Çerçiz Topulli, heroi që nuk donte pushtuesit

Çerçiz Topulli u lind në Gjirokastër, në vitin 1880. Ra dëshmor më 15 korrik të vitit 1915. Ishte shkrimtar, atdhetar e veprimtar i shquar i Rilindjes Kombëtare, udhëheqës i luftës së armatosur të çetave kundër sunduesve osmanë për çlirimin kombëtar të vendit, hero i popullit.

Mori pjesë në veprimtarinë e Komitetit të Fshehtë “Për lirinë e Shqipërisë” në Gjirokastër. Në prill të 1907, komandoi çetën e armatosur që vepronte në Shqipërinë e Jugut, e sidomos në krahinat e Gjirokastrës dhe të Korçës. Drejtoi Luftën e Mashkullores, më 18 mars 1908.

Ndoshta ju pëlqen!
Loading...

Në thirrjen “Nga malet e Shqipërisë” drejtuar bashkatdhetarëve të tij dhe botuar në janar 1907 në gazetën “Shpresa e Shqipërisë” Çerçiz Topulli pasi dënonte grabitjet e administratës osmane, kërkonte që Shqipëria të shkëputej nga Perandoria Osmane dhe të bëhej e lirë dhe e pavarur.

Ai shprehte bindjen se e vetmja rrugë për çlirimin e Shqipërisë ishte ajo e kryengritjes së përgjithshme të armatosur. Pas fitores së revolucionit xhonturk të 1908, Çerçiz Topulli punoi për formimin e klubeve shqiptare dhe për hapjen e shkollave shqipe në viset e ndryshme të vendit.

Pas Shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë, më 28 nëntor 1912, u vu në shërbim të qeverisë së Ismail Qemalit dhe luftoi për mbrojtjen e tërësisë territoriale të atdheut, në disa kryengritje të armatosura, për sprapsjen e grekëve nga tokat e pushtuara në jug.

Në shtator të vitit 1914 Çerçiz Topullin e Muço Qullin i gjejmë në Shkodër, ku mendohet të kenë shkuar për t’iu bashkuar mbrojtjes së trojeve nga pushtimi serbo-malazez. Arrestohen për të parën herë më 28 qershor dhe lirohen shumë shpejt. Por arrestohen sërish në 7 korrik 1915 në Fushën e Shtoit (Shkodër) nga një togë malazeze rrugës për në Çetinë dhe pushkatohen një javë më vonë.

Ndoshta ju pëlqen!/MekuliPress/ Nëse keni shijuar këtë artikull, ndajeni atë me familjen dhe miqtë tuaj! MekuliPress mbetet e pandikuar nga partitë politike. Na ndihmoni!
Loading...