Sa i përket targave:

1. Vendimi i Qeverisë Kurti është ligjzbatues. Skadoi marrëveshja e 2016, për pasojë targat KS janë të pavlefshme dhe imponohet vendosja e targave RKS.

2. Qeveria Vuçiç nuk i pranon targat RKS, sepse R është Republikë, dhe ata e duan KS, pra Kosovën pa Republikë.

3. Qeveria Kurti nuk mund të heqë dorë nga Republika. Nëse Kosova do të pranonte të hiqte dorë nga Republika, atëherë nuk do të tregonte seriozitet shtetformues dhe do të ndihmonte fushatën serbe për çnjohje.

4. Qeveria Kurti e njeh Kosovën si vend sovran. Ashtu e njohin edhe 115 shtete. Në raport me republikën e Serbisë Kosova synon jo hakmarrje, por njohje. Qeveria e Vuçiçit dhe ato para tij i detyrojnë veturat me targa të Kosovës, të vendosin targa të përkohshme dhe të shpenzojnë para. Të njëjtën gjë vendosi ta bëjë dhe Kosova me veturat me targa të Serbisë. Sepse as Kosova nuk e njeh Serbinë. Siç tha presidenti Biden, duhet punuar për njohje të ndërsjelltë (mutual recognition).

5. Vendimi i Qeverisë Kurti për targat e përkohshme nuk është kundër popullit serb. Një pjesë e atyre me targa të Serbisë janë edhe shqiptarë, boshnjakë etj. Vendimi është thjesht përgjigje ndaj politikës së Qeverisë Vuçiç. Është hipokrizi të flitet për liri lëvizjesh të njerëzve, mallrave e shërbimeve, nëse liria është vetëm njëdrejtimëshe. Nëse duhen hequr targat e përkohshme, duhen hequr nga të dyja vendet, nëse duhen mbajtur, duhen mbajtur nga të dyja vendet.

6. Shqiptarët vendas të Luginës PMB (përfaqësuesit e tyre) janë njoftuar me kohë prej Qeverisë Kurti. Po ashtu, janë njoftuar dhe aleatët, madje dhe pala serbe, sepse për këtë gjë u informua dhe opinioni i gjerë publik qysh në vizitën e zv.km Bislimi në Bruksel. Masa e marrë nuk ishte surprizë. Një shtet serioz nuk bën surpriza.

7. Masa e marrë nuk është elektorale. Askush nuk e dinte në 2016, kur vendosën që marrëveshja të skadonte në 15 shtator 2021, se në 17 tetor do të kishte zgjedhje lokale. Kush e çon nëpër mend këtë është qesharak.

8. Masa e marrë gëzon mbështetje të gjerë qytetare në Kosovë, pavarësisht kundërshtimeve instrumentalizuese nga opozita.

9. Askush nuk ka të drejtë të shprehë urrejtje, mllef, padurim, apo ndjenjë revanshi ndaj serbëve lokalë, e as serbëve të Serbisë. Siç thamë më lart, kjo masë nuk drejtohet kundër tyre, por kundër një politike që synon ta mbajë Kosovën në status josovran. E mbani mend sa shëmtuar ngjante kur zyrtarë e qytetarë serbë gëzoheshin kur ShBA iku nga Afganistani? Shqiptarët nuk kanë nevojë të shfaqin ndjenja të tilla.

10. Policia e Kosovës është instrument i sigurisë që zbaton ligjin dhe nuk drejtohet kundër asnjë qytetari të asnjë etnie. Ajo ka për detyrë të sigurojë e të mbrojë territorin, kufirin, të drejtat qytetare e demokratike siç janë ato për protestë, qarkullimin rrugor etj. Nëse e tepron me mjetet e tij, edhe polici dënohet.

Shtetndërtimi demokratik i Kosovës nuk ka prapakthim e as nuk shitet e blihet.