ÇASHTJA E ELEMENTAVET FETARE NË SHQIPNI (1) – (Ligjërata e Shkëlqesës Anton Harapi në Theatrin «Kosova», Tiranë, 1944)

Zotni të ndershëm,

Më falni për guxim: unë due t’a përballoj çashtjen ma delikate në jetën shqiptare.

Ju pëlqen!

Kush e kishte zanë besë?… Antagonizmi fetar qiti kryet dhe mizorisht u fut edhe ndër atheistat e ditës. Egërsit e bame në Jug, midis djelmnis shqiptare, vetëm pse muhamedanë e kristjanë, janë fakte qi nuk lanë me luejtë, por janë edhe prova të tmershme për jetën t’onë fetare, shoqnore e kombtare.

Për sa dij unë deri më sod, kjo çashtje kurr nuk qe përballue kjartë e mirë; sa herë qe kallë, menjiherë edhe qe mbulue porsi gaca nën hi. T’i mbetet hatri kuj të duejë, unë due t’a thom mendimin t’em haptas: Marrë në shumicë, muhamedani shqiptar asht fanatik, orthodoksi fanatik, katholiku fanatik, e këta jo për besim, sa për inát e për parti. Ndër çasat ma të vështirë të jetës s’onë kombtare, njimend se shpëtuem format e bashkimit shoqnuer e të qetsis ndër elementa, porse në fund të punës mbeti nji tharm, nji fond rryme e partije, sa me të trembë e me të demoralizue.

Tue prekë me dorë plagën, vjen pyetja: A do të mund të rrojnë, e si do të mund të rrojnë në qetsi tre elementat fetarë ndër né?

Atheistat me të gjithë skeptikët, indiferentat, naturalistat, aventurjerët e oportunistat, thonë se jo: Na shqiptarët nuk mund të rrojmë të qetë, as nuk mund të formojmë shtet, për pa i zhdukë të gjitha besimet, pse besimi i shqiptarit asht shqiptarizma!

Këta shpresoj t’i përballoj nji herë tjetër; këtyne tash po u thom vetëm se Shqipnija nuk asht vend i pa Zot; e se shqiptarët as nuk janë, as nuk duen të jenë të patënzonë.

Fjalën ketë herë e kam me besimtarët e tre elementavet.
Pa kontestim na jemi nji komb, nji shtet e nji popull me nji shpirt, me nji gjuhë e me nji histori, e po t’ishim edhe të njij besimi, patëm me qenë ma të bashkuem, ma homogjenë, dhe as nuk patëm me bjerrë mund e kohë për t’u kuptue ndër shumë punë. Por fakti asht ky, se na jemi pra muslimanë, orthodoksë e katholikë, e si të tillë duem të rrojmë në nji harmoni vllaznore. Unë thom se për ketë punë nuk asht nevoja me shue besimet, pse po të duem, mund të rrojmë vllaznisht, sikurse kemi shembullin ndër sa shtete të tjera të qytetnueme.

Pra, thezin t’em e vé këso dore: shqiptarët po qenë vertè të qytetnuem e nacjonalista të sinqertë, besuen edhe përnjimend në nji Zot të vërtetë, nuk kanë se si mos të rrojmë vllaznisht shoq me shoq; përkundrazi, deri sa mos të kenë kulturën njerzore në shpirt, gjegjën kolektive kombtare, e deri sa t’u mungojë kultura fetare, ata kanë me qenë të dám e të përçám, jo pse janë tri besimesh, por pse nuk kanë bazat e jetës shoqnore, kombtare e fetare.

PENGIMI I MADH: FANATIZMI

Pengimi i madh për jetën shoqnore, pra, për qetsin e vllaznimin t’onë asht fanatizmi, i cili asht nji turp për vehtjen, turp për besimin të cilin i përket vehtja e turp për jetën shqiptare. Besimi qi mbahet për pasjon, pra me fanatizëm, nuk asht besim i arsyeshëm as faktor i jetës; ai nuk nalton por poshtnon, e ma tepër rrenon se sa trajton. Besimi në nji Zot të vërtetë, Ati i të gjithë njerëzvet, nuk do t’a shtojë antagonizmin, por do t’a pakësojë; besimi do t’a zbusë njerin ndër ndiesi e jo t’a egërsojë, do t’i rregullojë prirjet e instinktit, ndër të cilat asht edhe egoizmi vehtjak e kolektiv. Dhe siguroj me krye se nuk asht besimi ai qi të ban me mëni shqiptarin, por asht egoizmi qi don të justifikohet me shkakun e besimit.

Këtu asht nevoja t’a dalloj njerin fanatik nga njeriu me karakter: të dy ngulin kambë për nji bindje të vetën, të dy tregojnë fuqin e vullndesës deri në kulm, por me ketë ndryshim, se njeriu me karakter ngulë kambë për nji parim t’arsyeshëm ndërsa fanatiku don t’i rrijë asaj së vetës arsye e pa arsye; njeriu me karakter tregon nji zotsi morale, ndërsa fanatiku dishmon nji dobsi personale, pse ai, edhe po t’a shohë të pa arsyeshme atë të vetën, nuk asht i zoti t’a mundë pasjonin e egoizmin; brutalisht mund të jetë i fortë, por njerzisht asht i ligësht; karakteri moral ka caqet e arsyes, fanatizmi nuk ka cak, ai të verbon, të shtynë deri në ves e n’egërsi. Fanatizmi asht antinjerzuer, prandej edhe antifetar e antishoqnuer.

Pra, për të rrojtë vllaznisht, nuk asht nevoja të hjekim besimin, por konditë e parë asht të hjekim fanatizmin në besim.

Shqiptari mund të zbutet tue marrë kulturën vërtè njerzore, kulturën e shpirtit, d.m.th. nuk mjafton të ketë sjelljen e mirë, paraqitjen e njerzishme, format e përshtatëshme, mënyrët e hijshme, e në shpirt të rrijë i egër, por duhet të jetë edhe përnjimend në vehte ashtu si mbahet e duket përjashta, atëherë ka me u ba i zoti të rrojë në harmoni me vllaznit e vet shqiptarë të çdo kondicjoni shoqnuer edhe të çdo besimi.

Ngjitas me kulturën njerzore, shqiptari do të, marrë kulturën fetare. Kaloi koha qi t’a mbajmë besimin pse na e kanë lanë të parët; pse ashtu e kemi gjetë, pse besojnë të tjerët, ase për nji çdo tjetër arsye të jashtme; sod duhet të dijmë shka besojmë dhe pse të besojmë; lypet t’a justifikojmë, nemose para vehtes, besimin t’onë. Por nuk mjafton kaq: besimin nuk do t’a mbajmë as për etiketë, as për nji gja vetëm theorike; besimi duhet të jetë faktor i jetës; parimet e besimit do të përfitojnë në bindje të plotë, ndiesi të gjalla, lëvizje, shprehje, fjalë é punë, drejtue në nji system jete. Kjo don me thanë kulturë fetare.

TË RROJMË SHOQNISHT E VLLAZNISHT

Jo se kërkohet prej shqiptarëve kristjanë e muslimanë të jenë të gjithë Shejtën a Peigamera, por po deshëm të jemi komb e shtet, lypet me doemos të jemi në atë shkallë kulture njerzore e fetare, sa mjafton të rrojmë shoqnisht e vllaznisht.

Pa kulturën njerzore nuk jemi të pjekun të rrojmë si njerëz e si shokë; pa kulturën fetare, besimi nuk na trajton për jetë, për ma tepër na pengon.

Kam pa muslimanë edhe kristjanë qi me vetmohim mbërrijnë deri në heroizëm për të mbajtë Ramazanin e Krezhëmt, por prej se nuk e kanë kulturën fetare, ata me atë vepër sado heroike, nuk çfaqin nji madhni shpirtnore të cilën nuk e kanë, pse qindresa e tyne të shumtën e herës themelohet fjeshtë në nji zakon, në nji traditë, në nji moskuptim të jetës fetare qi e shvleftëson motivacjonin edhe veprën e tyne.

Nji qyshk tjetër qi rrjedhë prej kulturës së shpirtit àsht nderimi për bindjet e të tjerëvet. Po t’i a bajmë diagnozën shpirtit të shqiptarit në skajin ma të fundshëm kemi për të gjetë ketë fenomen të çuditshëm: kush nuk mendon si unë, thotë, ai asht kundërshtari i em. Ky paravendim antishoqnuer çfaqet jo vetëm në lamën fetare, politike e shoqnore, por edhe deri në lamën ditunore.

Më ka ra rasa për vjetë e vjetë të marr pjesë ndër shoqni, mbledhje, nisjativa e shkoqitje çashtjesh ndër shqiptarë, edhe do të thom se me pak ndryshime e me forma ku ma shumë, ku ma pak egoistike, si ndër njerëz me shkollë, si ndër njerëz pa shkollë, kam gjetë e prekë me dorë se mjaft me tregue kush nji mendim a parim të kundërt apo edhe të ndryshëm, për me u shikue shtrembët e me u ba shenj antagonizmi e luftimi.

Shkakun e këtij fenomeni të pa arsyeshëm prap e gjejmë në gabimin trashanik, pse shqiptari, edhe po të mbahet se ka kulturë, kujton se me ndjekë arsyen e njij tjetri, asht dobsi. Historija e djeshme e rysnija e soçme na e vërtetojnë ketë përbindsh të individualizmit egoistik.

Për të rrojtë vllaznisht nuk lypet të mendojmë të gjithë me nji kokë, as nuk kërkohet të kemi të njejtat parime ase të jemi të pagabueshëm, por me doemos duhet t’u a njohim të tjerëvet të drejtën e arsyetimit e të bindjes, po n’atë mënyrë si kërkojmë qi të tjerët të respektojnë mendimet t’ona. Do t’ a dijmë se secili njeri, edhe pa dashtë, mund të ndjekë nji rrugë a nji parim të gabuem, prandej, sikurse nuk duem të na përbuzë kush nè edhe po të jemi në gabim, ashtu as na mos të përbuzim askend. Themeli i shoqnimit, prandej, edhe i harmonis shoqnore midis shqiptarëvet, qofshin edhe besimesh së ndryshme, asht në mbajtjen e sinqertë të pàrimit: Mos i ban kuj, shka nuk ,don me t’a ba kush ty; banu të tjerëvet si kërkon me t’a ba ata ty. As në ketë pikë besimet nuk pengojnë, por e kanë detyrë të ndihmojnë.

(Përgat. për publikim A.M.)

Mekuli Press është në prag të mbylljes. Kemi nevojë për mbështetjen tënde, i dashur lexues. Na ndihmo sot edhe me vetëm 1 Euro! - FOTO: No copyright infringement is intended.