Shkruan Kadrush Radogoshi

DEMAGOGJIA ËSHTË VRASËSE E DEMOKRACISË
(Mos të harrojë askush se legjitimiteti i një gjykate të kapur kushtetuese nuk mund t’i mbivendoset legjitimitetit popullor, i cili në demokracitë e vërteta është legjitimitet absolut!!!)

Të folurit publik pervers i politikanëve të korruptuar e gjysmanalfabetë të Kosovës dhe Vendimi skandaloz i Gjykatës Kushtetuese të Kosovës lidhur me Dekretin e presidentit të Kosovës vetvetiu na imponojnë nevojën e trajtimit të fenomenit të shprehur nga nocioni “demagogji” dhe pasojat e tij të rënda për demokracinë të shikuar brenda kontekstit politik e juridik aktual kosovar nga një këndvështrim krahasimtar me oratorinë anglo-amerikane. Për ta kuptuar drejtë nocionin “demagogji” është domosdoshmëri, që fillimisht ta shpjegojmë nocionin “oratori” sepse demagogjia nuk është gjë tjetër pos forma më e përçudnuar oratorisë.

Ju pëlqen!

Të folurit publik racional dhe bindës quhet oratori dhe është njëri nga artet apo mjeshtëritë e çmueshme në shoqëritë demokratike. Të folurit publik apo një oracion nënkupton folësin, dëgjuesit e tij apo audiencën, vendin dhe kohën ku dhe kur ndodhë, mesazhin e transmetuar përmes fjalëve dhe gjuhës trupore, apelimin ndaj emocioneve të dëgjuesve. Oratori ideal është i veçantë në të gjitha aspektet: qoftë në zgjedhjen adekuate të fjalëve dhe kontekstin e ri të vendosjes së tyre, qoftë në aspektin e krijimit të besueshmërisë në bazë të fakteve dhe vlerave morale dhe përfundimisht krijimit të afeksionit te audienca. Oratorët zakonisht kategorizohen në tri lloje: oratorët politikë, juridikë dhe epideiktikë apo ceremonialë. Kuptohet ndikimi i oratorit mund të jetë i menjëhershëm apo i mëvonshëm.

Ka raste, kur fjalimet publike të oratorëve kanë ndikuar në rrjedhat historike të një shteti, të një grupi shtetesh apo tërë botës. Mjafton të kujtojmë në këtë kontekst ndikimin e jashtëzakonshëm për fatin e botës, që kanë pasur fjalimet e Adolf Hitlerit dhe Winston Churchill-it gjatë Luftës së Dytë Botërore.

Konti Alexis de Tocqueville e vizitoi Amerikën në fillim të shekullit XIX dhe pasi u kthye në Francë shkroi se në të gjitha shtresat e shoqërisë amerikane kishte marrë hov zhvillimi i demokracisë dhe se Amerika ishte i vetmi shtet në botë, që kishte byro leksionesh apo fjalimesh. Në kontekst të këtij raporti, njohësit e mirë të oratorisë dhe vet oratorët amerikanë kombin e tyre e quajnë me kënaqësi kombi i klubeve në të cilat oratorët flisnin për çështje me rëndësi shoqërore apo për programe konkrete. Se roli i këtyre klubeve apo byrove për fjalime ka qenë shumë i rëndësishëm e dëshmon fakti se oratorët e parë që angazhuan ishin shkrimtarët e njohur Oscar Wilde dhe Mark Twain dhe Winston Churchill në rininë e tij, politikani, burrështetasi dhe oratori i mëvonshëm, të cilin eksperti për këto çështje James C.Humes e konsideron oratorin më të mirë të shekullit XX në botë, prandaj nuk është i rastit fakti se ky autor e shkroi librin “Churchill-i oratori i shekullit” (Churchill, Speaker of the Century), të cilin e botoi në vitin 1980. Qëllimi i çdo fjalimi, sipas këtij autori, është që t’i arsimojë dhe kënaq dëgjuesit. Folësi apo oratori duhet ta tërheq vëmendjen e dëgjuesve apo audiencës gjatë tërë kohës sepse ai ka dëshirë, që në fund ta ndiej se ata kanë mësuar për diçka të nevojshme dhe atë mësim ata e kanë marrë sipas një sensibiliteti modern.

Nuk është e rastit pse e solla këtu modelin më të avancuar oratorik të botës, sepse nga modelet e mëdha duhet të mësojmë qoftë si individë e qoftë si popull. Dihet që oratoria ka hapësirë më të madhe të zhvillimit në shtetet me demokraci të zhvilluar. Raporti në mes të oratorisë dhe demokracisë është i ndërsjellë, prandaj ato ndikojnë në zhvillimin e njëra tjetrës. Në këtë kontekst lind vetvetiu pyetja: Cili është modeli i diskursit mbizotërues të oratorisë politike dhe diskursi shkrimor i “oratorisë” juridike në Kosovën e sotme dhe a i kontribuojnë zhvillimit të demokracisë? Përgjigjja është: jo vetëm që nuk i ndihmojnë, por e rrënojnë atë për sot e për nesër.

Për fat të keq, në Kosovën e sotme oratoria sulmohet me të gjitha mjetet ilegale të legalizuara nga Gjykata Kushtetuese, kjo nënkupton përçudnimin e oratorisë së keqpërdorur maksimalisht. Bartësit e fenomenit të deformimit apo përmbysjes së oratorisë quhen demagogë dhe nënkuptojnë personat, të cilët kërkojnë të fitojnë popullaritet për të marrë apo për të mbajtur pushtetin përmes të folurit publik duke përdorur paragjykimet, shpifjet e injorancën për keqpërdorimin e emocioneve të popullit për ta rebeluar atë kundër elitës reformatore e demokratike. Demagogu politik (Hashim Thaçi &company) përmbys normat e standardizuara të sjelljes politike, kërcënon dhe kushtëzon kundërshtarin politik duke shkelur çdo normë ligjore apo kushtetuese. Për ta bërë edhe më të rëndë situatën politike në Kosovë gjykata Kushtetuese merr vendim të padrejtë dhe me arsyetim demagogjik, duke tjetërsuar legjitimitetin popullor të qeverisjes. Vrasja e këtij legjitimiteti superior do të thotë as më shumë e as më pak se vrasje e demokracisë.

Historiani Reinhard Luthin e ka definuar demagogun si “një politikan i aftë në të folur, në lajka dhe keqpërdorim fjalësh, me prirje për t’iu shmangur vet-zbulimit (të anës së tij të errët K.R.), veçanërisht duke u përgjigjur në formë të tërthortë apo indirekte gjatë diskutimit të çështjeve vitale, duke premtuar gjithçka e gjithkujt, duke iu drejtuar ndjenjave dhe mendimit të publikut: gjithashtu duke nxitur paragjykimet raciale, fetare dhe klasore” ( Luthin, Reinhard H. (1954). American Demagogues. Beacon Press. p. 3. ASIN B0007DN37C. OCLC 1098334). Pas definimit të këtij autori shtrohet pyetja se a janë të aftë në të folur demagogët politikë të Kosovës? Përgjigjja përsëri është e thjeshtë: JO! Më shumë mund të krahasohen me papagajtë, të cilët e kanë mësuar përmendësh si papagajtë ndonjë term apo togfjalësh politik të shndërruar moti në stereotip të neveritshëm. Demagogu e shfrytëzon një dobësi themelore të demokracisë: duke qenë i vetëdijshëm se në demokraci forcën dhe legjitimitetin absolut e ka populli ai nuk lë gënjeshtër pa e shitur si të vërtetë, nuk lë ves pa e shitur si virtyt, nuk lë dredhi pa e shitur si veprim të sinqertë, me qëllim që ta bartë mbi vete forcën dhe legjitimitetin popullor duke u zgjedhur në pozita të larta pushtetore. Posa të jetë zgjedhur në pozita të larta shtetërore, demagogu i zbulon kufijtë kushtetues të pushtetit të tij ekzekutiv, prandaj përpiqet t’i tejkalojë apo shkelë ata për ta forcuar sa më shumë pushtetin e tij gjerë në diktaturë. Njëra nga mënyrat, që përdor demagogu për të arritur këtë qëllim është krijimi i tabuve nga çështjet vitale, të cilat duhet të mbesin të hapura për debatin publik e jo të mbyllen në mënyrë spekulative brenda një tabuje.

Demagogjia është armiku më i madh i demokracisë, prandaj haset më së shumti në demokracitë e brishta dhe të pastabilizuara. Shembulli më tipik, kur demagogjia politike dhe juridike e vret demokracinë në mes të pandemisë është Kosova, popullit të së cilës Gjykata e kapur Kushtetuese ia merr të drejtën për të dalë në votim dhe për të zgjedhur udhëheqësit që i do. Mos të harrojë askush se legjitimiteti i një gjykate të kapur kushtetuese nuk mund t’i mbivendoset legjitimitetit popullor, i cili në demokracitë e vërteta është legjitimitet absolut!!!

Ndoshta ju pëlqen!/MekuliPress/ Nëse keni shijuar këtë artikull, ndajeni atë me familjen dhe miqtë tuaj! MekuliPress mbetet e pandikuar nga partitë politike!