Ciceroni i la njerëzimit, të mirëpërcaktuara, gjashtë gabimet që përsërisin brezat:

1- Besimi se fitimi personal arrihet duke shkatërruar të tjerët.

2- Shqetësimi për gjërat që s’mund të ndryshohen.

Ju pëlqen!

3- Këmbëngulja se një gjë është e pamundur, vetëm sepse ne nuk mund ta arrijmë.

4- Refuzimi për të lënë mënjanë preferencat e parëndësishme.

5- Neglizhenca e zhvillimit dhe sqimës së mendjes.

6- Përpjekja për të detyruar të tjerët të besojnë dhe të jetojnë si ne.

7 dhjetori i vitit 43 p.e.s është data e vrasjes të Marcus Tullius Ciceronit – konsull romak, filozof, politikan, jurist, orator e konstitucionalist, nga me te shquarit e antikitetit. Ekzekutohet si armik i Romës, kur ajo po shndërrohej me shpejtësi, nga Republikë në Perandori, nga udhëheqje kolegjiale (Senati) në atë të një njeriu të vetëm (Perandori)

Veç orator i përkryer, shkruan MekuliPress, ai ishte edhe një prej politikanëve më të mirë të Romës. Ciceroni fitoi famë me kundërshtimin e tij ndaj Jul Qezarit, i cili, kërkonte të bëhej i plotfuqishëm; më vonë, ai denoncoi Mark Antonin që nuk riktheu republikën (pas vdekjes së Qezarit); kritikoi edhe Oktavianin që synonte të bëhej perandor. Ciceroni u fal nga Qezari kur ky u kthye në Romë pas fitores ndaj Pompeit, por nuk mundi t’i shpëtonte zemërimit të Mark Antonit dhe Oktavianit që e ndoqën dhe e vranë si armik te shtetit; koka iu pre, duart iu gjymtuan, trupi iu nda copa-copa – shkruajnë kronikanët.

Ciceroni ra viktimë e pasioneve politike të kohës.

Ai ishte njeri i mësuar që e donte vendin e tij. Me kalimin e shekujve, Roma përjetoi trazira, përmbysje; shkrimet e Ciceronit u zhdukën; më pas u ruajtën nga murgjit në manastire.

Zbulimi nga Petrarka i letrave të Ciceronit, në shek.14-të, dhe publikimi i tyre, është cilësuar si shkëndija e pare e Rilindjes evropiane. Kjo Rilindje solli gjithashtu ringjalljen e Ciceronit, dhe, vetëm pas tij e nëpërmjet tij, edhe ringalljen e pjesës tjetër të lashtësisë klasike.

Kulmi i prestigjit të Ciceronit erdhi gjatë periudhës së iluminizmit (shek.18-të); ndikimi i tij është vënë re te mendimtarët si John Locke, David Hume dhe Montesquieu; veprat e Ciceronit renditen mes atyre më me ndikim në kulturën evropiane dhe ende përbëjnë një nga burimet më të rëndësishme të materialit parësor për shkrimin dhe rishikimin e historisë romake, sidomos në ditët e fundit të Republikës, kur filozofin e masakruan.

Mekuli Press është në prag të mbylljes. Kemi nevojë për mbështetjen tënde, i dashur lexues. Na ndihmo sot edhe me vetëm 1 Euro! - FOTO: No copyright infringement is intended.