Numri i qytetarëve që largohen nga Kosova drejt perëndimit rritet vazhdimisht.

Kjo për shkak të gjendjes ekonomike në Kosovë.

Lidhur me këtë çështje, deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Haki Abazi, ka thënë sot se numrat janë alarmant dhe arsyet pse qytetarët e kanë votuar VV-në për ta kthyer shpresën për jetë në Kosovë.

Largimi i qytetarëve nga Kosova është shqetësues, numrat janë alarmant, arsyet janë pikërisht pse qytetarët e kanë votuar LVV-në, për ta ndaluar degradimin dhe për ta kthyer shpresën për një jetë të dinjitetshme. Shumica janë duke u larguar nga Kosova pasi nuk kanë shpresë për ta dhe fëmijët e tyre se mund të bëjnë një jetë të dinjitetshme”, është shprehur ai.

Abazi thotë se nuk po largohet klasa e varfër por ajo e mesme.

“Nuk është klasa e varfër që po largohet, kryesisht është klasa e mesme që ka kërkesa për shkollim më të mirë, e pamë PISA-n, askush nuk do që fëmijët e tyre të shkojnë në shkolla dhe në fund të ketë rezultate të tilla në fund. E dimë çfarë është gjendja në shëndetësi, ku mos e bëftë Zoti po të kesh sëmundje të rëndë, duhet të kërkosh ndihmë nga miqtë dhe dashamirët, përndryshe vdes dhe duhet të shkosh në shtete të huaja, Maqedoni, Serbi apo Turqi apo vende tjera ku kostot janë të papërballueshme për familjet tona. D.m.th pas 20 vitesh nuk kemi sigurim shëndetësor, nuk kemi as libreza shëndetësore, kartelë se si mjekohen apo diagnostifikohen dhe këto janë gjëra thelbësore që VV në raport të drejtpërdrejt paralel me forcimin e ligjit, shëndetësia dhe arsimi janë ato që do të reformohen që nga fillimi, për të rikthyer shpresën”, ka vlerësuar Haki Abazi.

Sipas tij, derisa pushtetet e kanë sulmuar ikjen, janë frikësuar nga protestat.

“Deri tani pushtetet kanë stimuluar ikjen, duke ju frikësuar protestave nga gjendja sociale dhe problemet me të cilat janë ballafaquar dhe në mënyrë të çuditshme nuk i kanë ndalur ikjet, largimet ilegale që janë bërë edhe me njëfarë frymëzimi artificial. D.m.th ka pasur një plan të zbrazjes së Kosovës që regjimet politike, që qeveritë paraprake kanë qenë më shumë partnere në largim se sa në ndalim apo ofrim të mundësive që ata të rrinë këtu”, ka deklaruar Abazi.