës, kacafyteshin Fuqitë e Mëdha, në diskutime të ashpër, për fatin e ardhshëm të Shqipërisë. Franca mbështeste Greqinë, që nga ana e sajë kërkonte të mbante Vlorën ose Epirin. Rusia stërmundohej që t’i siguronte Serbisë, dalje në det dhe të konsolidojë pozitën e Malit të Zi, fukara. Austro-Hungaria dhe Italia, gjetën gjithsesi një interes të përbashkët dhe të mundohen, me i mbajt sllavët larg nga brigjet e detit Adriatik, por ndër kohë çdo njëra e etur, për atë rrip bregdeti, që ra brenda kufijve të Shqipërisë. Diskutohej, intrigohej, propagohej dhe nuk përfillej asnjë farë aspekti, për kërkesat e vetë popullit shqiptarë. Këtu ishte pyetja për fitues, që do të ndanin gjahun.

Më në fund u morën veshtë përnjëmend në një pikë: Shqipëria do të bëhej një komb i pavarur. Por me çfarë konditash! Treva me mbi një milion shqiptarë i u dhanë grekëve dhe serbëve. Pavarësia e shtetit të ri, do të kishte vetëm karakter emri. Ajo do të organizohej në këtë mënyrë, që si kryetar shteti nuk zgjidhet një shqiptar, por një princ i huajë i varur nga Fuqitë e Mëdha. Italia qe kombi, që më shumë u gëzua nga ky vendim. Diplomatët Italian, kuptonin se çfarë vështirësish tmerrësisht të mëdha, do të haste kryetari i ri i shtetit. Ajo anarki, që në këtë mënyrë po afrohej, do ta motivonte akoma më shumë pretendimin italian, për një mandat shqiptar.

Dhe kështu u bë, që në vitin 1913, monarkitë evropjane mundën t´i ofrojnë një principatë, të sapo themeluar për të cilën kandidatët e ndryshëm, konkurronin për një herësh me një zell qesharak të neveritshëm. Jo më pak se njëmbëdhjetë princa nga Gjermania, Franca, Anglia, Rumania dhe Turqia, dolën si pretendentë. U angazhuan hulumtues gjeneologjie, kërkonin në kalendarë dhe mundën së bashku, të dëshmojnë prejardhje nga Skënderbeu dhe shqiptarë të tjerë të famshëm.

Asnjë nga ata njëmbëdhjetë princat, kishin idenë më të vogël se froni qe krijuar për Shqipërinë dhe jo Shqipëria, për fron princash. Qëllimet dhe motivet e tyre, qenë të llojit ma të poshtër. Por një fron princor, është një fron princor edhe pse ndodhet në Shqipëri dhe përveç saj: populli shqiptarë, nuk e priste me qejf, që princi i ardhshëm do të qëndronte në vendin e tij primitiv dhe të prapambetur, ndonjë pjesë të madhe të vitit. Disa muaj mund të ishin mjaft, gjuetia do të ishte e mirë.

Për një kohë u duk që një pretendent jo evropian, princi mysliman Ahmed Fuad, me prejardhje direkt prej shqiptarit Mehmet Ali, i cili në kohën e tij themeloi dinastinë e kedivëve në Egjipt, do të kishte shanset më të mëdha. Por si ndodhi, Fuqitë e Mëdha nuk e konsideruan Ahmed Fuadin, të ishte një kandidat vërtetë besnik. U vendos që në vend të tij, për princin Wilhelm av Wied, i dobët, i manovrueshëm dhe zotëri mendje lehtë pa ndonjë dhunti, që t’u shkaktonte telashe tutorëve në politikën e jashtme. Lidhja e tij fisnore me mbretëreshën Elizabeta të Rumanisë, krijonte një far lidhje të përshtatshme në Ballkan.

Populli shqiptar u informua për zgjedhjen e Monarkut të ri të tyre dhe iu lutën të përgatiteshin për një pritje dinjitoze.

Përralla e shkurtër e Princit av Wied, qe një leksion i mrekullueshëm për guximin e tepruar të Evropës. Është kollaj me ngrit supet për Ballkanin dhe me fol për operetë. Kjo operetë e pa besueshme, që Evropa ka parë, nuk pati ndonjë fisnik të Ballkanit, në rolin kryesor, por një princ të Evropës qendrore, princin prusian, oficerin Wilhelm av Wied. Konferenca e superfuqive në Londër, kishte luajtur uverturën. Më 7 mars 1914 u hap skena e aktit të parë. Memorie.al

Vijon numrin e ardhshëm

Mekuli Press është në prag të mbylljes. Kemi nevojë për mbështetjen tënde, i dashur lexues. Na ndihmo sot edhe me vetëm 1 Euro! - FOTO: No copyright infringement is intended.