Kundër korrupsionit nuk ndalem

Korrupsioni po përpiqet të mbrohet duke sulmuar, prandaj zyrtarët e korruptuar më kanë paditur mua pse ua kam përmendur korrupsionin. Në Gjykatën Themelore të Ferizajt, sot e dorëzova përgjigjen në padi, por as mua e asnjë aktivist apo qytetar, nuk na frikësojnë e aq më pak mund të na ndalin.

Si duket ka një strategji, që tentojnë të më ndalin nga puna e angazhimi, duke më dërguar në Gjykatë për veprimtarinë time politike. E kanë provuar edhe me bashkëaktivistë të tjerë të Vetëvendosjes, edhe me mua. Herë me aktakuza e herë me padi, PDK-ja dhe financuesit e saj (që në fakt janë përfitues nga paratë publike të Komunës) po orvaten të përdorin gjykatat për të ma mbyllur gojën.

Ju pëlqen!

Edhe nëse nuk e njihni Besim Sulejmanin, me siguri çdonjëri në Ferizaj ka dëgjuar për kompaninë “Bardhi”. Emri i saj shihet në nënkalim (a thua se e ka bërë donacion e jo që është paguar shumëfish më shtrenjtë se çmimi real) e edhe në qiellin gjithandej Ferizajt që po ngushtohet gjithnjë e më shumë, me ndërtesa të larta pa asnjë siguri, pa kritere e zero standard.

Pronari i kësaj kompanie më ka bërë padi për shpifje, sepse e kam folur të vërtetën për kurdisjen që kjo kompani e ka bërë përmes Afrim Matoshit te Agim Aliu, duke përfituar paratë e taksave tona si një nomenklaturë e paligjshme. Këto padi nuk më frikësojnë aspak.

Elementi pozitiv që ka ndodhur nga ngritja jonë e zërit është se projekti “Bashkimi i Qytetit” po auditohet. Besoj fuqimisht që të gjeturat e shkeljet e shumta në raport, do të jenë bazë e fortë që ai projekt edhe të hetohet nga Prokuroria. Ne do të vazhdojmë ta ngremë zërin për aferat korruptive, dhe do të ftojmë prokurorinë dhe institucionet të hetojnë, sepse komuna e Ferizajt është një nga komunat më të pasura, por pasuria duhet të sjellë zhvillim dhe jo korrupsion.

Sa i përket padisë që ma kanë bërë, me betejën time gjyqësore e me faktet që do t’i paraqes në procesin ligjor me pronarin e “Bardhi”, Besim Sulejmani, do t’ia bëj më të lehtë Prokurorisë të provuarit e grabitjes së fondeve publike në vlerë miliona euro, për një projekt me beton që na e ka betonizuar edhe më shumë qytetin. Madje duke e paguar shumë shtrenjtë e në kurriz të shëndetit, duke i rrudhur hapësirat e gjelbra përditë!

Valon Ramadani

 

MekuliPress është në prag të mbylljes. MBËSHTETE SOT GAZETARINË E PAVARUR DHE ORIGJINALITETIN E MEKULIPRESS. Kemi shumë nevojë për mbështetjen tënde, i dashur lexues. NA NDIHMO sot të paktën edhe me 1 Euro!