Kush vjen nga Saranda drejt Vlorës nga Bregu i detit ka rastin të sodisë burkuritë e natyrës dhe shëmtitë e njeriut shqiptar. Për bukuritë e natyrës nuk ka nevojë të shkruhet e flitet sepse për to është folur e shkruar përpara se shqipja e shtrembërt dhe e prapë e atyre që kanë uzurpuar këtë vend, t’i paraqiste ato si prona shpirtërore të popullit.

Për shëmtitë e njeriut ka shumë për të thënë. Dhe shëmtitë e njeriut në këto anë janë ekskluzivisht shqiptare dhe duhen shkruar më gërma të mëdha. Ndërtime të shëmtuara, vendosur si me inat pranë njëri-tjetri, emërtesa pa kuptim, rrëmujë dhe pisllëk që duket ngado. Vunoi dhe Dhërmiu janë prekur nga flama e 100 fshatrave që ua ka hequr fisnikërinë e gurit për t’i bojatisur me të bardhën uniforme duke na kujtuar imagjinarin – qytetin – varrezë Agua Caliente të Sergio Leones.

Një kuriozitet më vete është sjellja e njerëzve, e shoferëve, një pjesë të dehur dhe në kërkim të shfaqjes së pordhës që e shohim në Tiranë. Një qytet ku “pabuksi” stigmatizohet si diçka që nuk i përket realitetit të të fismëve të këtij vendi, por që si për çudi shfaqet si element bazik i trupit të kësaj shoqërie, sapo qeveria nuk jep lëmoshën e luftës.

Çfarë mund të mbash mend, çfarë mund të të mbetet në kujtesë kur udhëton në këtë aks të mrekullueshëm mishi, peshku, bythësh dhe makinash luksi që parakalojnë mbi rrugë ku lexon parrullat e zakonshme të budallallëkut shqiptar si PD, LSI, i love Çamëria, Kuqezi, nakatosur me mbishkrime greqisht? Ku i has tjetërkund këto?

Qershia mbi këtë tortë të prishur shqiptare është fshati i Sami Manes në Palasë, në anë detin e një plazhi të gjerë që nga qafa e Llogorasë të duket si ngulmi i dytë i muxhahedinëve iranianë të Manzës. Të ashtuquajturat vila që duken si kuti shkrepseje në një rregull me fanatizëm gjeometrik, të gjitha me pamje nga deti.

Këto vila tani do të lidhen me një tunel 150 milionë euro, sepse shteti shqiptar nuk e lë dot Manen të falimentojë. Më saktë: të rrezikojë.

E mbani mend sesi edhe për Tirana East Gate, i famshmi TEG, u ndërtua një rrugë me paratë tona? Pak a shumë kjo po ndodh edhe tani sepse Mane, një njeri që po rilind Shqipërinë nga Jugu në Veri, me resorte, miniera dhe qendra tregëtare, arrin t’i punojë kryeministrat që ikin e vijnë në këtë vend.

Zgëqet turistike kanë mbërthyer edhe Radhimën e Vlorën që i gëzohen Lungomares dhe rrugës së ngushtuar të Skelës, dy shëmti të tjera që lidhen mirë me fantazinë e një njeriu, por jo me qytetin. Nuk është e qartë se çfarë celebron me kaq ngazëllim i ashtuquajturi turizëm shqiptar, por e qartë është se pse kufiri i qytetërimit kalon në detin Jon. Se pse nuk e shohim atë urbanizim historik në Shqipërinë tonë, një vend që nuk është i askujt, veçse I gjeneratave të banditëve që lënë stafetën pa u prekur nga ndryshimi, pushtimi, ikja dhe rrëmuja.