Çfarë ndjen fëmija në barkun e nënës gjatë 40 javëve të shtatzënisë dhe si e ndikon  zhvillimin e fëmijës gjendja emocionale e nënës.

Si e ndikojnë emocionet e nënës zhvillimin e personalitetit të fëmijës ende të palindur? Çfarë ndjen fëmija në barkun e nënës? Shumë studime kanë dalë në përfundimin se fetusi arrin të ndjejë emocionet e nënës. Ndër të tjera shkencëtarët pohojnë se ekspozimi i fetusit ndaj emocioneve negative mund të sjellë dëme permanente në zhvillimin e tij. Me pak fjalë, foshnjës sonë mund t’i transmetojmë emocionet, pozitive apo negative qofshin këto, ashtu siç i transmetojmë ushqimin, nikotinën dhe alkoolin.

Por si është e mundur që fetusi të ndjejë emocionet e nënës. Mjeku Thomas Verny, një ekspert me famë në studimin e ndikimit të ambientit prenatal në zhvillimin e foshnjës shpjegon se mendimet e një gruaje shtatzënë ndikojnë edhe në gjendjen emocionale të saj dhe të fetusit.

Pra praktikisht  kur një nënë shtatzënë është në ankth ose në stres, hormonet e stresit  që  çlirohen në gjak  kalojnë placentën dhe arrijnë deri tek fëmija.

Në këtë mënyrë stresi arrin që të aktivizojë sistemin endokrin të fetusit duke ndikuar kështu në zhvillimin mendor të tij. Foshnjat e lindura nga nëna që kanë pasur probleme me stresin në shtatzëni, kanë tendencë për të shfaqur problem të rënda të sjelljes në vijim të jetës së tyre. Por jo vetëm kjo, sipas studimeve nënat që kalojmë periudha stresante gjatë shtatzënisë, kanë më shumë mundësi për të lindur bebe prematurë.

Po me emocionet pozitive çfarë ndodh? Shkenca ka treguar se emocionet pozitive të nënës ndikojnë në favorizimin e shëndetit të së voglit.  Mendimet që japin një sens qetësie dhe lumturie ndikojnë në zhvillimin normal dhe të ekuilibruar të fetusit. Kjo pasi gjendja mendore e mirë e nënës bën që të çlirohen në trup hormonet si endrofina dhe encefalina, të cilat luajnë një rol të rëndësishëm në zhvillimin psikik të fetusit./MekuliPress /