Presidenti Ilir Meta ka kthyer për rishqyrtim në Kuvend të ashtuquajturën paketë “antishpifje”, me argumentin se cenon lirinë e shprehjes dhe fuqizon Autoritetin e Medias Audiovizive dhe Autoritetin e Komunikimeve Elektronike e Postare, me kompetenca që Kushtetuta nuk ua lejon.

Në arsyetimin e kthimit të ligjit “Për Komunikimet Elektorinike  në Republikën e  Shqipërisë”, Meta ka parashtruar argumenta mbi domosdoshmërinë e rishikimit nga Kuvendi të sanksioneve financiare, mënyrës së vendimmarrjes, organit që ka të drejtë të marrë vendimin, si dhe mbi mënyrën e ekzekutimit të këtyre sanksioneve, apo të masave të tjera ndëshkuese.

Sipas tij, shqetësimet për përhapjen e lajmeve të rreme, apo ndikimit negativ të dezinformimit, duhet të adresohen në mënyrë të tillë që çdo mjet ligjor mbrotjës ndaj këtyre fenomeneve të mos rrezikojë në asnjë rast, të vendosë në disbalancë, apo të krijojë rrezikun e keqpërdorimit të këtyre mjeteve ligjore për të cenuar të drejtën për informacion, lirinë e shprehjes dhe të medias apo dhe lirinë për veprimtari ekonomike, të drejta këto që gëzojnë mbrojtje të posaçme nga Kushtetuta dhe aktet ndërkombëtare.

Ndërsa delegimi me ligj një organi administrativ i kompetencave që Kushtetuta nuk ia lejon, mungesa e transparencës në procedurën e vendimmarrjes, dhe aplikimi i sanksioneve disproporcionale dhe pa kaluar në shqyrtimin gjyqësor, nuk është në balancë mes interesit publik për mbrotjen nga lajmet/informacionet e rreme, dhe të drejtës për informim, lirisë së shprehjes dhe zhvillimit të aktivitetit ekonomik në fushën e publikimeve elektronike.

Paketa”anti-shpifje” është kritikuar hapur edhe nga institucionet ndërkomëbatre sikurse është Bashkimi Europian, OSBE apo Këshilli i Europës, që gjithashtu kanë kërkuar përmirësime të ligjit.