Deputetja nga Shkodra, e njohur edhe si studiuese, Ledi Shamku, është e mahnitur nga një intervistë, në të cilën ishte i ftuar lideri i Vetëvendosjes Albin Kurti në një emsion në Shqipëri.

Më poshtë mund ta gjeni postimin e saj të plotë:

“Sonte isha mbështjellë me heshtjen time të brendshme, të cilën e kam aktivizu për me dëgju saktë çdo fjalë nga jashtë. Pra po ngrija tryezën e darkës, ndërkohë që mbaja vesh lajmet po ashtu të darkës.

Gazetarja intervistoi Albin Kurtin e Albini nisi me folë.

Ngrita kokën. Veshi im i mësuar të kapë detaje gjuhësore të veçanta, të pazakonta apo të rralla, sapo kishte rënë në diçka të rrallë: Albini çdo pyetjeje i përgjigjej duke përdorur NA – trajtë e shkurtër e përemrit vetor NE.

Veshi m’u rrëmbush nga NA-ja e Albinit si:

Na ka goditë tërmeti
Na ka ba shumë dame
Na kanë vdekë njerz e madje na kanë mbetë edhe fëmijë.
Kena shumë nevoja, por shtetet e tjera na kanë ardhë shpejt në ndihmë.

Të gjitha këto NA Albinit i dilnin krejt natyrshëm, siç i dalin dikujt që po flet për veten brenda një bashkësie të cilën nuk e ndan nga vetja. A më saktë veten nuk e ndan nga bashkësia. Për Albinin s’kishte “unë Kosova” dhe “ajo Shqipëria”, por mesa duket kishte Ne Shqiptaria. Nuk i erdh me thënë “Shqiperia u godit nga tërmeti”, por “Na ka godit tërmeti”. Ne na ka goditë, ne! Se jemi NE. Jemi vetë e parë numri shumës, pra jemi veta e vetes, veta e kombit.

Dhe është i pari dhe i vetmi politikan shqiptar të cilit i buron vetiu veta e vetes: NE

Albin, e troshite sonte heshtjen time të brendshme! E troshite për mirë! E mira t’ndjektë, madje e mira t’priftë! E mira jonë”, përfundoi deputetja Shamku.