Sebastian Zonja

 

Së fundmi, serbët e veriut të Kosovës, të përfaqësuar në qeverinë e Kosovës me deputetët e tyre, dogjën mandatet. Të gjithë aktorët e rëndësishëm perëndimorë kanë bërë thirrje për qetësi sepse kjo situatë e çon Kosovën në destabilizim. Ndoshta edhe gjithë Ballkanin.
Si ndodh kjo?
Serbët do të ndihen të papërfaqësuar institucionalisht. Ekstremistët nisin protestat. Fillon dhuna. Policia ndërhyn. Situata del jashtë kontrollit dhe dhuna mund të përshkallëzojë deri në konflikt etnik.
Ajo që mund të kuptojmë është se Beogradi nuk është i interesuar për propozimin e shumëpërfolur franko-gjerman. Lista serbe, nën urdhërat e Vuçiqit dhe pjesë e një loje brenda pallatit të pushtetit në Beograd, ka braktisur institucionet.
Linja ruse në Beograd, e cila paraqitet tepër e fortë, kërkon të tensionojë politikën ballkanike duke e çuar deri në konflikt etnik.
Reagimi i aktorëve ndërkombëtarë, vendet e Quintit, garantët e pavarësisë dhe shtetësisë së Kosovës, ka qenë i menjëhershëm dhe kërkojnë uljen e tensioneve.
Le të vijmë në Shqipëri.
Opozita shqiptare dogji mandatet pak vite më parë. Ky veprim erdhi pas kundërshtimit dhe paralajmërimeve të forta të miqve ndërkombëtarë. Aq sa vetë i dërguari special amerikan M. Palmer do të kërcënonte Partinë Demokratike se do ta shpallte organizatë terroriste.
Dalja nga Parlamenti ishte një gjest i menduar mirë nga regjisorët Berisha dhe Meta. Rezultati ishte flakvënia e Shqipërisë. Vendi do të ndodhej edhe një herë përpara një situatë si në vitin 1996. Ashtu si Berisha kishte vjedhur zgjedhjet atëherë, këtë herë i kishte vjedhur Rama. Berisha ndërtoi një parlament njëngjyrësh, ashtu si do ta bënte Rama po të vendoste të mbante qeverinë edhe pas dorëheqjes së opozitës. Situata do të përshkallëzonte në konflikt, ku ekstremistët e opozitës do të fillonin zjarrvënien e objekteve qeveritare. Policia do të ndërhynte dhe më pas do të kishim kaos.
Pyetja që shtrohet në këtë moment është – nëse serbët duan të negociojnë paktin franko-gjerman, po Berisha me Metën çfarë duan të negociojnë?
Në emër të kujt po e bënin këtë lëvizje tandemi Berisha – Meta?
Për ironi, kjo lëvizje kaq e rrezikshme, aq shumë i dogji atyre që kishin flamurin, sa ja lanë në dorë Andi Bushatit dhe Fatos Lubonjës. Pra, PD-ja dhe LSI-ja dolën nga parlamenti se tha Bushati me Lubonjën.
Jemi futur në qerthull politik prej vitesh. Kemi në krye një kryeministër me skandale të mëdha vjedhjesh dhe në opozitë dy persona që janë të gatshëm të djegin vendin për interesa personale dhe agjenturore.
Si dilet?
Zgjidhja është në dorë të politikanëve dhe popullit. Brenda PL-së ka politikanë të matur e plot fisnikëri si Agim Nesho, për shembull, që e kuptojnë lojën e pistë të Metës, ndaj, ai dhe shumë të tjerë që kanë fuqinë dhe dinjitetin, duhet t’i dalin kundër për t’ja hequr nga duart PL-në, që të mos e përdor si armë për mbrojtje personale, por të jetë një parti model dhe demokratike që siguron rotacion politik dhe qarkullim elitash.
Në krahun tjetër, Berisha ka përballë një opozitë brenda vetë subjektit të PD-së. Ai vijon sërish të bëjë thirrje për dhunë dhe rrëzim të pushtetit me dhunë. Ata që e ndjekin nga mbrapa në grupin parlamentar, shumica janë që në vitet ’90 me të. Disa peng të dosjeve të Sigurimit, pengje të kompromiseve meskine dhe pengje të injorancës së tyre.
Sa do t’ia dalin që brenda këtyre partive të rrëzojnë kultin e liderit, kjo nuk dihet.
Qytetarët kanë në dorë, ndërkohë, që të votojnë të rinj në politikë për t’i çelur rrugën një politike të re.
Në të kundërt, Rama do të rrijë gjatë, sa kohë furnizohet me dy tuba oksigjeni – Berishën dhe Metën.
MekuliPress është në prag të mbylljes. MBËSHTETE SOT GAZETARINË E PAVARUR DHE ORIGJINALITETIN E MEKULIPRESS. Kemi shumë nevojë për mbështetjen tënde, i dashur lexues. NA NDIHMO sot të paktën edhe me 1 Euro!