Zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi, ka raportuar para Komisionit për Integrime Evropiane, duke thënë që masat e parapara në planin e veprimit të MSA-së pritet që të zbatohen deri në fund të këtij viti.

“Ne këtë të plan të veprimit e kemi miratu me datën 9 mars, pra ka më pa se një muaj nga dita e sotme”, ka thënë Bislimi para Komisionit.

“Programi përmban tri blloqe, kriteret politike, ekonomike dhe pjesa e tretë që ka të bëjë me  përfarimin e legjislacioni me atë të Bashkimit Evropian”.

“Në tërësi brenda këtij dokumenti që është afro 300 faqe, presim që të zbatohen deri në fund të vitit”.

“Nga këto masa, 90 sosh janë legjislative, brenda këtyre masave, 41 janë projektligje të cilat presim që bashkërisht t’i hartojmë dhe miratojmë në qeveri brenda këtij viti; 139 janë masa zbatuese”.

Bislimi tha se nuk ka boshllëk buxhetor, dhe presin që reformat të zbatohen brenda afateve të parapara.

“Për implementimin e planit kombëtar të zbatimit të MSA-së 2022-2026 janë paraparë kosto në vlerën e 46 milionë e 11 mijë e 219 euro. Pjesa më e madhe e tyre, apo 25.5 milionë janë të ndara nga buxheti i Kosovës, kurse pjesa tjetër prej 20.5 milionë janë të hyra nga donatorët”.

“Kjo nënkupton se për implementimin ne këtij plani të zbatimit nuk ka kurrfarë boshllëku buxhetor, dhe të gjithë ne dhe ju bashkë me ne kemi buxhet të mjaftueshëm për zbatimin e secilës prej reformave që është planifikuar në këtë plan të veprimit andaj presim që të gjitha këto reforma të zbatohen në mënyrën e duhur dhe brenda afateve që janë të paraparë në planin e veprimit.

“Po ashtu për neve është shumë me rëndësi që ky program të zbatohet në tërësi dhe të jetë në harmoni me prioritetet që i kemi në mënyrë që të jemi të gatshëm që t’i përmbushim obligimet tona që i kemi marrë përsipër bashkë me Bashkimin Evropian dhe të parapara në MSA”.

Kjo marrëveshja përkufizohet si kulmi i përpjekjeve dhe përkushtimit në agjendën evropiane të më shumë se një dekade e gjysmë të institucioneve të Kosovës, dhe të njëjtën kohë paraqet një fillim të ri që i hap rrugë, përshpejton dhe e përforcon procesin të integrimit evropian me qëllim të anëtarësimit në BE.

Kjo ishte marrëveshja e parë kontraktuale midis BE-së dhe Kosovës, e cila u nënshkrua më 27 tetor 2015 dhe ka marrë pëlqimin e Parlamentit Evropian dhe është ratifikuar në Kuvendin e Kosovës.