Çfarë kërkonte Lidhja e Prizrenit?

Në varësi të zhvillimeve diplomatike në Kongresin e Berlinit, vepronte edhe komiteti i Lidhjes. Kështu, në fillim të nëntorit 1878 u mbajt në Dibër një kuvend i madh në kuadër të Lidhjes së Prizrenit, ku morën pjesë mijëra vetë. Për rëndësinë e këtij kuvendi flet fakti që ai u drejtua nga shtatë pashallarë, kryesisht nga zona e Dibrës dhe Kosovës.

Vendimet e Lidhje së Prizrenit të aprovuara nga Dega e Dibrës dhe të nënshkruara nga Iljaz Pashë Dibra e Abdyl Frashëri përmbanin pesë pika:

1- Të gjitha krahinat shqiptare të bashkohen në një vilajet, me një seli në një qytet, i cili do të jetë i afërt dhe i përshtatshëm për të gjitha viset e tij.
2- Të gjithë nëpunësit (me’mur) që shërbejnë në krahinat shqiptare të Arnautllëkut duhet të dijnë edhe gjuhën shqipe.
3- Të përhapet arsimi (mearif) dhe nëpër shkolla të mësohet gjuha shqipe.
4- Të zbatohen të gjitha vendimet që hyjnë në fuqi lidhur me përmirësimin dhe interesin e shtetit dhe të kombit të cilat mirren nga Kuvendi i Këshillit Qendror (Meclis-i Umumi), i cili do të mbahet në qendën e vilajetit duke e vazhduar punën e vet katër mujore në vit.
5- Të caktohet një sasi e mjaftueshme nga të ardhurat e përgjithshme (varidat) të vilajetit, e cila të përdoret për zhvillimin e arsimit dhe ndërtimin publik (punë botore).

Këto pesë kërkesa do t’i parashtronin Portës së Lartë për t’i realizuar. Për këtë qëllim, nga paria e Toskërisë dhe Gegërisë do të zgjidheshin nga pesë përfaqësues dhe brenda një muaji të shkonin në Stamboll.

Më 2 dhjetor 1878, Abdyl Frashëri i shkruante Iljaz Pashë Dibrës, të urdhëronte dërgimin e përfaqësuesve të Lidhjes në Stamboll, për të kërkuar ndihmën e Portës së Lartë për mbrojtjen e trojeve shqiptare.

-Nëse çështja bullgare zgjidhet në pajtim me vendimet e Traktatit të Shën Stefanit dhe ajo greke në harmoni me vendimet që merren në Kongresin e Berlinit, atëherë, – theksonte Abdyl Frashëri, – “gjysma e viseve shqiptare (Arnautllukut), do të bjerë nën dominimin e armiqve, kurse Lidhja jonë dhe bashkimi ynë nuk do të ketë kurrfarë vlere”. Nëse përfaqësuesit e viseve shqiptare arrijnë në Stamboll para se të trajtohen këto dy çështje, – theksonte ai, – “me siguri do të kemi dobi të madhe”. /www.mekuliPress.com/  – Shpërndaje dhe Pëlqeje gazetën MekuliPress

/MekuliPress/ Nëse e keni shijuar këtë artikull, ndajeni atë me familjen dhe miqtë tuaj! MekuliPress mbetet e pandikuar nga partitë politike.
Loading...
[wpedon id=16879]