Ish-ministri i Financave dhe Transfereve, Besnik Bislimi, ka mbajtur një konferencë për media, ku ka folur për gjendjen me pandeminë në Kosovë, si dhe ka bërë krahasimin në mes të ish-qeverisë “Kurti” dhe asaj aktuale “Hoti”.

Bislimi tha se nga data e sotme mund të themi se përballja me pandeminë ka dalë nga kontrolli dhe sipas tij pjesa më e madhe e politikanëve nuk kanë bërë as përpjekje të mbajnë gjendjen nën kontroll, raporton “Zeri.info”.

“Më 7 korrik 2020 mund të themi lirisht se përballja me pandeminë na ka dalë nga kontrolli e mbase mund të themi që një pjese e madhe e politikës as që ka pasur përpjekje ta mbajë nën kontroll”, potencoi ai.

Ju pëlqen!

Më tej, ish-ministri Bislimi tha se dështimi me përballjen me pandeminë dhe dëmet e manifestuara në ekonomi do të na shoqërojnë më gjatë.

“Dështimi në përballje me pandeminë do të manifestohet me shumëfishim të dëmeve ekonomike, të cilat do të na shoqërojnë jo vetëm në muajt në vijim, por edhe më gjatë”, tha Bislimi

Nënkryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Besnik Bislimi, ka folur edhe për qeverisjen e Kurtit, ku tha se partnerët e koalicionit, LDK, ndërprenë suksesin e asaj qeverisjeje në mesin e pandemisë, gjë e cila, sipas tij, nuk mund të ndodhte në ndonjë shtet tjetër.

“Falë menaxhimit të suksesshëm si të pasojave në shëndet, ashtu edhe në ekonomi, vendi ngadalë po hapej dhe ekonomia po bëhej gati për rigjallërim. E gjithë kjo përkundër vendimit absurd të partnerit të koalicionit dhe opozitës në Kuvend që ta ndërpriste suksesin e qeverisjes në mes të pandemisë. Diçka e pashënuar më herët në ndonjë shtet tjetër të botës”, u shpreh Bislimi.

Ish-ministri foli edhe për viktimat e ditëve të fundit nga koronavirusi, për çka e kritikoi kryeministrin Hoti.

“Gjithçka ndryshoi me publikimin e aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese dhe pastaj me formimin e qeverise jolegjitime më 3 qershor dhe që nga kjo ditë vendi filloi të merrte teposhtën. Madje edhe në ditët më të zeza të këtij viti kur u regjistruan 8 viktima, e gjitha që dëgjuam nga kryeministri kukull dhe juristi i tij ishte që gjendja ishte në kontroll dhe që ishte në pritje të dialogut me Vuçiqin”, deklaroi Besnik Bislimi, ish-ministër i Financave në qeverinë “Kurti”.

Ndoshta ju pëlqen!/MekuliPress/ Nëse keni shijuar këtë artikull, ndajeni atë me familjen dhe miqtë tuaj! MekuliPress mbetet e pandikuar nga partitë politike!