Mbledhja e sotme ndërqeveritare është hap konkret, në drejtimin e duhur, por që duhet ndjekur me nxitim nga hapa të tjerë, sepse jemi shumë mbrapa.
Çfarë më pëlqeu:
– Që për herë të parë Shqipëria e Kosova vendosën të kenë një zyrtar të përbashkët. U shtofshin.
– Që qeveritë janë kujdesur të mos nënshkruajnë defterë të kotë, por kanë ndërmarrë hapat legjislativë, institucionalë dhe buxhetorë që marrëveshjet e nënshkruara të zbatohen dhe një pjesë sosh kanë zënë të zbatohen.
– Që marrëveshjet e nënshkruara nuk rrjedhin nga studio lobistësh, por nga kërkesa konkrete komunitetesh që do të përfitojnë nga to.
– Që është buxhetuar studimi i fizibilitetit për hekurudhën Durrës – Prishtinë, projekt vizionar për kombin në shumë aspekte.
– Që janë ndërmarrë lehtësime për punëtorët (leja e punës, sigurimet) e udhëtarët (kontrolli doganor) që shkojnë nga një vend te tjetri.
Çfarë nuk më pëlqeu:
– Që ende gëzohemi për abetaren e përbashkët (mirë që po bëhet më në fund), ndërkohë që do të duhej të ishim te programet e përbashkëta për arsim profesional, universitetet e përbashkëta publike dhe akademia e përbashkët.
– Që jemi ende te kalendari i përbashkët i festave (edhe ky mirë që po bëhet, më në fund), ndërkohë që do të duhej të ishim te plani i përbashkët i ekskursioneve të detyrueshme për shkollat publike, në vendet me interes historik, kulturor e natyror.
– Që për të mbajtur takimin, nga qeveria e Shqipërisë u zgjodh biznesi i një oligarku me tendencë monopoliste (aq më keq që është një oligark me qëndrime eksplicite kundër politikave sociale).
– Që për moszbatimin e marrëveshjeve të mëparshme faji u hidhet atyre të cilët kur emërohen quhen teknokratë dhe ekspertë, kur nuk punojnë siç duhet, quhen burokratë.
Por kush i zgjedh ata, kush i mban e pse i mban nëse janë të tillë?
– Që bashkëpunimi është ende solemn, ceremonial, spektakolar e me kortezi në vend se të jetë i përditshëm, i zakonshëm, solidar dhe pa lajle-lule.
Është sakaq për t’u përshëndetur opinioni i gjerë publik, i cili qartazi e do dhe e mbështet bashkimin, por ruan një skepticizëm të shëndoshë ndaj marrëveshjeve deri sa të shohë që ato të zbatohen. Luga bosh nuk ngop më askënd. Siç ka thënë Saramago, arsyeja pse bota ndryshon, janë pesimistët, po të qe për optimistët do të mbetej gjithnjë ashtu siç është.
Mekuli Press është në prag të mbylljes. Kemi nevojë për mbështetjen tënde, i dashur lexues. Na ndihmo sot edhe me vetëm 1 Euro! - FOTO: No copyright infringement is intended.