Shqipëria i ka dorëzuar ambasadorit britanik një notë verbale për gjuhën e ministrit britanik të Emigracionit, Robert Jenrick. Ky i fundit, me tone të ashpra, bëri thirrje që oficerët e emigracionit të kapnin çdo shqiptar dhe t’i dërgonin drejt Tiranës. Sipas ministrisë, gjuha e përdorur cënon frymën e bashkëpunimit mes dy vendeve.

Konkretisht ministri britanik u shpreh: “Ne po punojmë gjatë gjithë kohës për të larguar emigrantët e paligjshëm shqiptarë dhe shkelësit e shteteve të huaja. Dje vizitova një qendër emigracioni për të parë fluturimet tona javore për në Shqipëri dhe për të falënderuar stafin për punën e tyre vendimtare për të zbatuar kufijtë tanë dhe për të na mbajtur të sigurt. Të gjejnë shqiptarët. T’i ndalojnë ata. T’i çojnë në aeroport dhe t’i kthejnë në Tiranë. Jo vetëm këta, emigrantët e paligjshëm, por edhe kriminelë të rrezikshëm që kanë qenë të dënuar për drogë”.

Pas këtyre deklaratave reagoi edhe ministrja për Europën dhe Punët e Jashtme Olta Xhaçka. Ajo u shpreh e tronditur nga gjuha e përdorur kundër shqiptarëve.