Kur bëhet fjalë për të komunikuar, ne të gjithë mendojmë se jemi mjaft të mirë. Por e vërteta qëndron se,  edhe pse disa prej nesh janë të aftë në komunikim, ende nuk janë aq të aftë sa mendojnë. Studiuesit në Shkollën e Biznesit, të Universitetit të Çikagos, e kanë vënë këtë teori në provë dhe ajo që zbuluan është befasuese. Gjatë studimit, pjesëmarrësit komunikuan me njerëz që i njihnin mirë dhe më pas me njerëz që nuk do të takoheshin më kurrë. Studiuesit zbuluan se njerëzit që e njihnin njëri-tjetrin e kuptonin njëri-tjetrin jo aq mirë sesa njerëzit që sapo ishin takuar!

Por ajo çka ishte më e habitshme, ishte fakti se pjesëmarrësit në studim, shpesh mbivlerësuan aftësinë e tyre për të komunikuar, dhe kjo gjë ishte më e theksuar me njerëzit që ata njihnin mirë.

Problemi ynë në komunikimin me miqtë është se ne kemi një iluzion të mirëkuptimit,” tha bashkëpunëtori në studimin e kryer, Nicholas Epley. –Kur komunikojmë me njerëzit që njohim mirë, bëjmë supozime për atë që kuptojmë, dhe kjo ndodh pasi këto supozime nuk guxojmë t’i bëjmë me të huajt. Kjo tendencë për të mbivlerësuar se sa mirë ne komunikojmë me ata që njohim, dhe sesa mirë kuptohemi është kaq shumë e përhapur, saqë edhe psikologët kanë një emër për të: ‘’paragjykim midis afërsisë dhe komunikimit.’’

Ju pëlqen!

Më poshtë, ju rendisim disa mënyra se si ju mund të aftësoni veten tuaj, për të zotëruar sa më mirë aktin e komunikimit.

Së pari, është shumë e nevojshme që njërëzve të cilët ju po i drejtoheni për të komunikuar, t’ju dëgjojnë të gjithë. Një nga gabimet më të mëdha, për një udhëheqës është trajtimi i komunikimit si një rrugë me një drejtim, çka do të thotë se kur ju komunikoni, duhet t’u jepni të gjithë njërëzve aty, mundësi të mjaftueshme për të folur dhe për të shprehur mendimet e tyre. Nëse kuptoni se shpesh, jeni ju ai që e thoni fjalën e fundit në fund të bisedës, atëherë ky është një tregues që duhet të punoni më shumë në këtë aspekt.

Së dyti, është shumë e rëndësishme që ju të krijoni një atmosferë komode mes jush dhe atyre që po i drejtoheni. Maya Angelou, ka thënë më së miri: “Njerëzit do ta harrojnë atë që keni thënë dhe bërë, por ata kurrë nuk do të harrojnë se si i keni bërë ata të ndihen.” Si udhëheqës, komunikimi juaj është i pavlerë nëse njerëzit nuk lidhen me të në një nivel emocional. Dhe për t’u lidhur emocionalisht me ata që po bisedoni, ju duhet të jeni transparent.  Por shumicën e kohës, autoriteti juaj e bën të vështirë që njerëzit të thonë atë që mendojnë vërtet. Pa marrë parasysh se sa mirë i keni marrëdhëniet me vartësit tuaj, ju do gënjeni veten, nëse mendoni se ata janë aq të hapur në komunikim, sa janë me kolegët e tyre. Pra, duhet të jeni të aftë të kuptoni mesazhet e pashprehura. Pasuria më e madhe e informacionit qëndron në gjuhën e trupit të njerëzve.

Dhe së fundmi, një përgatitje e vogël paraprake, do ju ndihmonte shumë që ju t’i njihnit punonjësit tuaj me idenë e përgjithshme se mbi çfarë do të flisni. Kjo formë komunikimi, do ju ndihmonte që të arrini të jeni sa më i qartë, mbi atë që do të jetë fokusi juaj kryesor i bisedës. Mos harroni se komunikimi është një element dinamik i lidershipit, i cili është pjesë e rëndësishme e asaj që ju bëni çdo ditë.

Elefteria Zguri /MekuliPress.com/ 
Shpërndaje dhe Pëlqeje MekuliPress

MekuliPress është në prag të mbylljes. MBËSHTETE SOT GAZETARINË E PAVARUR DHE ORIGJINALITETIN E MEKULIPRESS. Kemi shumë nevojë për mbështetjen tënde, i dashur lexues. NA NDIHMO sot, të paktën edhe me 1 Euro!