Në vitin 2023, 36 nga 100 universitetet më të mira globale do të jenë në Evropë.

Kjo është një rritje e konsiderueshme nga 28 universitete që nga publikimi i raportit të “Times Higher Education Rankings World University 2011”.

Megjithatë, kjo nuk është performanca më e mirë në 13 vitet e fundit, pasi vendet evropiane kishin 42 universitete në listën e Top 100 Global në vitin 2016, shkruan Euronews, përcjell Telegrafi.

Ju pëlqen!

Përveç tri universiteteve britanike, përkatësisht Universitetit të Oksfordit, Universitetit të Kembrixhit dhe Kolegjit Imperial të Londrës (ICL), vetëm ETH Zurich i Zvicrës është renditur në Top 10 në 13 vitet e fundit.

Por si kanë ndryshuar universitetet më të mira në Evropë në dekadën e fundit dhe cilat vende evropiane po ecin mirë për sa i përket universiteteve më të mira?

Sipas shkrimit të Euronews, renditja e universiteteve botërore të Times Higher Education është një listë e publikuar çdo vit, e cila në vitin 2023 përfshin 1799 universitete nga 104 vende dhe rajone.

Lista është përgatitur bazuar në 13 tregues që matin performancën e një institucioni në katër fusha: mësimdhënie, kërkime shkencore, bartje njohurish dhe perspektivë ndërkombëtare.

Të qenit në Top 10 është gjë shumë prestigjioze për universitetet kryesore dhe në këtë drejtim universitetet në Shtetet e Bashkuara dhe në Mbretërinë e Bashkuar dominojnë renditjen e Top 10.

Ndërkohë vetëm 13 universitete të ndryshme kanë arritur të fitojnë renditjen në Global Top 10 që nga viti 2011.

Katër prej tyre janë në Evropë, ndërsa nëntë të tjerat janë në SHBA.

Universiteti i Oksfordit dominon në renditje

Universiteti i Oksfordit u emërua universiteti më i mirë në botë për të shtatin vit radhazi në renditjen e “2023 Times Higher Education”.

Universiteti i Kembrixhit ishte gjithashtu në Top 10 për të gjithë atë periudhë kohore, ndërsa ICL arriti të qëndrojë në listë për 11 vjet.

ETH Zurich i Zvicrës u rendit i nënti në 2016 dhe 2017, dhe i dhjeti në 2018.

Ndër institucionet amerikane të përmendura në Top 10 në këtë periudhë ishin Universiteti i Harvardit, Universiteti i Stanfordit, Instituti i Teknologjisë i Masaçusetsit (MIT), Instituti i Teknologjisë i Kalifornisë, Universiteti Princeton, Universiteti i Kalifornisë Berkeley, Universiteti Yale, Universiteti i Çikagos, dhe Universiteti i Pensilvanisë.

Cilat universitete “po bëjnë mirë” në Evropë?

Në renditjen e Times 2023, 15 universitete evropiane u renditën në mesin e 50 institucioneve më të mira në botë dhe 36 ishin në 100-shen më të mirë.

Përveç Oksfordit, Kembrixhit, ICL dhe ETH Cyrihut, këto përfshijnë: “University College London (22)”, “University of Edinburgh (29)”, “Technical University of Munich (30)”, “LMU Munich (33)”, “King’s College London (35)”, “London School of Economics and Political Science (37)”, “École Polytechnique Fédérale de Lausanne (41)”, “KU Leuven (42)”, “Heidelberg University (43)”, “Paris Sciences et Lettres – PSL Research University (47)”, si dhe “Karolinska Institute (49)”.

Cilat vende evropiane kanë universitete në Top 100?

Numri i universiteteve në Evropë që renditen në “Top 100 Global” ka ndryshuar gjatë 13 viteve të fundit.

Në vitin 2011 janë përfshirë 28 universitete evropiane, duke arritur kulmin prej 42 në vitin 2016.

Mesatarja vjetore në këtë periudhë ka qenë 35.4 universitete.

Britania e Madhe është renditur gjithmonë më e mira në Evropë dhe asnjë vend tjetër nuk ka arritur ta kalojë atë, shkruan Euronews, përcjell Telegrafi.

Numri i universiteteve britanike në Top 100 Global ka variuar nga 10 në 16 që nga viti 2011.

Gjermania dhe Holanda kanë pasur gjithashtu një numër të konsiderueshëm universitetesh në Top 100.

Përveç këtyre tri vendeve, asnjë vend tjetër evropian, përfshirë Francën, nuk ka pasur pesë universitete në Top 100.

Universitete nga 12 vende evropiane renditen në Top 100

Mbretëria e Bashkuar, Gjermania, Holanda, Zvicra dhe Franca kanë të paktën një universitet në Top 100 çdo vit që nga viti 2011.

Në total, vetëm 12 vende evropiane – ku përfshihen BE-ja, Britania e Madhe, Zvicra, Norvegjia dhe Turqia – kanë pasur një universitet në Top 100 të paktën një herë në këtë periudhë, dhe tre prej tyre, përkatësisht Irlanda (2011), Italia (2015), dhe Turqia (2015) e arritën këtë vetëm një herë.

20 vende/territore në Top 100

Universitetet amerikane dominojnë qartësisht në Top 100, duke filluar nga 53 institucione në 2011 në 34 në 2023.

Mesatarja vjetore në këtë periudhë ka qenë 42.7 universitete.

Njëzet vende dhe territore kanë pasur universitete në Top 100 të paktën një herë në 13 vitet e fundit.

Në vitin 2023, Kina dhe Australia kanë shtatë universitete në Top 100, ndërsa pesë në Hong Kong dhe katër në Kanada u përfshinë në renditje.

Në vitin 2023, karakteristikë është ngritja e Kinës. Në Top 100 janë shtatë universitete nga Kina kontinentale, numri më i lartë për këtë vend që nga viti 2011.

Kina nuk kishte më shumë se tre universitete në Top 100 deri në vitin 2020. /Telegrafi/

MekuliPress është në prag të mbylljes. MBËSHTETE SOT GAZETARINË E PAVARUR DHE ORIGJINALITETIN E MEKULIPRESS. Kemi shumë nevojë për mbështetjen tënde, i dashur lexues. NA NDIHMO sot të paktën edhe me 1 Euro!