Nga Umberto Eco
(18 tetor 2001)

Javët e fundit po flitet shumë për fondamentalizmin mysliman. Aq sa po harrojmë se ka edhe një fondamentalizëm kristian, sidomos në Amerikë. Por, dikush mund të më thotë se fondamentalistët kristianë japin shfaqje të dielave në televizion, ndërsa fondamentalistët myslimanë rrëzuan Kullat Binjake, kështu që këta janë shqetësimi ynë.

Sidoqoftë, këto që po bëjnë, i bëjnë se janë fondamentalistë? Apo ngaqë janë integralistë? Apo sepse janë terroristë? Dhe, meqë ka myslimanë që nuk janë arabë dhe arabë që nuk janë myslimanë, mos ka edhe fondamentalistë që nuk janë terroristë? Ose që nuk janë integralistë?

Fondamentalizmi dhe integralizmi, zakonisht, shihen si dy koncepte të lidhura ngushtë me njëri-tjetrin dhe si dy forma të intolerancës. Kjo na shtyn të mendojmë se të gjithë fondamentalistët janë integralistë, pra intolerantë dhe, natyrisht, terroristë.

Por, edhe sikur kjo të jetë e vërtetë, nuk mund të nxjerrim dot përfundimin se të gjithë intolerantët janë fondamentalistë dhe integralistë, as se të gjithë terroristët janë fondamentalistë (nuk ishin të tilla Brigadat e Kuqe dhe nuk janë fondamentalistë terroristët baskë).

Historikisht, fondamentalizmi është koncept që lidhet me interpretimin e një Libri të Shenjtë. Fondamentalizmi protestant i Shteteve të Bashkuara në shekullin XIX (që mbijeton ende sot) karakterizohet nga vendimi për të interpretuar gërmë për gërmë Shkrimet e Shenjta, veçanërisht sa u takon nocioneve të kozmologjisë, prej nga buron refuzimi i çdo forme edukimi që synon të minojë besimin tek Bibla, sikundër ndodh me darvinizmin. Po njësoj i lidhur me shkronjën e librit të shenjtë është edhe fondamentalizmi mysliman.

Fondamentalizmi është domosdoshmërisht intolerant? Mund të përfytyrojmë, bie fjala, një sekt fondamentalist, i cili merr përsipër që të zgjedhurit e tij të kenë privilegjin e interpretimit të drejtë të librit të shenjtë, por që nuk mbështesin assesi ndonjë formë prokselitizmi dhe që nuk orvaten t’i detyrojnë të tjerët të pranojnë të njëjtin besim, apo të luftojnë për të krijuar një rend politik që të mbështetet mbi besimin e tyre.

Përkundrazi, me integralizëm kuptohet marrja e një pozicioni fetar dhe politik, i cili synon që parimet e tij fetare të bëhen, njëkohësisht, model i jetës politike dhe burim i ligjeve të shtetit.

Ndërsa fondamentalizmi, në vija parimore, është konservator, ka integralizma që mbahen për progresiste dhe revolucionare. Ka lëvizje katolike jofondamentaliste, që luftojnë për një shoqëri të frymëzuar tërësisht nga parime fetare, por pa imponuar gjithsesi një interpretim gërmë për gërmë të Shkrimeve dhe, madje, të gatshme për të pranuar një teologji të tipit Teilhard de Chardin.

Megjithatë, ka forma ekstreme të integralizmit që shndërrohen në regjime teokratike dhe, madje, shartohen me fondamentalizmin. I tillë duket se është regjimi i talebanëve me shkollat e tyre kuranike. Në çdo formë integralizmi ka njëfarë doze intolerance ndaj atyre që nuk pranojnë të njëjtat ide, por kjo dozë arrin kulmin në rastet e fondamentalizmave dhe integralizmave teokratike.

Një regjim teokratik është fatalisht totalitar, por jo të gjitha regjimet totalitare janë teokratike (veçse po t’i shohim në këndvështrimin e zëvendësimit të fesë me një ideologji mbizotëruese, sikurse bëri nazizmi apo komunizmi sovjetik).

Po racizmi? Do të dukej si diçka kureshtare, por pjesa më e madhe e integralizmit islamik, edhe pse antiperëndimor dhe antisemit, nuk mund të quhet racist, në kuptimin e nazizmit, ngaqë urren një racë të vetme (ebrejtë) apo një shtet, i cili nuk përfaqëson një racë (SHBA-të), pasiqë nuk e konsideron veten racë e zgjedhur, madje pranon si të zgjedhur adeptët e së njëjtës fe, edhe pse të një race tjetër. Racizmi nazist sigurisht që ishte totalitar, por në doktrinën e racës nuk kishte asgjë fondamentaliste (ai zëvendësonte librin e shenjtë me pseudoshkencën ariane).

Po intoleranca? Mund të jetë diç mes këtyre dallimeve e ngjashmërive midis fondamentalizmit, integralizmit, racizmit, teokracisë dhe totalitarizmit? Ka pasur forma intolerance joraciste (si përndjekja e heretikëve ose intoleranca e diktaturave ndaj kundërshtarëve të tyre), siç ka pasur forma racizmi tolerant (“s’kam asgjë me zezakët, mund të jetojnë në vendin tim në qoftë se punojnë dhe rrinë atje ku u takon, por nuk dua që ime bijë të martohet me ndonjërin prej tyre”).

Ka forma të intolerancës dhe të racizmit të përhapura edhe midis personave që e quajnë veten joteokratikë, jofondamentalistë, jointegralistë – dhe këto ditë ky fakt u provua katërcipërisht.

Fondamentalizmi, integralizmi, racizmi pseudoshkencor janë pozicione teorike që presupozojnë një Doktrinë. Intoleranca dhe racizmi popullor dalin në pah përpara çdo doktrine. Kanë rrënjë biologjike, shfaqen ndër kafshët si luftë për territor, mbështeten tek kundërveprimi emocional (nuk i durojmë dot ata që janë ndryshe nga ne).

Dikush mund të thotë se me këto pak rreshta nuk ndihmova në sqarimin e ideve, por i kokolepsa më keq. Po nuk jam unë ai që i ngatërroj idetë, problemi është se na ndodh që të diskutojmë mbi ide të ngatërruara. Dhe është më mirë të kuptojmë që janë kështu, për të arsyetuar më mirë lidhur me to.

Virtualsophists.org

VINI RE! Gazetaria jonë mbetet e pandikuar nga politikanët e nga milionerët. Askush nuk e kontrollon gazetarinë dhe kritikën tonë. Ndihmojeni MekuliPress të paktën me 1 euro. Mbështete sot median e pavarur kombëtare.