Dieta është faktor vendimtar, i cili lidhet ndjeshëm me rrezikun nga sëmundjet metabolike të kohëve moderne si obeziteti, diabeti, sëmundjet kardiovaskulare, kanceri dhe Alzheimer-i. Konsumi i mjaftueshëm i lëndëve bioaktive që gjenden vetëm në ushqimet e freskëta si fruta-perimet dhe frutat e thate-farat, është i rëndësishëm në parandalimin dhe pengimin e avancimit të këtyre sëmundjeve. Mjedrat janë një ndër frutat me përmbajtje të lartë përbërësish bio-aktiv, fakt ky qe e bën këtë frut të ketë veti të rralla për shëndetin.

Vlerat ushqyese te Mjedrave

Mjedrat ofrojnë vetëm 52kalori ne 100gr dhe janë ndër ushqimet më të pasura në fibra dhe në vitaminë C, me 6,5gr dhe 26mg për çdo 100gr, përkatësisht. Gjithashtu, ky frut përmban një gamë të gjerë polifenolesh, të njohura si fitokimikate, të cilat kryejnë shumë funksione për bimën, funksione që janë të vlefshme më tej edhe për konsumatorin. Një prej veprimtarive më të dobishme është mbrojtja ndaj stresit oksidues- rrënjës së një sërë sëmundjeve degraduese.

Mjedrat dhe mbrojtja nga stresi oksidues

Mënyra moderne dhe cilësia e ushqimit të kohëve të sotme, në kombinim me një sërë faktorësh të tjerë si, mungesa e aktivitetit fizik, ndotja e ajrit dhe ujit dhe përdorimi i tepruar i kimikateve në zinxhirin ushqimor, kanë shkaktuar rritje të stresit oksidues në organizmin e njeriut. Ndër indet më të rrezikuara nga lëndët oksiduese që qarkullojnë në organizëm, janë muret e brendshme të enëve të gjakut, dëmtimi i te cilave sjell sëmundje kardiovaskulare dhe si rrjedhojë rritje të vdekshmërisë. Kapaciteti antioksidues i gjithsecilit prej nesh, varet shume nga furnizimi me lëndët e duhura nëpërmjet ushqimit të përditshëm. Mjedrat janë një burim i pasur i këtyre lëndëve të domosdoshme antioksiduese.
Studimet në kafshë kanë treguar se përbërësit antioksidues të mjedrave ndikojnë ndjeshëm në uljen e rrezikut kardiovaskular dhe inflamacionit, pikërisht në sajë të uljes së stresit oksidues. Me të njëjtin mekanizëm, mendohet se mjedrat mbrojnë nga kanceri dhe nga Alzheimer, një ndër sëmundjet më të përhapura të moshës së tretë.

Mjedrat rregullojnë diabetin

Një ndër veprimet më të çmuara të mjedrave është pengimi i enzimës “α-amylase” dhe “α-glucosidase”, të cilat “tresin” karbohidratet në aparatin tretës, duke ndikuar kështu në uljen e përthithjes së glukozës në gjak, një veçori që nuk është vërejtur në fruta të tjera pylli. Konsumi i mjedrave se bashku me një vakt, mund të uli përgjigjen glicemike pas tij.

Mjedrat ndihmojnë rënien në peshë

Një vëmendje të madhe ka tërhequr aktiviteti i “ketoneve” të mjedrave ne rregullimin e peshës trupore. Mjedrat mendohet të kenë efekt anti-obezitet, duke ndikuar pozitivisht në metabolizmin e yndyrnave. Një studim ka konstatuar se konsumi i përbërësve të mjedrave mund të përmirësojë mëlçinë e dhjamosur dhe të rrisi djegien e yndyrnave, duke ndikuar ne aktivitetet e enzimave përkatëse.

Këshilla

Konsumoni mjedrat çdo mëngjes me kos pa yndyrë, kanellë, banane dhe pak tërshërë
Shtoni mjedra në sallatat tuaja të përditshme.
Bluani me kos ose qumësht: mjedra, fara lini, banane
Ruajini në ngrirje deri ne 6 muaj