Beqir Elshani 

Mjerim, kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti në takim me kryetarin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq, në Bruksel, i cili detyrën e mori me dhunë, me ndihmën e krahut titist të Isa Mustafës, duke rrëzuar kryeministrin zyrtar – Albin Kurtin, në fotografi është shfaqur sikur Kosova të ishte fajtore dhe borxhli ndaj Serbisë kriminale. Siç dihet buzëqeshja është shenjë që tregon lumturinë e personalitetit, me anën e së cilës tregon përshtypje të mirë ndaj personit në takim, megjithatë si përfaqësues i Kosovës nuk është i lumtur, sepse është udhëheqës i popullit të vrarë e të masakruar nga barbaria serbe. Prandaj para se Hoti të emërohej kryeministër i shtetit, duhej të ushtronte mimikën në fytyrë për të mos buzëqeshur para agresorit serb në Bashkimin Europian, sepse është përfaqësues i vendit të vrarë dhe të shkatërruar nga pasojat e luftës së përgjakshme serbe. Buzëqeshje të ngjashme para diplomatit serb e të huaj në shërbim të Serbisë kolonizatore ka treguar edhe ish-kryetari i Kosovës, Hashim Thaçi, si dhe Skënder Hyseni, para diplomatëve të huaj, prej nga dëmtohej integriteti i Kosovës. Tekembramja diplomati serb mund të buzëqeshë me ironi, sepse është vrasës i popullit dhe pushtues i trojeve shqiptare (kujto Sanxhakun me luginën e Preshevës), mirëpo kryeministri i Kosovës, (apo cilido ministër) nuk duhet të buzëqesh, sepse është përfaqësues i popullit të vuajtur shqiptar, që një kohë të gjatë lufton për mbrojtjen e vendit nga agresori serbofashist.

Parashtrohet pyetja, a duhet të shqetësohet populli shqiptar prej buzëqeshjes dhe puthjes diplomatike?! Biologjikisht njerëzit i frikohen akrepit, prandaj edhe prej puthjes dhe buzëqeshjes diplomatike duhet pasur frikë. Buzëqeshja fëmijërore (naive) e ish-kryeministrit të Kosovës, Avdullah Hoti, me kryetarin e Serbisë vrastare, të kujton puthjen historike të kryetarit rus, Leonid Brezhnjev, me kryetarin çekosllovak, Antoni Novotni, e cila ngjau pas invadimit të Çekosllovakisë në vitin 1968 nga tanket ruse, që konkretisht do të thotë puthje entuziaste e çizmes pushtuese. Pas tij ka qenë puthja e kryetarit rus, Brezhnjev me liderin gjermanolindor, Erih Honeker, në vitin 1979, domethënë dhjetë vjet para rrënimit të Murit të Berlinit, të cilën populli gjerman e quan puthje e vdekjes që ka kuptimin e vrasjes së popullit që luftonte për bashkim kombëtar të Gjermanisë. Nuk ka asnjë dyshim që puthja dhe buzëqeshja e kaqolëve për karrierizëm përdor të gjitha muskujt në fytyrë e në gjuhë me të gjitha preparatet kimike, pa harruar angazhimin e sistemit nervor, me anën e së cilës zbardh dhëmbët. Shkencërisht dihet që puthja dhe buzëqeshja janë shprehje e gjendjes shpirtërore të njeriut, prandaj kanë kuptimin e skllavërimit të popullit dhe nënshtrimit politik të vendit ndaj armikut.

Ju pëlqen!

Padyshim që fotomontazhi i kombinuar është një tregim i plotë i ngjarjes. Një ngjarje të tillë paraqet fotografia e kombinuar e kryetares së Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, duke larguar prej Kuvendit të Kosovës portretin e Isa Mustafës dhe të Hashim Thaçit, të cilët një kohë të gjatë e zhvatën dhe e plaçkitën atdheun duke i shkaktuar dëmtime të dyanshme: si në fushën ekonomike ashtu edhe në fushën diplomatike. Shkurt e qartë, e varfëruan Kosovën. Për fat të keq, kontejnerët e mbeturinave janë mbushur me fotografi të politikanëve disfatistë, sa që edhe pastruesit e kryeqendrës po hasin në vështirësi. Jam tronditur kur në vitin 2004 në Kuvendin e Kosovës u mbuluan pikturat me motive kombëtare, vetëm pse ishin personalitete shqiptare, të cilët vendin e kanë mbrojtur nga Perandoria Turke dhe fill pas saj nga “perandoria” jugosllave. U mbuluan pikturat madhështore “Kuvendi i Lezhës” dhe “Lidhja e Prizrenit” ndonëse ishin piktura të mesjetës shqiptare, me motive lufte kundër perandorisë së madhe turke. Prandaj shovinizmi serb tradicionalisht nuk duron asgjë shqiptare, edhe pse në tokën shqiptare, të cilën Serbia e kolonizoi në vitin 1913 në Konferencën e Ambasadorëve në Londër. Flitet se mbulimi, apo heqja e pikturave shqiptare është bërë për shkak të bojkotimit të deputetëve serbë, që nuk pranonin të merrnin pjesë në kuvendin republikan.

©MekuliPress/ Ndaje artikullin me familjen dhe miqtë tuaj. MekuliPress mbetet e pandikuar nga partitë politike. FOTO: No copyright infringement is intended.