Presidenti çek, Milos Zeman është shpallur i paaftë për të vijuar detyrën e vet për shkak të gjendjes shëndetësore. Kryetari i Senatit të Çekisë, Milos Vystrcil ka deklaruar se spitali ku gjendet i shtruar presidenti 77-vjeçar ka njoftuar se Zeman nuk do të jetë në gjendje të ushtrojë funksionet e veta për disa javë në vijim, çka e bën atë të paaftë të menaxhojë dhe drejtojë situatën politike për krijimin e qeverisë së re.

Zeman u shtrua në spital një ditë pasi aleati i tij në krye të qeverisë, kryeministri Andrej Babis humbi mbështetjen në Parlament.

Një element interesant që ka rënë në sy është fakti se kryetari i Senatit ka njoftuar se informimi për paaftësimin e Zeman ka ardhur nga spitali pas një kërkese të drejtuar për shkak se presidenca nuk ka dhënë sqarime ndaj trupës legjislative. Kushtetuta çeke i jep të drejtë dy dhomave të Parlamenti që nëse bien dakord të lirojnë presidentin nga detyra – edhe përkohësisht – për t’ia kaluar kompetencat e tij Kryeministrit dhe kryetarit të Dhomës së Ulët. Situara krijon mundësi për zhvillime të reja, pasi Zeman ka bërë të qartë se do ta caktojë Babis për krijimin e qeverisë edhe nëse nuk e ka një shumicë në Parlament.

©MekuliPress/ Dhuro sot vetëm 1 euro dhe shpëtoje MekuliPress. Ndihmo gazetarinë e pavarur nga partitë politike dhe oligarkët. FOTO: No copyright infringement is intended.