Besnik Bislimi, nënkryetar i Vetëvendosjes, ka thënë se nuk do të përkrahin zhbërjen e Speciales sepse kjo nuk po kërkohet për ta mbrojtur UÇK-në, por për ta shpëtuar një person.

“Kur është aprovuar Gjykata Speciale në Parlament ne kemi qenë kategorikisht kundër, dhe e kemi demonstruar edhe me votë edhe me protesta jashtë. Për arsye se kemi konstatuar se Gjykata Speciale është goditja më e madhe që i jepet vendit dhe UÇK-së që nga viti 1999”, ka thënë Bislimi.

Tutje ai ka folur se si lidershipi politik atëherë kërkonte që të formohej Specialja për të pastruar luftën e UÇK-së.

Ju pëlqen!

“Lidershipi politik i atëhershëm publikisht ka thënë ‘Gjykata Speciale nuk e dëmton luftën e UÇK-së, por e pastron luftën e UÇK-së. Gjykata Speciale nuk do të merret me UÇK-në por me individët, ka juridiksion individual’. Gjykata Speciale i gjykon eprorët për vendimet e tyre që i kanë marrë, nxitjen që kanë bërë për veprime të caktuara për periudhën 01 janar 1989 – 31 dhjetor 2000. Vetëm për këtë periudhë do të thotë kufizohet dhe vetëm për Kosovë”, shprehet Bislimi.

Bislimi shton se që nga themelimi i Gjykatës në vitin 2015 nuk ka ndryshuar asgjë.

“E vetmja gjë që duket se ka ndryshuar me vitin 2015 është se atëherë Thaçi ka shpresuar që nuk do të jetë në listë dhe për këtë arsye ka menduar se gjithçka është në rregull. Tash që ka dalë ftesa për të po del që Gjykata është e keqe dhe faktori ndërkombëtar. Këtu mendoj se është problemi sepse tregon mentalitetin e Thaçit, i cili ka qenë i gatshëm me i dhënë shokët e vet me kusht që të shpëtojë veten”, thotë Bislimi.

Bislimi ka shpjeguar se pse nuk e përkrahin një shfuqizim të mundshëm të Gjykatës Speciale.

“Ndryshimi i ligjit nuk po kërkohet për me e mbrojt UÇK-në, por po kërkohet për me e shpëtuar një person. Në drejtimin tonin nuk ka pas kërkesë”, ka thënë Bislimi.

Ai thotë se dy elemente janë me rëndësi për sa i përket Gjykatës Speciale.

“E para: Momenti i publikimit të aktakuzave të pakonfirmuara na ka bërë të qartë se Gjykata është politike, ashtu siç kemi thënë edhe ne më herët. Do të thotë Gjykata bënë politikë. Edhe e dyta është se Gjykata tregon që në errësirë Thaçi vazhdimisht ka pas tendenca për me negociuar për veten. Kur është publikuar aktakuza është thënë se arsyeja se pse po publikohet e pakonfirmuar është se ka aktivitete të personave në fjalë për ta zhbërë Gjykatën”, ka thënë Bislimi.

Ndoshta ju pëlqen!/MekuliPress/ Nëse keni shijuar këtë artikull, ndajeni atë me familjen dhe miqtë tuaj! MekuliPress mbetet e pandikuar nga partitë politike!