Më 17 të qershorit që shkoi, një grup shqiptarësh nga Kolonija e Istambullit kanë vizituar varrin e Naim Frashërit, që gjendet në Merdiven Köj. Me këtë rast Branko Merxhani ka dërguar përshkrimin e trishtuar që po e botojmë këtu.

Sikur të mirni tatëpjetën e të zbrisni poshtë nga çdo nonjëra’ prej të shtatë kodrave të Istambulit, duke shkuar nga rrugët e gushta e të brengosura që, posi krahë të përqafosurë me njëri tjatrin, janë me zikzake, gjënden në Qopry bashë. Atje merni pozë në kuvertën e hapët dhe me tëndë të një vapori të bukur dhe elegant, i cili, si një trup prej hekuri të gjërë, është shtrirë në gjirin e kaltërtë t’ujrave të qeta të Bosforit. Po të bini me not për disa minuta mbi dallgat e voçkëla me shkumë që lindin nga përpjekjet e repta të erërave të lindjes e të perëndimit nëpër gryka dhe që ju mbushin shpirtin me ajër të pastër poezije, dilni në Hajdar pasha, në këtë breg të parë të tokave të larkta t’Azisë, që del përpara dhe ju shëkon si e humbur me sytë mahmurë posa të çelurë pas gjumit të natës së gjatë të një vëndi të vjetër përrallor. Brëndësirën tuaj e kanë pushtuar vilanit’ e kuqe dhe shtypëse të zjarrit të një mallëngjimi të çuditshëm. N’anë të një rruge betoni pakëz të gjatë, hypni në një tren që është duke pritur me nervozitet mbi çenberet e hekurtë të folesë së ngushtë të tij.

Pas një çerek ore, herë duke shkelur barra të zymta, herë duke çarë rrugët e fshatrave të ngrehura me dërrasa, herë duke prekur në toka bojë rëre që janë posi tyle të holla të mëndafshta, ngriheni në këmbë përpara stasjonit Gjoz Tepe. Këtu është një koridor nënëtokëse. Merni rugën. Një rugë krejt e drejtë dhe e stolisur në të dy anët me drunj akaciash. Pastaj një copë Xhade me pluhur që ju del befas përpara e që s’dihet ku e ka kryen dhe mbarimin. Dielli zemër-hapët i orientit fillon, posi një hekur i kuq, t’ju djegë majën e kresë. Nga një anë e pa-njohur dhe pa vijzë të rugës, hyni në arrat që janë në të djathtë. Nëpër mes të kulluzmave prej gjëmbash të rrepta këmbët t’uaja ju hapin rugë. Pak më tutje nga ky vënd i shkretë, ja rrapi shekullor të cilit u dëgjohen prej së largu fëshfërimet. Këtu gjeni një copë gur të thyer për të mbështetur mbi ‘të trupin t’uaj të kapitur që ka etje tani për freskësi hieje dhe i lani buzët t’uaja me ujin e ftohtë që pikon nga kroi i vjetër, i cili mbulon rënjët me brinj t’ajturë të drurit plak.

Pranë këtij rapi, gërmadhat e një teqeje të madhe bektashinjsh, e cila nëpërmes mureve të gremisurë të saj mezi ruan kujtimet e zbetë të pamjes impozante që ka pasur dikur. Ku janë baballarët me mjekër të dëndur, të cilët në sarajet me kube t’arta të prrallës së jetës flisnin në gjumë shekuj me radhë rrëfenjat e dëfrimeve e të volupteteve? Kur grushti heroik i kryengritjes u-ngrit n’ajr për t’i futur në shtretet e ëndërave të thella të së shkuarës përrallat narkotike t’udhëtimeve të shpirtit, kur ay grusht u ngrit n’ajr për t’i futur në shtretet e ëndërave të thella të së shkuarës përrallat narkotike t’udhëtimeve të shpirtit, kur ay grusht u-ngrit n’agimin e orës së rilindjes, natën e asaj dite ata duallën nga vëra e ngusht e derës së atij pallati mysterioz dhe u zhdukën n’errësirat e përhershme të botës së largët të disfavorit, si nga ndonjë qahja Perëndije të shkëputurë nga anët e froneve të gremisurë. Tani në shkretirën e trishtuar të gërmadhave të teqes së madhe ka mbetur vetëm një plakë shtrigë. Në qoftë se ndonjë që shkon andej rastësisht dhe ka humbur rrugën, drejtohet nga gërmadhat, hapet për gjysëm vetëm njëra fletë e derës së rrëzuar dhe prapa kësaj flete të mbështetur në togje gurësh dëgjohet zëri i mbytur i asaj shtrige të kapitur me dhëmbë të rënë. As-gjë më tepër…

Filloni të përparoni duke ndjekur gjyrmat e mureve të teqes. Ngjiteni në një të përpjet të vogël me gropa të mbushura me uj të qelbur shiu. Në të djathtën t’uaj një varr që flê nënë degat e rudhura e të pa-kujdesura të selvive e të repeve. Pak më tej nga ruga e ngushtë që shkon nëpër mes ferrash, duken, të shpërndara një këtu e një atje, mbi një kodër, disa shtëpi fshati. Këtu, po të zbresni nga një shkallë e gjërë prej gurësh që kanë luajtur nga vëndi, hyni në një muze të shdukur vdekjeje të mbuluar me bar dhe plot varre me mbishkrime e me taxhe. Edhe ky vënd është një kodër e vogël. Fërfëllimet e ashpëra t’erëravet edhe këtu ju këndojnë freskësi nëpër mes të degave, të përkulura e të zgjatura gjer në tokë të selvive e të repeve të mëdha.

Katër a pesë kalamaqër emigrantësh lozin më tutje mbi barin që i ka thëthitur në gji gurët e varrëve. Këta, sikur patën një sulm të pa-pandehur, i hapin syt krejt mbi ju dhe ju shëkojnë, të habitur dhe të heshtur. U është zënë zëri këtyre rugacëve që, pak më parë, bërtitnin si të marrë brënda në lirin’ e sigurtë të varresës! U marrin prapa dhe ju ndjekin me këmbët e tyre të holla që dridhen msheftazi nga frika nga tmerri. Këndoni mbishkrimet e fërtikura dhe të meta të gurëve të varrëve që janë shtruar copa copa në shesh. Përkuleni atje këtu mbi grumbuj tokash të fryra që u përgjAzin varreve të haruarë e të lënë. Kërkoni. As-një gjurmë, as-një shënjë. Atje tutje, në rëzë të sypërfaqes ku bashkohen ca repe, një varr të mermertë. Ky është varri i Abdul-it. Ka dhe një gur të stolisur me një mbishkrim turçe me mjaft hollësira. Njëri prej gurëve të varrit ka ikur nga vëndi dhe nga njëra anë’ e tij po bijen copa dheu të djegur e të nxirë nga thatësira. Kur i aviteni këtij varri ndjeni në brëndësirën t’uaj një dhëmbje, pse këtu është dhe një varr tjatër. Dhe sikur zëri i ngjyrur i një gruaje plakë, lajmëtare e vdekjes, ju bërtet nëpër mes të drujve të varresës ku kini hyrë:

-Djelma! Varri që kërkoni është pranë atij varri dhe tamam nënë këmbët t’uaja!

Oh! Tokat që kini përpara, që shkelim me këmbë ne, janë varre, ja kështu të pa-dukurë, pa-gjurmë, pa gurë, pa mbishkrim. Në njërin nga këta vënde flenë kockat e Naimit që brezi ynë e njeh si poet kombëtar. Ky njeri i math që është krijonjësi i parë i shqiptarismës s’onë të re, është bërë flija e mos-mirnjohësisë më të madhe të Shqipërisë së krijuar. Në këto balta të shkreta të një vëndi të huaj, ç’punë ka akoma Naimi? Këtu s’ka asnjeri që ja di varrin e tij. Për veç një gruaje plakë, e aratisura e teqes… /Konica.al/