Kryeministri grek, Kyrakos Mitsotakis, ka deklaruar sot se Greqia do të vazhdojë të të zgjerojë ndikimin e saj deri në 12 milje edhe në detin Jon.

Këtë deklaratë të fortë, Mitsotakis e bëri në foltoren e parlamentit, ku u ratifikuan sot edhe dy marrëveshjet detare me Italinë dhe Egjiptin.

Sipas gazetës greke “Protothema”, Mitsotakis është shprehur në Kuvendin grek: “Ne po e rrisim Greqinë! Do të sigurojnë 12 milje edhe në detin Jon sipas të gjitha konventave ndërkombëtare. Asgjë s’na pengon neve që të arrijmë këtë“.

Ndër të tjera, kryeministri grek tha në foltoren e Kuvendit se më lidhje me qasjen e Athinës për marrëveshjen e detit me Shqipërinë, është informuar edhe ministri i Jashtëm Nikos Dendias.

Kryeministri Mitsotakis, paralajmëroi edhe një vizitë të Dendias në Tiranë për të komunikuar me autoritetet shqiptare rreth marrëveshjes.

“Do të respektojmë konventat ndërkombëtare dhe do të aplikojmë standardin e ndarjes në mënyrë të barabartë të detit, kur distanca mes dy shteteve është më e ulët se 24 milje“, ka thënë në foltoren e Kuvendit Mitsotakis.

Greqia firmosi marrëveshjen e ndarjes së Zonave Ekskluzive Ekonomike fillimisht me Italinë dhe më pas me Egjiptin, duke shkaktuar reagimin e ashpër të Turqisë, e cila më herët kishte firmosur një marrëveshje të ngjashme me Libinë duke ndarë mes tyre një pjesë të Mesdheut.