Çfarë nuk dinë gazetarët fetishë të Topit?

Elvis Hoxha:

  1. Gazetarët e Top Channelit po na thonë se ne shqiptarët nuk kemi të drejtë të ndërhyjmë në politikën e Republikës së Shqipërisë. Ndoshta janë mësuar që politikën e shqiptarëve e drejtojnë zakonisht zyrat e shteteve fqinjë. Gazetarët mjeshtra të Topit nuk e kuptojnë se ne të Lëvizjes Vetëvendosje! e mendojmë çështjen e shqiptarëve si çështje të shqiptarëve. Këta gazetarë i tmerron bashkimi i shqiptarëve.
  2. Nëse nga studimi i pabublikuar marrim vesh se shumica e fortë e shqiptarëve janë për bashkim të shqiptarëve, duket se shumica e gazetarëve që reklamon Topi nuk kanë të njëjtën ide. Në fakt, kjo është e njohur. Në mediat, shoqërinë tonë civile klienteliste, ideja se shqiptarët nuk e meritojnë bashkimin dhe as duhet ta synojnë, ka qenë gjithnjë paradigmë drejtuese.
  3. Gazetarët e Topit së pari e shohin bashkimin e shqiptarëve si gjë të panatyrshme, por atë me serbët e shohin si krejt normale. Së dyti, për ta serbët mund të ndërhyjnë në çështjet e Kosovës, por Republika e Shqipërisë nuk ka të drejtë të merret me çështjet e Kosovës.
  4. Një analist me emrin e dyshimtë Cili? që nuk merr vesh asgjë nga metoda e as nga marksizmi shkon e flet për neo-marksizëm. Për këtë Cilin e tërë e majta është marksiste dhe e tërë e djathta është neoliberale ngaqë nuk e njeh fare as të majtën e as të djathtën. Por meqë edhe Eni Vasili nuk di më shumë, i pëlqen të thërrasë si analist të madh Cilin. Kështu që nuk do të ndihet keq. Do të ishte mirë që Eni Vasili t’i ftojë përballë Albinit tërë analistët e topave dhe klaneve. Kështu që e kuptojmë një herë e mirë injorancën dhe ligësinë e tyre dhe nuk jemi më peng të ekraneve dhe telenovelave të studiove të debatit.
  5. Cili na flet edhe për Ahtisaarin si figurë e madhe botërore. Cilit i pëlqen statusi i qytetarit serb të Kosovës tri herë më i lartë se ai i qytetarëve shqiptarë të një shteti. Cilit i pëlqen ideja e enklava serbe, demarkacioni, zajednica, multietniciteti i Kosovës, e ndoshta i kërkon të njëjtët fate edhe për Republikën e Shqipërisë. Siç e thotë edhe vetë, rëndësia e tij në studio qëndron në faktin se duhet të flasë kundër Albin Kurtit, por e pranon dhe vetë se nuk është askush për me folë për bashkimin e shqiptarëve, veçse për të deklaruar se bashkimi i shqiptarëve është ëndërr pa kuptim. Eh pra, këtë nuk mund ta kuptojë kurrë një analist që ka jetuar e ka përfituar në kurriz të pronës publike të shqiptarëve. Ai nuk mund të kuptojë kurrë se ëndrra më me kuptim që shqiptarët duhet të kenë në cilësinë e tyre si shqiptarë, është bashkimi i shqiptarëve. Ndërsa fakti që ekzistojnë njerëz si Cili që flasin kundër bashkimit të shqiptarëve duke u deklaruar shqiptarë, ja ç’është fare pa kuptim. Që njerëz të tillë janë më shpesh në studiot e televizioneve me liçencë kombëtare, ja ç’është pa kuptim.
  6. Nga ana tjetër, bashkimi nuk bëhet me vjersha, na thotë Cili. Sepse për Cilin dëshmorët, lufta, lëvizjet Ilegale, pasuritë kombëtare dhe trashëgimia kulturore e shqiptarëve, gratë e përdhunuara, të burgosurit politikë shqiptarë në Jugosllavi dhe Serbi, Albin Kurti në burg e para gjyqeve, protestat e Lëvizjes gjatë 15 viteve, janë vjersha. Ky soj analisi nuk e kupton se vetëm në Tiranë mund të rrish në një studio televizive pikërisht pse je injorant dhe flet kundër kombit tënd. As nuk i shkon mendja se janë dhe mbeten vjersha marrëveshjet e pazbatuara mes Kosovës e Shqipërisë. Cili kërkon ta bindë Albin Kurtin. Por Cili nuk kupton se është krejt i parëndësishëm për Albin Kurtin. Nuk kupton as se dhe kur Albini flet në studio, po i flet shqiptarëve dhe jo Cilit. Cili nuk ka pikë rëndësie, përveçse për Eni Vasilin.
  7. Kuptojmë gjithshtu se Topit i intereson bashkimi i shqiptarëve për arsye abonimesh në kanalin e vet, por jo bashkimi i shqiptarëve për fuqizimin politik, ekonomik dhe kulturor të shqiptarëve. Sepse po u bashkuan shqiptarët, do të kenë kohë të marrin në analizë cilësinë e studiove dhe debateve të topave dhe klaneve.
  8. Analistët e Topit nuk e dinë se shoqëria civile në vështrimin e Vetëvendosjes është shoqëri politike dhe jo klanizëm projektesh e paresh. Shumë gjëra do t’i mësojnë këta soj gazetarësh prej Lëvizjes Vetëvendosje!
  9. Nga Dudushi morëm vesh se shkëmbimi i territoreve të Kosovës me Serbinë është punë e Ramës dhe jo e Partisë Socialiste. Dudushi e shpëtoi Partinë Socialiste nga gjëma antikombëtare e kryeministrit të saj.
  10. Së fundi, duhet falënderuar seriozisht Topi që i bëri këtë shërbim kaq të madh publicitar Qendrës së Lëvizjes Vetëvendosje! në Shqipëri.
Ndoshta ju pëlqen!/MekuliPress/ Nëse keni shijuar këtë artikull, ndajeni atë me familjen dhe miqtë tuaj! MekuliPress mbetet e pandikuar nga partitë politike. Na ndihmoni!
Loading...