Më 67 vota për, asnjë kundër dhe një abstenim, deputetët e Kuvendit të Kosovës e kanë miratuar në lexim të parë Projektligjin 07/L-014 për plotësimin dhe ndryshimin e Ligjit 07/L-001 mbi Ndarjet Buxhetore për vitin 2020.

Mosrishikimi i buxhetit, sipas Qeverisë, po e mbante peng ekzekutimin pagesave të Pakos Emergjente Fiskale për punëtorët, ndihmat për qiratë e bizneseve si dhe masat e tjera të ndara për pandeminë COVID-19, shkruan Telegrafi.

Menjëherë pas miratimit të parë, Ministria e Financave ka kërkuar që Projektligji të procedohet sa më shpejt në komisione parlamentare në mënyrë që i njëjti të sillet në Kuvend për votimin përfundimtar.

Ju pëlqen!

Ministria thotë se pas hyrjes së tij në fuqi të Ligjit, do të krijohet mundësia për ekzekutimin e pagesave të mbetura për të gjithë përfituesit nga Pakoja Emergjente.

“Menjëherë pas miratimit të projektligjit në leximin e dytë dhe hyrjes së tij në fuqi, do të krijohet mundësia ligjore për ekzekutimin e pagesave të mbetura për të gjithë përfituesit nga Pakoja Emergjente Fiskale të cilët janë në pritje dhe të gjitha ndarjeve tjera buxhetore”, njofton MF-ja.

Projektligji i rishikuar parasheh 1 miliard e 788 milionë euro, ndërsa totali i shpenzimeve të rishikuara të buxhetit është 2 miliardë e 620 milionë euro.

Buxheti i rishikuar për vitin 2020 adreson të gjitha sfidat e krijuara nga pandemia COVID-19 dhe gjetjen e mënyrës së financimit të realizimit të programit qeverisës.

Përveç Pakos Emergjente Fiskale, Qeveria e Kosovës në këtë Projektligj ka krijuar edhe një fond, i cili do të shërbejë për rimëkëmbjen ekonomike.

Me rishikimin e bërë të buxhetit janë mobilizuar 600 milionë euro për të mbuluar mungesën e të hyrave prej 232 milionë eurosh si pasojë e pandemisë dhe gjithashtu për të krijuar Fondin për Rimëkëmbje Ekonomike në shumë prej 385 milionë eurosh.

Sipas Programit Qeverisës 2020-2023 të prezantuar nga Qeveria e Kosovës, pritet të mobilizohen mbi 1 miliard euro për dy vite.

“Këto masa do të përmblidhen në kuadër të ‘Programit për Rimëkëmbjen Ekonomike pas pandemisë COVID-19’, i cili program do të mobilizojë mbi 1 miliardë euro gjatë vitit 2020 dhe 2021 që do të futen në ekonomi. Do të themelohet Fondi për Rimëkëmbjen Ekonomike pas pandemisë COVID-19, ku do të grumbullohen mjetet që do të dedikohen për qëllime të mbështetjes ekonomike dhe sociale për të tejkaluar pasojat e pandemisë”, thuhet në program.

Kujtojmë se më 15 mars, me 63 vota për, asnjë kundër dhe abstenim ishte votuar buxheti i Kosovës për vitin 2020 në vlerë prej 2 miliardë e 357 milionë euro.

Ndoshta ju pëlqen!/MekuliPress/ Nëse keni shijuar këtë artikull, ndajeni atë me familjen dhe miqtë tuaj! MekuliPress mbetet e pandikuar nga partitë politike!