“Një javë nuk kish hëngër dhe as nuk kish pi. Dhe këtë nuk e ka ditë nëna se kisha fol edhe isha mundu me ndal. Por nuk e di. Policia ka thënë që fati i tij ka qenë që revolja ka qenë e vogël edhe ka mbet gjallë. Tash është në Intensivë në gjendje kome. Gati 30 vjet ka shit cigare nëpër rrugë tu mundu me mbajt veten. E ka ndërtuar shtëpinë me kredi dhe qe 11 vjet është duke paguar për atë kredi. Ndoshta ju ka mbush kryet se nuk mundet me i mbulu harxhimet edhe ka bo diçka që nuk duhet me bo” ka thënë ajo.

Ajo tutje thotë se njerëzit vullnetmirë janë duke u ndihmuar me pako ushqimore mirëpo deri tani nuk kanë parë një ndihmë konkrete nga komuna. Shton se është e nevojshme ndihma e institucioneve deri në tejkalimin e gjendjes.

“Po na ndihmojnë njerëzit po mirë është me ndihmu edhe komuna derisa të kalon kjo. Gjendja e tij është e rëndë është në Prishtinë në Intensivë. Tash në familje ka filluar me punu çika e madhe e tij. Po shkojnë po vizitojnë në Prishtinë po i dërgon një dajë i tyre i cili ka marrë edhe leje sepse u bo vështirë me ecë në këtë kohë kur janë ndal të gjitha gjërat” është shprehur ajo.

Ndërkaq 51 vjeçari po vazhdohet të mbahet në përkujdesje intensive në QKUK. Shefi i Intensives, Shaqir Uka deklaron se gjendja shëndetësore e pacientit është e rëndë.

“Ai është sjell tek ne me 14 prill dhe në momentin kur ka ardh tek ne pas ekzaminimeve radiologjike është vendosur indikacioni gjegjësisht arsyshmëria për intervenim kirurgjik i cili është kryer në ditën e pranimit për shkak të dëmtimit që pacienti ka pasur në regjionin e kokës nga një armë e zjarrit. Pas intervenim kirurgjik pacienti është sjellë për trajtim të mëtutjeshëm në klinikë. Pacientit i janë bërë ekzaminimet e mëtutjeshme radiologjike, laboratorike dhe në koordinim të operatorit gjegjësisht neurokirurgut i cili ka kryer intervenimin kirurgjik ditën e premte i janë ndalur barnat dhe është arritur që të largohet nga aparati i frymëmarrjes ditën e shtunë, pra dje. Pacienti vazhdon të qëndrojë dhe të merr tretmanin mjekësor në njësinë e mjekimit intensivë qendror dhe gjendja e përgjithshme vazhdon të jetë e rëndë” ka thënë Uka.

Ndërkaq komuna e Gjilanit deklaron se nuk kanë informacione që ky rast të ketë ndodhur.

Drejtori i Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale, Selami Xhemajli deklaron se nuk ka pranuar asnjë informatë për këtë ngjarje nga asnjë institucion.

Ai thotë se do t’i dalin në ndihmë familjes nëse ata deklarojnë se kanë nevojë për një gjë të tillë.

”Në fazën e parë për familjet në nevojë kemi shpërndarë rreth 1 mijë e pako ushqimore dhe në fazën e dytë do të shpërndajmë 1 mijë e 700 pako ushqimore. Nuk kam informatë për këtë rast që ka ndodhur. Do të ndihmojmë këtë familje me kapacitet tona nëse kërkojnë ata një gjë të tillë. Do të shohim se çfarë ka ndodhur” ka thënë Xhemajli.

Kurse zëdhënësi i Policisë Rajonale në Gjilan, Ismet Hashani ka deklaruar se ai mundet të konfirmojë vetëm se ka pasur një tentim vetëvrasje. “Po vetëm mundem me konfirmu. Por sot s’kam më tepër informata” ka thënë ai.