Regjistrimet e bisedave sekrete mes kryeministrit izraelit, Benjamin Netanyahu dhe botuesit të gazetës “Yediot Ahronot”, Arnon Mozes janë kryetemë e diskutimeve në Izrael që prej së shtunës kur ato u publikuan në Kanalin 13.

Në bisedën e regjistruar të ndodhur në vitin 2014, Netanyahu dhe Mozes diskutojnë për një marrëveshje, sipas së cilës kryeministri Netanyahu do të përfitonte mbulim të favorshëm në gazetën “Yediot Ahronot” në këmbim të avancimit të një ligji për të dëmtuar rivalin kryesor të Yediot‘-it, “Izrael Hayom”.

Bisedat u regjistruan nga Ari Harow, një ish ndihmës i Netanyahu-t që është bërë dëshmitar i drejtësisë. Në bisedën e bërë publike, Netanyahu duket se pajtohet me kërkesën e Mozes për të zbatuar një ligj që do ta vështirësonte më shumë konkurrencën ndaj gazetës së tij, “Yediot Ahronot”.

“Ne mund ta legalizojmë këtë, kjo është gjithçka”-thotë Netanyahu. Kur Mozes pyet se cili komision do të marrë përgjegjësinë për projekt-ligjin kundër “Izrael Hayom”, Netanyahu përgjigjet, “Ne do të krijojmë një komitet të veçantë.” Netanyahu gjithashtu kërkon që Mozes të zvogëlojë antagonizmin e Yediot ndaj tij.

Duke u ankuar për mbulimin negativ të një gazetari të “Yediot”, Netanyahu dëgjohet të ketë thënë: “Ju po më detyroni të luftoj me ju. Nëse jeni e ktheni në mision të jetës tuaj rrëzimin tim, unë do të vij pas jush me gjithçka që kam … Do të bëhet misioni i jetës sime.” Bisedat janë bërë publike teksa Zyra e Prokurorit të Përgjithshëm është duke shyrtuar nëse do të padisë kryeministrin për mashtrim dhe shkelje të besimit. Edhe Mozes, botuesi i gazetës “Yediot Ahronot”  gjithashtu mund të  përballet me akuza të mundshme penale.