Nëse dikush do t’ju kërkonte t’i përshkruanit identitetin tuaj, nga do ta fillonit? A do të varej ky përshkrim nga ngjyra e lëkurës apo kombësia juaj? Po në lidhje me gjuhën që flisni, fenë, traditat tuaja kulturore apo origjinën e familjes suaj?

Kjo pyetje që krijon jo pak konfuzion, i shtyn shpesh njerëzit që ta ndajnë identitetin në 2 pjesë: raca përkundrejt përkatësisë etnike. Por çfarë nënkuptojnë në fakt këto dy terma, dhe cili është ndryshimi midis racës dhe përkatësisë etnike?

Këto fjalë përdoren shpesh në mënyrë të ndërsjellë, por teknikisht ato përcaktohen si gjëra të veçanta. “Raca dhe etnia, janë përdorur dhe vazhdojnë të përdoren si mënyra për të përshkruar diversitetin njerëzor”- thotë Nina Jablonski, antropologe dhe paleobiologe në Universitetin Shtetëror të Pensilvanisë, SHBA, e cila njihet për kërkimet e saj në lidhje me evolucionin e ngjyrës së lëkurës së njeriut.

“Raca kuptohet nga shumica e njerëzve si një përzierje e tipareve fizike, të sjelljes dhe atyre kulturore. Ndërkohë etnia bazohet tek dallimet midis njerëzve, kryesisht në bazë të gjuhës dhe kulturës së përbashkët”- thekson ajo. Pra shpesh raca perceptohet si diçka që është e natyrshme në biologjinë tonë, dhe për këtë arsye trashëgohet ndër breza.

Nga ana tjetër, përkatësia etnike, kuptohet zakonisht si diçka që ne e fitojmë, ose e përshkruajmë veten, bazuar në faktorë si vendi ku jetojmë, apo kultura që ndajmë me të tjerët. Por çështja e racës kundrejt përkatësisë etnike, ekspozon në fakt edhe të meta të mëdha dhe të vazhdueshme mbi mënyrën se si ne i përkufizojmë këto dy tipare, të meta që sidomos kur flitet për racën, u kanë dhënë atyre një ndikim të madh social në historinë njerëzore.

Ideja e ”racës”, e ka origjinën nga antropologët dhe filozofët e shekullit XVIII-të, të cilët e përdorën vendndodhjen gjeografike dhe tiparet fenotipike si ngjyra e lëkurës, për t’i klasifikuar njerëzit në grupime të ndryshme racore.

Kjo krijoi jo vetëm konceptin se ekzistojnë “lloje” të veçanta racash, por nxiti gjithashtu idenë se këto dallime e kishin një bazë biologjike. Ky parim plot me të meta, hodhi themelet për besimin se disa raca ishin superiore ndaj të tjerave, duke krijuar një çekuilibër të fuqisë globale nga i cili përfituan evropianët e bardhë mbi grupet e tjera, në formën e tregtisë së skllevërve dhe kolonializmit.

“Ne nuk mund ta kuptojmë racën dhe racizmin jashtë kontekstit të historisë, dhe më e rëndësishmja atij ekonomik. Dhe kjo sepse nxitësi i tregtisë ishte kapitalizmi dhe akumulimi i pasurisë”- thotë Xhejn O.Ifekvunigve, antropologe mjekësor në Qendrën për Gjenomikën, Racëb, Identitetin dhe Diferencat (GRID) në Institutin e Kërkimeve të Shkencave Sociale(SSRI) të Universitetit Djuk.

Efektet e kësaj historie dominojnë edhe sot, madje edhe në përkufizimet aktuale të racës, ku ekziston ende një supozim themelor, sipas të cilit tiparet si ngjyra e lëkurës ose struktura e flokëve kanë baza biologjike, gjenetike, të cilat janë krejtësisht unike për grupime të ndryshme racore.

Por kjo premisë nuk ka baza shkencore. “Nëse merrni një grup prej 1000 personash nga “racat” e njohura të njerëzve të sotëm, do të gjeni shumë ndryshime brenda secilit grup. Sasia e variacionit gjenetik brenda secilit prej këtyre grupeve, është më e madhe sesadiferenca mesatare midis çdo dy grupeve racore. Për më tepër, nuk ka gjene që janë unike për ndonjë “racë” të veçantë”- shton Jablonski.

Me fjalë të tjera, nëse krahasoni gjenomet e njerëzve nga pjesë të ndryshme të botës, nuk ka variante gjenetike që ndodhen tek të gjithë anëtarët e një grupi racor, por jo tek një grup një tjetër. Ky përfundim është arritur nga shumë studime të ndryshme.

Për shembull, evropianët dhe aziatikët, ndajnë gati të njëjtin grup variacionesh gjenetike. Grupimet racore që kemi shpikur, janë në fakt gjenetikisht më të ngjashme me njëri-tjetrin sesa të ndryshëm, dhe kjo do të thotë se nuk ka asnjë mënyrë për të ndarë përfundimisht njerëzit në raca sipas biologjisë së tyre.

Këtë e tregojnë vetë kërkimet e Jablonskit mbi ngjyrën e lëkurës. “Hulumtimi ynë ka zbuluar se ngjyrat e njëjta ose të ngjashme të lëkurës, kanë evoluar shumë herë në kushte të ngjashme diellore gjatë historisë tonë. Ndaj një klasifikim i njerëzve bazuar në ngjyrën e lëkurës, do tëna jepte një grupim interesant njerëzish bazuar në ekspozimin e paraardhësve ndaj niveleve të ngjashme të rrezatimit diellor. Por kjo do të ishte e pakuptimtë”– thotë ajo.

Është e vërtetë që ne e identifikojmë në mënyrë rutinore racën e njëri-tjetrit si “e zezë”, “e bardhë” ose “aziatike”, bazuar në shenjat vizuale. Por këto janë vlera që njerëzit kanë zgjedhur t’i atribuojnë njëri-tjetrit ose vetes.

Problemi lind kur e ngatërrojmë këtë zakon shoqëror me të vërtetën shkencore, pasi nuk ka asgjë në gjenomin e individëve, që mund të përdoret për t’i ndarë ato në vija kaq të qarta racore. Kjo ekspozon gjithashtu dallimin kryesor midis racës dhe përkatësisë etnike.

Ndërsa raca u atribuohet individëve në bazë të tipareve fizike, etnia zgjidhet më shpesh nga individi. Dhe për shkak se përfshin gjithçka, nga gjuha, tek kombësia, kultura dhe feja, ajo u jep mundësi njerëzve që të marrin disa identitete.

Kështu dikush mund të zgjedhë ta identifikojë veten si aziatiko-amerikan, britaniko–somalez apo një hebre ashkenazi, duke u mbështetur në aspekte të ndryshme të identitetit të tyre racor, kulturës, prejardhjes dhe fesë. Përkatësia etnike, është përdorur për të shtypur grupe të ndryshme, siç ndodhi gjatë Holokaustit, apo me gjenocidin e Ruandës.

Raca dhe përkatësia etnike, mund të jenë koncepte kryesisht abstrakte, por kjo nuk e anashkalon ndikimin e tyre shumë të vërtetë në botën reale. Përcaktimi i njerëzve sipas racës, është i rrënjosur në mënyrën se si janë strukturuar shoqëritë, si funksionojnë ato dhe si i kuptojnë qytetarët e tyre. Perceptimet mbi racën, diktojnë edhe mbi mënyrën se si ne ndërtojmë identitetet tona, megjithëse kjo nuk është gjithmonë diçka negative.

Marrë me shkurtime