Çmimi i arit është rritur në nivelin më të lartë në 5 muaj, nxitur nga dollari i dobët dhe presionet inflacioniste, ndërkohë që investitorët presin më shumë të dhëna për të matur përmasën e rimëkëmbjes ekonomike në SHBA. Norma spot e arit u rrit me 0.4% në 1,915.01 dollarë për onz, që është niveli më i lartë që prej 8 Janarit.

Analistët thonë se ky trend i fortë rritës vjen paralelisht me rënien e dollarit amerikan dhe shqetësimeve mbi inflacionin. Një tjetër faktor pas rritjes së arit është rikthimi i blerësve nga Kina dhe India. Indeksi i dollarit ra me 0.3% kundër shportës së valutave rivale, duke e bërë arin më të lirë për mbajtësit e valutave të huaja.

Javën e kaluar, u publikuan të dhënat mbi çmimet e konsumit në SHBA, që patën rritje në muajin Prill. Një nën tregues i inflacionit u rrit sipër nivelit prej 2% që është objektivi i Rezervës Federale.

Pjesëmarrësit e tregut do të përqendrohen këtë javë në publikimin e raportit mbi punësimin në Shtetet e Bashkuara. Rezerva Federale ka thënë vazhdimisht se pret që rritja e inflacionit të jetë e përkohshme dhe se stimujt monetarë do të qëndrojnë për disa kohë.

Klevis Llaha