Nëse konsumi global i energjisë do të reduktohej me 60 për qind deri në vitin 2050, 10 miliardë njerëz mund të përfitonin akoma nga kushtet e mira të jetesës. Ky është përfundimi i një studimi të kryer nga Universiteti i Leeds-it, i cili përllogariti se sa energji do të kërkohej për të siguruar nevojat themelore të njeriut si ushqim, ujë, lëvizshmëri, strehim dhe higjienë, për popullsinë e botës. Ata gjithashtu morën parasysh nevojat më moderne si kujdesi shëndetësor me cilësi të lartë, arsimi dhe qasja në teknologji, duke përfshirë telefonat, kompjuterët dhe internetin.

Studimi zbuloi se standarde të denja jetese mund t’i sigurohen një popullsie globale në rritje për më pak se 40 përqind të energjisë së përdorur në të gjithë botën sot. Kjo do të thotë që energjia e pastër mund të mjaftojë lehtësisht për 10 miliardë njerëz, popullsia e protshme në Tokë në vitin 2050.

“Aktualisht, vetëm 17% e konsumit global të energjisë fundore është nga burime jo-fosile. Por kjo është gati 50% e asaj që vlerësojmë se është e nevojshme për të siguruar një standard jetese të denjë për të gjithë në vitin 2050″, thotë Dr. Joel Millward-Hopkins, autori kryesor i studimit.

Ju pëlqen!

“Studimi ynë është në përputhje me argumentet e kahershme që zgjidhjet teknologjike tashmë ekzistojnë për të mbështetur uljen e konsumit të energjisë në një nivel të qëndrueshëm.”

Studimi thekson se konsumi i tepërt nga njerëzit më të pasur në botë duhet të zvogëlohet, çka do të sheshonte pabarazitë në nivel global dhe kombëtar.

Duke luftuar idenë se “më shumë është më mirë”, konsumi i energjisë do të duhet të shkurtohet me gati 95 për qind në vendet me konsumin më të lartë për person.

Autorët e studimit theksojnë se për të krijuar këtë vizion, do të duhet të bëhen ndryshime rrënjësore në të gjitha aspektet e jetës sonë – por kjo nuk do të thoshte një “kthim në epokën e errët”.

Ndoshta ju pëlqen!/MekuliPress/ Ndaje artikullin me familjen dhe miqtë tuaj. MekuliPress mbetet e pandikuar nga partitë politike! FOTO: No copyright infringement is intended.