Werhner von Braun, ose ndryshe dhe në origjinal, baroni Wernher Magnus Maximilian von Braun, është një emër i njohur për mbarë botën. I famshëm madje që në gjallje të tij, kur iu atribuuan krijimi i V2, raketave të para të krijuara nga Gjermania Naziste dhe më vonë, në vitet ’60, zbarkimi i parë i njeriut në Hënë. Von Braun mbahet si shpikësi i raketës dhe promotori i programit kryesor hapësinor të konceptuar nga njeriu. “Kristofor Kolombi i hapësirës”, ja një ndër epitetet për të vënë nga revista gjermane “Speigel”.

Mirëpo edhe ai nuk i ka shpëtuar procesit të mitizimit dhe atij që pason, çmitizimit. Gazeta italiane “Corriere della Sera” referon një ese të fundit me autor, gjermanin Christopher Lauer që ka patur akses në dokumente të papublikuara më parë, përfshirë tezën e doktoraturës të von Braun sipas të cilit suksesi dhe fama e shkencëtarit duhen marrë me shumë rezervë. Materiali origjinal është publikuar nga gjermanja “Frankfurter Allgemeine am Sonntag” dhe në të, Lauer thotë se dyshimi duhet shtrirë që në fillimet e karrierës. Biografët na thotë se që pa mbushur 20 vjeç, von Braun ra në sy të Karl Emil Becker dhe Ernst von Horstig, dy ekspertë të Reichsëehr të cilët në fillim të viteve ’30 eksperimentonin me modele primitivë raketash dhe se madje ata, të entuziazmuar nga cilësitë e djaloshit, i ofruan drejtimin e laboratorit.

Lauer thotë të kundërtën; pasi sipas tij në një shënim personal të von Horstig, deri më sot të injoruar, ai shprehte një gjykim negativ për njohuritë e von Braun. Ofrimi i një vendi pune për djaloshin në fjalë, erdhi për arsye krejt të tjera: së pari për shkak të raportit personal të tij me Rudolf Nebel, një as i dikurshëm i aviacionit, inxhinier me obsesion për raketat dhe që vetë ndërtonte modele të vegjël që i shfaqte para një publiku të apasionuarish. Lauer shton se von Braun ndihmonte Nebel në eksperimentet e veta dhe për këtë madje ka foto të kohës.

Karakter i vështirë, Nebel ishte guruja, kurse von Braun dishepulli. Donin të mbërthenin të parin dhe kështu u përqendruan tek i dyti,shkruan autori.

Që jep edhe një tjetër arsye përcaktuese në këtë fazë të karrierës së von Braun.

Mbi të gjitha ai që bëri diferencën ishte babai i Wernher, Magnus von Braun, ministër i Rajhut për Bujqësinë, aspak entuziast për pasionin e të birit që e shmangte nga studimet, ku nuk shkëlqente. Horstig i propozoi atij që ta fuste djalin në punë në sektorin e kërkimit për raketat në Reichswehr dhe në të njëjtën kohë të përfundonte studimet universitare. Për Horstig, përherë në kërkim të financimeve për projektet në të cilat askush nuk besonte, të kishe një mbështetje brenda qeverisë nuk ishte gjë e pakët, shkruan Lauer.

Është po von Horstig që rrëzon pretendimin e von Braun se ndërtoi vetë du prototipët e parë, Max dhe Moritz, teksa përmes një shënimi, edhe ky i panjohur, sqaron se për realizimin e tyre, në krah të von Braun u soll një ekspert për motorr shtytës nga Berlini. Që von Braun nuk ishte në gjendje të ndërtonte vetë një raketë e provon edhe një vendim i Gjykatës së Mynihut të vitit 1952. Ishte guruja i vjetër, Nebel që pas lufte iu kundërvu von Braun duke ia komtestuar epitetin “shpikës i V2” të cilin e kishte vetë krijuar. Gjykatësit i dhanë pjesërisht të drejtë von Braun përveçse në një pikë: “Është e sigurtë që ai nuk do përparonte në zhvillimin e raketave po të mos ishin bashkëpunëtorët e tij”.

Lauer shkruan se von Braun gënjeu edhe për sa i përket diplomimit, kur deklaroi se relator kishte qenë Karl Becker, çka nuk provohet nga asnjë arkivë.  Një gënjeshtër që nuk dihet pse është bërë. Dyshime ka edhe për shpejtësinë me të cilën kjo tezë u miratua, brenda tri ditëve, kohë që nuk mjafton për të dhënë një gjykim të vërtetë.

Çështje e djalit të superrekomanduar të ministrit. Por më keq akoma është fakti se teza nuk përmban asnjë të dhënë konkrete, asnjë matje të eksperimentuar…Qershia mbi tortë: një kapitull i tërë është kopjuar pa cituar nga një revistë e Bashkimit për Udhëtime Hapësinore,shkruan Lauer.

Një cv tipike e dikujt që më shumë sesa thellimin në tema që ndjek, ka prioritt famën, që më shumë sesa si shkencëtar metodik, manifeston tiparet e një shpikësi intuitiv. Lauer shton se ai ishte një menaxher i shkëlqyer, i aftë për të koordinuar dhe deleguar punën brenda organizatave komplekse. Kjo edhe shpjegon karrierën e tij nën drejtimin nazist, regjim që i vuri në dispozicion qindra bashkëpunëtorë, inxhinierë dhe ekspertë për projekte ushtarake.

Po në ShBA si ja hodhi kësaj pune? Autori gjerman shkruan se ai imponoi që bashkë me të në Amerikë të emigronin edhe 120 persona, pra i gjithë stafi i tij i mëparshëm. Që mund të lidhet sa me humanizmin e tij, aq edhe me faktin se karriera e tij e mëtejshme dhe vetë kredibiliteti si shkencëtar varej nga këta njerëz. Von Braun vuri në zbatim në ShBA të njëjten skemë pune dhe të njëjët njerëz, me burime të mëdha duke krijuar premisat e një suksesi të sigurtë.

Miti i gjeniut absolut nis e bie për të nxjerrë në pah hijet e një figure që është parë përherë në ndriçimin më të madh. Sugjerimet e Lauer e vënë von Braun në ngjashmëri shumë të mëdha me homologun e tij sovjetik, Sergey Korolev, i cili përtej aftësive të veta si inxhinier, u provua se kishte kapacitete jo normale menaxheriale dhe të planifikimit strategjik. Dhe kjo është shumë e rëndësishme në programe kaq komplekse si ato hapësinore ku duhet optimizuar aftësia teknike me burimet njerëzore dhe mundëistë. Ndonëse duhet thënë që Korolev nuk e kishte babain ministër.

VINI RE! Gazetaria jonë mbetet e pandikuar nga politikanët e nga milionerët e korruptuar. Askush nuk e kontrollon gazetën dhe kritikën tonë. Ndihmoje MekuliPress - Mbështete median e pavarur kombëtare.
Loading...
[wpedon id=16879]