Çka simbolizon lutja?

Sead Zimeri

Për mua lutja është thelbi i solidarizimit me njeriun si njeri, është dëshira më e pastër që buron nga vetë njeriu për ta parë tjetrin në gjendje të mirë. Esenca e lutjes është dëshira e besimtarit që ta shohë tjetrin në mirëqenie e jo duke vuajtur. Lutja shënjon dëshirën e largimit të vuajtjeve nga vetja dhe tjetri. Në lutje del në pah njeriu si duhet të bëhet dhe të jetë për njeriun, që ai në momente të qetësisë shpirtërore, kur ndahet me Zotin e vet, i dëshiron të mirën tjetrit. Një besimtar i vërtetë do të turpërohej nga Zoti i tij që para tij të dalë me zemër të mbushur me urrejtje për tjetrin. Pastërtia e zemrës tregohet në lutjen që bën për veten dhe për tjetrin.

Ju pëlqen!

Lutja, besoj unë, nuk është moment dobësie por është moment mirësie sepse në ato momente njeriu i dëshiron të mirën tjetrit dhe vetes. Si rregull, njeriu lutet për largimin e ndonjë të keqe apo rritjen e ndonjë të mire. Këto janë momente kur njeriu tejkalon emocionet negative (të urrejtjes, përbuzjes, diskriminimit, e kështu me radhë) duke i dëshiruar të mirën të gjithëve që mund të preken nga ndonjë fatkeqësi.

Prandaj, është gabim të konsiderohet lutja si ndonjë lloj magjie që besimtarët e përdorin ose për ta manipuluar Zotin ose për ta fshehur përtacinë dhe paaftësinë e tyre përballë dukurive që ata nuk mund t’i kontrollojnë. Jo, kjo nuk është aspak e vërtetë dhe është qasje e gabuar ndaj lutjes. Me rëndësi në lutje është që njeriu solidarizohet me njeriun tjetër dhe i dëshiron largimin e të keqes nga ai. Unë mendoj që ky është efekti më i madh, më i bukur, dhe më pozitiv i lutjeve të besimtarëve, pra ata përmes lutjeve shfaqin humanitetin e tyre të dëlirë.

Kur një besimtar lutet ai kërkon që e mira t’i prekë të gjithë, edhe ata që nuk nuk luten, e madje edhe ata që bëjnë keq. Njeriu bën keq sepse ai është privuar nga ndonjë e mirë, është prekur nga ndonjë e keqe, dhe lutja për të është lutje që t’i largohet e keqja, që edhe ai të preket nga e mira. Lutja është kundërta e detyrimit të tjetrit, apo edhe e përpjekjes për ta bindur tjetrin me argumente. Në lutje nuk ka as detyrim dhe as përpjekje për pehlivanllëk intelektual. Ka vetëm dëshirē që njeriu të mbulohet me të mira. Lutja është angazhim shpirtëror për tjetrin, që edhe tjetri të pajiset me të mira pavarësisht bindjeve të tij. Në lutje të sinqertë njeriu shikohet vetëm si njeri.

Mua më irritojnë talljet e ateistëve mendjengushtë me besimtarët që në lutjet e tyre nuk shohin asgjë tjetër pos bestytni dhe viktima të iluzioneve fetare. Në fakt këtu viktima janë ateistët mendjengushtë sepse në lutje shfaqet njerzillëku i njeriut në formën më të pastër të saj. Prandaj, lutuni edhe ju që nuk besoni, duke dëshiruar që njeriu të begatohet me të mira e t’i largohen të këqiat.

Mekuli Press është në prag të mbylljes. Kemi nevojë për mbështetjen tënde, i dashur lexues. Na ndihmo sot edhe me vetëm 1 Euro! - FOTO: No copyright infringement is intended.