Çajupi zemërohet fort kur viziton “Klubin e Selanikut” ku shef se si antarët nuk çajnë kokën për çeshtjen shqiptare, por angazhohen për ruajtjen e shtetit turk. Në klub nuk kishte asnjë libër apo gazetë në gjuhën shqipe; dominonte turqishtja.

«Desha t’ikij, se pandeva se u gabova e hyra në nje Klub turqsh. […]
Ne foli për Shqipërinë! Jo, besa! Foli vetëm për Turqinë.

— “Alldupi [turku, Perandoria Osmane] ka qenë kështu, ka qenë ashtu, ka bere ketë, atë, … sa dhe sot gjëndet një xhami ndë Vjenë! Ç’është Evropa përpara Turqisë?… Ata që lëvdojnë të krishtërintë, janë te marrë! Besa [feja] jonë është e vërtetë. Turqia duhet të rrojë, që të lulëzojë faq’ e dheut! Që të rrojë Turqia ndë mes t’Evropës, duhet të mbanë vetë fuqinë ndë duar të tyre, domethënë ata vetëm të jenë ministorë, valinj, komandanë, ushtarë e gjykatës!… Të krishterët duhet të punojnë, se janë lindur vetëm për punë, për mjeshtëri e për bujqësi… Dhe kështu, me këtë mënyrë, turqit (thotë) mundin të mbanë fuqinë, të kenë ndë dorë guvernën [qeverinë]… dhe kështu do të rrojë me jetë!”

Këto qenë fjalët e fundit të beut mut-e-sarif të Seresit! Duartë u përpoqnë [duartrokiten] fort, anëtarët u lëshuanë të ngjatjetojnë bejnë… Zëmëra më qante dhe thashë me vehten time:

— T’u thaftë goja, more beu ynë! Të plastë koka more beu ynë! Të paskan lënë mëntë, more beu ynë! Qënke veshgjatë, more beu ynë! Qënke turk, more beu ynë! Qënke xhonturk, more beu ynë! Ndë Klub të Shqiptarëvet na the si duhet të sillet Turqia që të shpëtojë nga rreziku i sotmë dhe të rrojë përjetë. Pse s’fole një fjalë dhe për Shqipërinë? Pse? Apo s’keshe se ç’të thoshe? Apo t’erth frikë nga xhonturqit, që të dërguan mut-e-sarif ndë Seres, që të shaç kaurët [“të pafetë”, jomyslimanët]? Pse s’tu tha gjuha ndë gojë?…

Mos na thuani tjetër herë se ini shqipëtarë, mos na çani kryet me gënjeshtra, se u kemi kupëtuar se ç’ini ndë zemër tuaj! Ju punoni për Turqinë e jo për Shqipërinë. Fanatizma u ka verbuar. Duani t’u mbesojmë për shqipëtarë? Dilni nga buk’ e turkut, hani bukën me djersë si neve e jo duke rrjepur, duke vjedhur. Hiqni dorë nga fanatizma e turqëve, mirrni qytetërimin t’Evropit, që ndriçon botën, zbukuron mendjen, zbut zakonet. Nukë them ndëroni besën jo!

Po të ndërroni mendjen, të mejtoni dhe të silli si perndimasit (evropasit) në dojni të rroni ndë mes t’ Evropësë.»

Andon Zako Çajupi, “Klub’ i Selanikut”, gazeta “Rrufeja” drejtuar nga Jani Vruho, Egjipt, gusht 1909.