Kaosi i kalendarëve e mospërputhja midis kompeticioneve e krijuar pas ndalimit të detyruar të futbollit evropian mund ti kushtojë shtrenjtë shumë ekipeve. Mes tyre është edhe Red Bull Leipzig, që duket tashmë i detyruar të shesë me titull përfundimtar yllin e skuadrës, Timo Werner, e që me shumë mundësi nuk do ta ketë në dispozicion për fazat finale të Champions League. Sipas Bild, në fakt, Chelsea do të paguajë shumë shpejt klauzolën e zgjidhjes së kontratës së sulmuesit e ka ndërmend ta thërrasë në Londër që në fund të qershorit, pa pritur që të përfundojë impenjimet sezonale me klubin gjerman.

Sezoni 2019/2020 do të mbyllet zyrtarisht me finalen e Champions, ndërsa Werner nuk mund të luajë asnjë ndeshje me Blues deri në shtator, por sipas raportit të medias gjermane Lampard nxiton ta përfshijë me pjesën tjetër të skuadrës, për të përshpejtuar procesin e tij të adaptimit me realitetin e ri të Premier.

Sulmuesi nga Shtutgarti ka realizuar deri tani 31 gola e 13 asist në 42 prezenca sezonale me Leipzig, duke i udhëhequr të tijtë në cerekfinale të Champions, pasi ka nxjerrë jashtë Tottenham të Mourinho. Kështu, të heqë dorë nga luajtja e kompeticionit më të rëndësishëm europian për klube në të cilën është bërë i madh, është një sakrificë jo e vogël, por në Gjermani duken të sigurtë se ai është i gatshëm ta pranojë, për të patur më shumë kohë të adaptohet e mbi të gjitha të mos rrezikojë të shkatërrojë investimin e Chelsea me një dëmtim. Situata mbetet delikate e javët e ardhshme do të jenë vendimtare për të kuptuar cfarë lloj akordi do të arrihet mes palëve. E gjitha kjo në pritje që Uefa të zyrtarizojë formatin për të përfunduar kupat, vendim që do të arrijë të mërkurën në 17 qershor.