Pas dy shekujsh rritjeje të paprecedentë, popullsia njerëzore do të fillojë të tkurret pas vitit 2064. Përfundimi del nga një studim i kryer nga një ekip i madh studiuesish në Institutin për Metrikën dhe Vlerësimin e Shëndetit (IHME) në Shkollën e Mjekësisë të Universitetit të Uashingtonit. Gjetjet e studimit u botuan së fundmi në revistën shkencore “The Lancet”.

Studiuesit parashikojnë që popullsia globale do të arrijë kulmin në 9.7 miliardë rreth vitit 2064, kohë kur do të nisë rënia, për të arritur në 8.8 miliardë në fund të shekullit. Shifra bie ndesh me parashikimet e OKB-së, por gjithsesi mbetet një miliard njerëz më shumë se sa banojnë në Tokë sot.

Në mënyrë që të popullsia të rinovohet pa pësuar ndryshim, shkalla në total e fertilitetit (TFR) duhet të mbajë një nivel prej 2.1 lindjesh për grua. Për shkak të përmirësimeve në aksesin në kontracepsion dhe arsimimit në rritje për vajzat dhe gratë, shtysa për të pasur fëmijë ka rënë.

Ju pëlqen!

Në disa rajone, rënia ka qenë dramatike. Për shembull, TFR në Itali dhe Spanjë tani është 1.2 ndërsa në Poloni është 1.17. Edhe në rajonet “me fertilitet të lartë”, situata po ndryshon. Gratë e Afrikës Sub-Sahariane kishin mesatarisht 4.6 lindje për grua në 2017; ky numër parashikohet të bjerë në 1.7 në vitin 2100. Nigeri ka shkallën më të lartë të lindshmërisë në botë: 7 lindje për grua. Në vitin 2100, parashikohet të bjerë në 1.8.

Rënia e popullsisë do të ketë pasoja të mëdha financiare. Kjo për shkak të rënies së numrit të individëve në moshë pune (20-64 vjeç).

Rënie të mëdha të numrit të punëtorëve parashikohen në Kinë dhe Indi, krahas rritjeve të qëndrueshme në Nigeri. Deri në vitin 2100, India parashikohet të ketë ende popullsinë më të madhe në moshë pune në botë, e ndjekur nga Nigeria, Kina dhe SHBA.

Në të vërtetë, popullsitë që do të tkurren më shpejt përfshijnë Azinë dhe Evropën Qendrore dhe Lindore. Japonia, e cila ka vite që po përballet me plakjen e popullsisë, do të bjerë nga 128 milionë në 2017 në 60 milionë në 2100; Tajlanda, nga 71 në 35 milionë; Portugalia, 11 deri në 5 milionë; dhe Koreja e Jugut, 53 deri në 27 milionë.

Studimi fokusohet te rritja e shifrave në të ardhmen, por nuk analizon trendin e deritanishëm. 350 000 vjet pas shfaqjes së Homo sapiens në Tokë, një miliard njerëz u shënuan në 1804. U deshën 123 vjet për të shtuar një miliard të tjerë; 33 vjet për të arritur në tre miliardë dhe vetëm 14 vjet për të arritur në katër miliardë. Pra brenda një shekulli jemi trefishuar.

Më shumë një proces biologjik sesa filozofi, riprodhimi dhe mbijetesa është qëllimi i çdo specie. Duke pasur parasysh këtë, ne e kemi mbipopullimin me mjete si kontracepsioni dhe edukimi. Por duhet një shpërndarje e burimeve natyrore në mënyrë më të drejtë nëpër botë – e vështirë të imagjinohet në një sistem kapitalist – përndryshe do të paguajmë çmimin për rritjen e numrit të popullsisë.

Stein Emil Vollset, profesor i Shëndetit Global në IHME dhe autori kryesor i studimit, peshon kostot dhe përfitimet:

“Ndërsa rënia e popullsisë është potencialisht një lajm i mirë për reduktimin e emetimeve të karbonit dhe stresin në sistemet ushqimore, me më shumë të moshuar dhe më pak të rinj, shoqëritë do të përballen me më pak kontribuues në skemën e pensioneve dhe më shumë përfitues. Kjo do të ndikojë negativisht në aftësitë e vendeve për të gjeneruar pasuri, pasi shtohet edhe nevoja për financimin e mbështetjes sociale dhe kujdesit shëndetësor për të moshuarit.”

©MekuliPress/ Ndaje artikullin me familjen dhe miqtë tuaj. MekuliPress mbetet e pandikuar nga partitë politike. FOTO: No copyright infringement is intended.