Konsumi i alkoolit është shumë i lartë, sidomos në radhët e të rinjve në vendet e zhvilluara. Ky është dhe shkaku kryesor i incidencës më të lartë të steatozës alkoolike dhe cirrozës në mëlçinë e konsumuesve të rregullt të alkoolit. Dëmet prej tij shkaktohen më së shumti në mëlçi, tru dhe më pak në zemër. Në mëlçi, alkooli i konsumuar, shkakton dëmtime të qelizave hepatike, dëmtim që rritet në kohë duke u varur nga doza e konsumuar, kohëzgjatja e konsumit, si dhe nga veçoritë fiziologjike të individit.

Njerëzit që pinë prej vitesh alkool, që nuk ndiejnë gjë, papritur, një ditë gjenden para një fakti të hidhur. Mëlçia e tyre ka marrë fund duke u kthyer në një mëlçi steatozike, ose më keq akoma në mëlçi cirrotike. Ata mund të kenë pasur shqetësime të lehta që nuk ia vënë veshin, pasi prekja e mëlçisë nga alkooli shpesh është asimptomatike. Nuk janë të pakta rastet kur zbulimi i një dëmtimi hepatik bëhet në ekzaminimet rutinë që bëjnë pacientët, ose në testet e funksionit hepatik që ata realizojnë (gjak komplet për matjet e bilirubinës, fosfatazës alkaline, kohës së protrombinës, aminotransferazave, gama glutamil transpeptidaza etj).

Jo pak dëmtime nga alkooli pëson edhe pankreasi. Përdorimi i zgjatur i tij e dëmton në mënyrë kronike pankreasin deri në atë shkallë, sa ai nuk arrin të sekretojë sasinë e duhur të enzimave pankreatikepër të kryer të plotë procesin e tretjes së ushqimeve, sidomos të yndyrnave të marra me dietën ushqimore.

Alkooli shkakton gjithashtu gjendjen e të dehurit, në të cilën sistemi nervor qendror nuk arrin të kontrollojë veprimet e vullnetshme, apo të pavullnetshme të personit në fjalë.

Dëmi më i madh vjen nga përdorimi afatgjatë. Është vërtetuar se për çdo 1 litër alkool, vdesin 1000-2000 neurone, qelizat funksionale të trurit, të cilat nuk rigjenerohen më pas dëmtimit. Kështu që përdoruesit kronikë të alkoolit, me kohë e çojnë personin drejt demencës (skizofreni, marrëzi), degjenerimit mendor etj. Pra, alkooli dëmton pa përjashtim të gjitha organet e trurit. Përveç kësaj, edhe vetë cirroza e zhvilluar në mëlçi, shfaqet me dëmtim të trurit si pasojë e shtimit të toksinave në trup që normalisht duhet të metabolizoheshin prej mëlçisë. Një mëlçi jo tepër funksionale nuk ka se si t’i largojë këto toksina, duke bërë të mundur grumbullimin e tyre në organizëm dhe dëmtimin e trurit.

Alkooli është një substancë që mund të krijojë varësi. Përdorimi, dhe për më tepër abuzimi mund të shkaktojnë një sërë problemesh personale, familjare, financiare, ligjore, arsimore , sociale, aksidente dhe vdekje.